Miratohet në parim Projektligji i ri për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga nënkryetarja e Komisionit, Teuta Rugova, ka shqyrtuar Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.




Deputetja Rugova ka theksuar se projektligji në fjalë është proceduar në Kuvend më 15 shtator të këtij viti dhe se ai u është shpërndarë deputetëve.

Duke e vlerësuar projektligjin të hartuar mirë, i cili është shoqëruar edhe me të gjitha shkresat e nevojshme (memorandumin shpjegues, deklaratën financiare dhe opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së), ajo ka pohuar se Projektligji do të rregullojë veprimtarinë e Shërbimit të jashtëm të Kosovës, duke e përfshirë edhe MPJ-në.

Deputetja e LDK-së ka sqaruar tutje se kur të hyjë në fuqi ky projektligj, do të shfuqizohet Ligji për MPJ-në dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, së bashku me Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e tij, si dhe Ligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pas shprehjes së vlerësimeve pozitive për këtë projektligj, anëtarët e Komisionit e kanë miratuar atë në parim, duke e formuar edhe grupin punues, në përbërje: Qerim Bajrami, Zafir Berisha dhe Blerta Deliu – Kodra, për të përgatitur raportin me rekomandime, në emër të komisionit funksional.

Po në këtë takim është vendosur për një vizitë zyrtare (njëditore) të katër anëtarëve të komisionit në Parlamentin hungarez, më 17 nëntor, ndërkohë që do të përcaktohet edhe delegacioni për këtë vizitë.