Ministria e Shqipërisë s’heq dorë nga pllaka osmane në Kalanë e Lezhës

Pllaka me mbishkrimin i periudhës osmane në Kalanë e Lezhës është zhvendosur, por do të rikthehet aty pas restaurimit.




Ky veprim ka ardhur si pasojë e shkarravitjes së pllakës në ditën e 23-të të muajit të kaluar. Ngjyrosja e mbishkrimit me ngjyrë të zezë ishte bërë pak ditë pasi kjo pllakë ishte vendosur mbi portën kryesore të monumentit parahistorik, gjë që nxiti reagime.

Sipas medieve shqiptare pllaka është zhvendosur prej monumentit nga institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës.
«Albania» ishte mbishkrimi me ngjyrë të kuqe që ishte shkruar midis portës kryesore dhe pllakës së periudhës osmane.

Në anën e djathtë të portës po me ngjyrë të kuqe ishte shkruar «Mos u shitni te osmant». Këto mbishkrime tashmë janë fshirë nga objekti. Ndërkaq në pllakë në osmanisht shkruhet se rindërtimi i këtij objekti është bërë në mesjetë nga Sulltan Sylejmani, i cili asokohe udhëhiqte Perandorinë.

«Sulltan Sulejmani e ka rikonstruktuar këtë Kështjellë të bekuar. Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e Dervish Muhamedit, i biri i Uzgur. Kryelarta, Kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 ose me kalendarin Gregorian, viti 1522», është mbishkrimi i pllakës.

Rikthimin e saj e kishin kritikuar edhe arkeologët megjithëse ishte thënë se e njëjta kishte qëndruar aty deri në vitet ’70, kur edhe ishte zbuluar nga arkeologu Frano Prendi. Akti kundër pllakës kishte nxitur edhe reagimin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro – Furxhi. Nëpërmjet një postimi më «Facebook» me titull «Mos kini frikë nga monumentet e kulturës», Kumbaro-Furxhi i kishte dënuar veprimet e tilla përderisa i kishte krahasuar edhe me ato të ekstremistëve të ISIS-it.

«Gjithçka është pjesë e identitetit tonë kulturor, kombëtar, ballkanik, evropian, njerëzor», kishte shkruar e para e Kulturës në Shqipëri. Sipas saj, monumentet janë dëshmitare të historisë, por nuk e shkruajnë atë.

«I bëj thirrje komunitetit të sensibilizohet në mbrojtje të monumenteve kudo që janë. Mjeranët, nëse nuk paguajnë ende taksat, i ftoj të mësojnë së paku gjuhen shqipe», kishte shkruar Kumbaro – Furxhi në postimin e saj jo pa gabime drejtshkrimore. Kur ishte rivendosur pllaka me mbishkrimin e periudhës osmane ndër ata që kishin reaguar kundër rikthimit të saj ka qenë edhe arkeologia Etleva Nallbani, e cila ka vite që është e angazhuar në gërmimet arkeologjike në këtë monument.

«Del sikur i jepet rëndësi fazës osmane duke anashkaluar periudhat më të hershme, si ajo e shekullit III, bizantinia e hershme dhe madje dhe veneciania. Nëse duam ta mbajmë përpikërisht siç ka qenë, duhet vënë guri mbi portë. Por lind pyetja, siç ka qenë kur? Pra, pse vendosim të kthehemi pas në histori dhe të marrim si pikë referimi depozitimin e mbishkrimit në Muze?», citohej të kishte thënë Nallbani.

Sipas saj, nëse Kalaja trajtohet si monument kulturor dhe historik, ajo bart histori edhe në vitet e largimit të pllakës.
«Ndërsa si qëndrim ndaj një monumenti në rivlerësimin e tij, po ekziston dhe zgjidhja e paraqitjes së gurit gjetiu, në krah të monumentit apo në Muze. Nëse do t’i qëndronim parimit, aty ka qenë, aty të kthehet, atëherë duhet të linim gurin e Gaviarit mes gurëve të tjerë të portës së Gaviarit e të mos e prezantonim më vete», citohej Nallbani.

Kalaja e Lezhës gjendet në majë kodrës në 186 metra lartësi mbidetare, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre.

Sipas një përshkrimi që i bëhet asaj në guida turistike, objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Objekti dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë parahistorik qysh në shekullin IV para erës sonë.