Ministrja Bajrami nuk e suspendoi drejtorin që po hetohet në MTI

Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Hykmete Bajrami, nuk ka përfillur kërkesën e shefit qeveritar dhe partiak, Isa Mustafa, për të suspenduar të gjithë zyrtarët qeveritarë që janë nën hetime, duke përdorur standarde të dyfishta për drejtorë të saj që janë nën hetime, shkruan sot Koha Ditore.




Ajo kishte suspenduar drejtorin Blerim Sokoli në MTI me arsyetimin se është nën hetime për parregullsitë me orët elektrike. Por nuk kishte suspenduar edhe drejtorin e Departamentit të Metrologjisë, Agron Shurdhani, i cili hetohet për keqpërdorim të pozitës. Për më tepër, më 17 gusht të këtij viti ajo e kishte emëruar Shurdhanin për tre muaj ushtrues detyre në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se Agron Shurdhani që nga viti i kaluar është duke u hetuar për keqpërdorim të pozitës së tij si drejtor i AMK-së. «Ju njoftoj se lënda në fjalë është ende në fazën e hetimeve, kallëzimi penal është ushtruar nga AMK-ja, kundër të dyshuarit A. SH., ish-drejtor në AMK», ishte përgjigjja dhënë nga zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.