Mirë se vjen Xhabir Zharku, kjo është Republika juaj!

Palmat në Kaçanik mund të jenë vyshkur, por shokët e Xhabir Zharkut janë ende në pushtet. Rrjedhimisht, ai kthehet në një shtet ideal për të.

Foto: Shutterstock



Para dy vitesh gazeta «Zëri» njoftonte lexuesit se Xhabir Zharku ka ndërruar pamjen. Lajmin modest kjo e përditshme e shoqëronte me disa fotografi të Zharkut në një ahur diku në Suedi. Ish-kryetari i Kaçanikut shihej aty duke qethur një dele, ndërsa fytyrën e tij e kishte mbuluar një mjekër. Ndonjë dashakeqësi mund t’i ketë shkuar mendja se Xhabir Zharku po e imitonte doktor Dragan Dabiqin, pas të cilit fshihej Radovan Karagjiqi, lideri i serbëve të Bosnjës, i dënuar ndërkohë me 40 vjet burg për gjenocid.

As veprat për të cilat është dënuar, as personaliteti i Xhabir Zharkut s’mund të krahasohen me karrierën e Karagjiqit. Ndërsa ky i fundit fshihej për t’i shpëtuar arrestimit për krime të luftës, Xhabir Zharku vetëm ndërroi vendbanimin pasi drejtësia e poshtër e Kosovës e dënoi për disa vepra krejt të padëmshme, së paku sipas bindjes së tij dhe të partisë së tij.

A është sot e rëndësishme se përse është dënuar Zharku? Dorën në zemër – jo. Prej se Zharku ka ikur në vitin 2012 në atdheun e tij të dytë, në Suedi, në Kosovë kanë ndodhur dallavere e keqpërdorime shumë më të mëdha, janë zbuluar skandale më të mëdha, janë bërë publike afera më të mëdha. Dhe askush nuk është dënuar me burg. Askush nga ata që EULEX-i dikur i quante «peshq të mëdhenj».

Zharku është dënuar për detyrim dhe armëmbajtje pa leje. Armëmbajtje pa leje? Këto ditë u bë e ditur se 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës janë të armatosur. Me leje apo pa leje – çfarë rëndësie ka kjo tashmë, kur pothuaj çdokush që merret me politikë në Kosovë «duhet» të jetë i armatosur, sepse politika shpesh është vetëm sinonim i krimit të organizuar dhe alltia e nevojshme për t’u mbrojtur fizikisht, për të mbrojtur klanin, bizneset, gurthyesit etj.

Në Suedi Xhabir Zharku thuhet se është marrë me biznes. Suedia është shtet funksional dhe ikanaku kosovar me siguri i ka paguar taksat me rregull, gjë që s’mund të thuhet për të gjithë politikanët në Kosovë. Para dy viteve ai që sot është kryetar i PDK-së i bëri thirrje Zharkut të përballet si burrat me drejtësinë. Përgjigjja e Zharkut ishte mjaft kreative: më mirë qethi dele se sa të kthehem në Kosovë!

Pas 6 viteve në ekzil biri i Kosovës, Xhabir Zharku, mund të kthehet në atdhe – triumfalisht. Veprat për të cilat është dënuar do të parashkruhen për shkak se drejtësia e Kosovës nuk ka qenë në gjendje ta ekzekutojë dënimin prej tre vjet burg, ngase shtetasi suedez Xhabir Zharku shkoi në Suedi. Palmat e mbjella prej tij kur ishte kryetar i Kaçanikut mund të jenë vyshkur, por shokët e Zharkut janë ende në pushtet, rrjedhimisht ai kthehet në një shtet ideal për të.

Xhabirizimi i politikës kosovare ka arritur kulmin. Kur të kthehet ai do të jetë person i kërkuar – në radhë të parë nga televizionet e shumta. Më në fund një fytyrë e re në studio, ndokush mund ta ngatërrojë edhe me ndonjë analist. Pas aferës së fundit me rrëmbimin e shtetasve turq nga shërbimi sekret turk (dhe me ndihëm e bashibozukëve të AKI-së) aeroporti i Prishtinës ka fituar namin e një Shpelle të Piratëve. Nëse aty mund të aterrojë një avion i një kompanie ndërtimore turke i marrë me qira nga shërbimi sekret turk MIT (për të fshehur gjurmët), atëherë e udhës është që kur të aterrojë Xhabir Zharku në pistë të qëndrojnë gatitu njësitë ceremoniale të Policisë së Kosovës, të FSK-së, të Zjarrfikësve, një delegacion i PDK-së, një delegacion i Asociacionit të Komunave Serbe, një delegacion i Shoqatës për Mbjelljen e Palmave, pastaj daullexhinj me nam nga Kaçaniku. E meriton këtë pritje Xhabir Zharku. Dhe për nder të tij do të duhej të therej edhe një dele. E qethur!