Ministria e Tregtisë synon ta përmirësojë klimën e biznesit në Shtime me 150 mijë euro

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u nënshkrua Marrëveshja për të mbështetur financiarisht komunën e Shtimes për «ndërtimin e infrastrukturës së zonës ekonomike - faza e dytë», në mes të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe nënkryetarit të Komunës së Shtimes, Fatmir Rashiti.




Ministrja Bajrami, me këtë rast, ritheksoi prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë të cilën e drejton, për mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit.

Në këtë kuadër ajo bëri të ditur se do të ketë përkrahje të vazhdueshme për komunat me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës që do të inkurajoj më shumë investime të huaja në Kosovën.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Shtimes, Fatmir Rashiti, theksoi se kjo marrëveshje do të mundësojë kompletimin e infrastrukturës bazike të zhvillimit të mëtejshëm të sektorit privat në komunën e Shtimes.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është pajtuar për bashkëfinancim të projektit në fjalë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes infrastrukturore për ushtrimin e veprimtarive biznesore, e cila do të financojë këtë projekt me 150 mijë euro për rregullim të një pjesë të infrastrukturës së Zonës Ekonomike. Ky është vazhdim i projektit të mëparshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i cili ka ndihmuar komunën e Shtimes për ndërtimin e infrastrukturës së Parkut Teknologjik me 200 mijë euro.