Mirë se vini në vendin me ëndrra të djegura!




«Atdheu edhe nëse të vret, duaje!», ishte amaneti që shkrimtari Mitrush Kuteli ua la fëmijëve të tij. Ky amanet mund të bëjë ngushëllimin më të mirë për mërgimtarët tanë, të cilët sakrifikuan jo pak që të krijojnë një atdhe, ku mbi lirinë do të shtrihej mirëqenia dhe dashuria.

Nga Bardh FRANGU

Mërgimtari im i dashur, lumi ku je larë verës me patat e lagjes nuk është më, sepse e kanë masakruar shtratin e tij. Livadhi ku ke kullosë bagëtinë dhe ku ke luajtur me moshatarët nuk duket kund, sepse mbi të është derdhur sasi e madhe betoni. Kodra ku ke mbledhur manaferra të egra dhe ku ke gjuajtur fëllënza, nuk është më, sepse është bërë rrafsh me tokë nga gurëthyesit. Tani pas masakrimit të njerëzve nga lufta e fundit, do të ndeshesh me masakrimin e tokës së atdheut, përkatësisht me shkatërrimin e atyre pamjeve ku ke palosur ëndrrat e që ngado i ke bartur në formë imazhi ngushëllues. Në fakt peizazhin më të rëndësishëm të vendlindjes e bëjnë njerëzit. Edhe ky është dëmtuar shumë, madje tepër shumë. Njerëzit janë katandisur në dëshpërim dhe depresion, ndërsa ata që i gëzohen deri në ekstazë lirisë së krijuar me shumë sakrifica janë soji i hajnave dhe plaçkitësve dhe askush tjetër.

E megjithatë mirë se vjen mërgimtari im i dashur, sepse nuk mund të mos vish. E pra atdheu, përkatësisht vendlindja, është një vijë uji, një copë fushe dhe një grusht shkëmbi, ku mbillen ëndrrat, mbillen shpresat dhe ku dhembja për më të dashurit mbulohet me një grusht dhe. Këto edhe ndërtojnë gravitacionin që tërheq secilin nga ne dhe na bëjnë të ndjejmë dhembje të madhe kur provojmë të ndryshojmë ligjet e tij. Po ndërsa kjo dhembje do të duhej të ishte pakrahasueshëm më e vogël se përpara, meqë mundësia e lëvizjes, për arsyet që dihen, është shumë më e madhe, megjithatë udhëtimi, përkatësisht kthimi në vendlindjen me ëndrra të djegura, bëhet shumë i rëndë dhe shumë i dhembshëm.

Ti e din se ende pa hyrë në atdhe fillon plaçka që do të të përcjellë gjatë gjithë kohës në vendlindje. Me mëngjes do të hash ushqime të helmuara, madje nisur që nga buka. Mund të hash bukë të gatuar me krunde nga fabrika e Devollëve. Mund të djersitesh shumë në pritje të një dokumenti të zakonshëm dhe mbase ta harxhosh shumicën e kohës së pushimit. Por përkundër të gjitha të këqijave ti je shumë i mirëseardhur, mërgimtari im. Të presin familjarët e ngushtë, me shpresë se mund të ngjallin mëshirën tek ti dhe t’u dalësh në ndihmë për ndonjë shërbim të vogël. Është kënaqësi e madhe kur ke mundësi të ndihmosh dikë. Të presin tregtarët anë e mbanë me shpresë se do të derdhni sasi sa më të madhe të parasë nëpër dyqanet e tyre. Shumë gëzohen zyrtarët politikë, të cilët mezi presin t’ju takojnë dhe t’ju thonë sa shumë kanë punuar për vendlindjen tuaj dhe sa shumë do të bëjnë në të ardhmen. Do të organizojnë edhe takime kulturore për ju, ku do të kënaqeni me muzikën tallava.

Po ti nuk guxon të ndjehesh i dëshpëruar, mërgimtari im, sepse je në atdheun tënd, i cili edhe po të të vret, duhet ta duash. Duhet t’i shtrëngosh dhëmbët fort dhe të ecësh nëpër shkrumbin e ëndrrave, me shpresën se një ditë duhet të bëhet më mirë. Ty nuk ta kanë djegur shpresën si neve, sepse ti ke atdheun këtu, ndërsa atje ke lirinë. Neve këtu edhe atdheun, edhe lirinë na e kanë vjedhur hajnat. Të kesh një atdhe rezervë për njerëzit tanë është mrekullia më e madhe që mund të të ofrohet në këtë jetë. E dhembshme, por e vërtetë, mërgimtari im.

Po ti do të vish edhe kësaj vere, sepse nuk mund të mos vish, ndërsa këtë udhë ke ditur ta bësh edhe nëpër vijë zjarri. Duhet të vish t’i hapësh dritaret e shtëpisë për ta ndërruar ajrin. Të vish e të shohësh se a ka fryte arra në oborr dhe a është rritur shumë bari. Do të vish e ta marrësh përdore fëmijërinë tënde dhe ta shëtisësh nëpër sytë e njerëzve dhe nëpër vendet që ende kanë mbetur të padëmtuara në hartën e imazheve tuaja. Do t’i sjellësh edhe fëmijët që t’u tregosh se ku i kanë rrënjët e gjakut dhe ku kanë një copë tokë që do ta trashëgojnë nga ti dhe ku mund të mbjellin ndonjë ëndërr që nesër të mund të vijnë dhe të investojnë për ta bërë më të mirë dhe më të dashur atdheun tënd, tokën e tyre. Ata duhet të besojnë fort se kjo tokë e atdheut tënd është pjesë e Evropës dhe se një ditë, patjetër një ditë, do të integrohet në këtë familje të madhe dhe do të bëhet një me të.