Miratohet strategjia e Shërbimit Korrektues për katër vitet e ardhshme, Kuçi e vlerëson me kritere evropiane

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Misioni EULEX lidhur me përfundimin e hartimit të Strategjisë së Zhvillimit të SHKK-së për periudhën 2016 -2020.




Ministri Kuçi ka përshëndetur këtë hap të rëndësishëm për SHKK-në, që ka për qëllim zhvillimin dhe avancimin e këtij institucioni.

Ministri Kuçi përgëzoi të gjithë kontribuesit në këtë projekt, për punën profesionale, duke përfshirë partnerët e këtij projekti – ekspertët nga SHKK-ja, Njësia Korrektuese e EULEX-it dhe Hannu Kiehelä, Drejtor i Akademisë për Shërbim Korrektues dhe Sprovues të Finlandës. “Finalizimi i këtij dokumenti do të integrojë dy elemente shumë të rëndësishme, atë të standardeve më të mira evropiane në kontekstin e Kosovës”, theksoi Ministri Kuçi.

Ministri Kuçi gjithashtu ka theksuar rëndësinë e ngritjes së Shërbimit Korrektues në nivel të Agjencisë me kompetenca dhe përgjegjësi të plotë. Qëllimi i kësaj strategjie është që të shërbejë si udhërrëfyes për angazhimin dhe aktivitetet dhe si e tillë duhet të zbatohet nga të gjithë akterët relevant.

Kuçi i ka vënë theks të veçantë rëndësisë së qendrave korrektuese që ato si të tilla të mos jenë institucione që ofrojnë siguri vetëm brenda objekteve, por të shërbejnë si qendra rehabilituese dhe të ofrojnë siguri për vendin edhe kur këta njerëz të kenë vuajtur dënimin, transmeton Koha.net.

Ndërsa, Udhëheqësi i Divizionit për Fuqizim në EULEX, Peter Bach, ka vlerësuar aktivitetet e zhvilluara në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe njëherit e ka cilësuar strategjinë të rëndësisë së veçantë për SHKK-në. Bach shtoi se i kanë parasysh problemet dhe vështirësitë që shfaqen brenda shërbimit, sidomos duke e konsideruar se aty ndodhen kategori të ndryshme të të burgosurve. Bach theksoi se EULEX do të vazhdojë mbështetjen për SHKK-në edhe në të ardhmen.

Në përfundim të kësaj tryeze u ndanë edhe certifikata për të gjithë pjesëtarët e Shërbimit Korrektues të cilët kanë ndihmuar në përpilimin e kësaj strategjie.