Miratohen më në fund rregullat e Gjykatës Speciale të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës miratuan rregullat e rishikuara të procedurës dhe provave për gjykatën e re speciale që do të gjykojë ish-luftëtarët e UÇK-së në Kosovë.

Paneli i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Foto: Dhomat e Specializuara.



Pas një vonese prej disa muajsh, Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës miratoi të mërkurën vendimin për miratimin e rregullave të procedurës dhe provave për Gjykatën e re Speciale, duke e lejuar atë të ngrejë së shpejti paditë e para kundër ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

«Gjykata ka vendosur unanimisht se Rregullat e Rishikuara janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës», tha ajo në një deklaratë.

Në prill, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se nga një total prej 208 rregullash, dhjetë dispozita të rregullave të procedurës dhe provave të Gjykatës Speciale me bazë në Hagë duhet të ndryshonin pasi ato nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Pas vendimit të ditës së mërkurë, kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova tha se ajo do të ishte plotësisht funksionale dhe gati të niste procedurat gjyqësore pas një jave.

«Pas hyrjes në fuqi të rregullave brenda shtatë ditëve nga sot, nuk do të ketë asnjë pengesë ligjore për të marrë apo ngritur ndonjë padi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar», citohet të ketë thënë Trendafilova në deklaratën e dhënë nga Dhomat e Specializuara.

Figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen dhe të dalin në gjyq në gjykatën e re për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së, që shihen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë shqiptare të vendit, ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.

(https://www.reporter.al/miratohen-me-ne-fund-rregullat-e-gjykates-speciale-te-kosoves/)