Ministria e Shëndetësisë financon ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tenderin për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt , i cili parashihet të ketë repartin e kirurgjisë, gjinekologjisë, pediatrisë, sëmundjeve të brendshme dhe atë të diagnostikës.

Gëzim Kokollari, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për KD-në se ndërtimi i spitalit te ri në Ferizaj do ta shkarkojë numrin e pacientëve në QKUK, shkruan sot «Koha Ditore». Sipas tij, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka vendosur në favor të kërkesës së Komunës së Ferizajt, duke e parë këtë spital si nevojë imediate për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë.

«Konsideroj se me këtë projekt po përmbushet edhe një nga objektivat e Qeverisë së Isa Mustafës. Objekti i ri i Spitalit Rajonal në Ferizaj do të ketë në tërësi 29.096 m2 me gjithsej 250 shtretër, i cili gjendet në një lokacion mjaft të përshtatshëm si për nga qasja e qytetareve në marrjen e shërbimeve po ashtu edhe për nga ajri dhe freskia që do ta kenë pacientet, sepse spitali gjendet në parkun «Liria» apo siç thuhet në Ferizaj në «mushkëritë e qytetit»», ka thënë Kokollari.

Sipas tij, spitali i ri do të ketë strukturë funksionale, bodrume, hapësirë teknike, morgu, sterilizimet e pajisje, rëntgeni, garazh për autoambulancë dhe kuzhina qendrore. «Përveç këtyre do të jetë edhe administrata kryesore, laboratorët, barnatorja qendrore. Ndërsa në katin përdhes do të jetë departamenti i urgjencës dhe ambulancat specialistike. Në katin e parë do të jetë kirurgjia, gjinekologjia me neonatologji dhe pediatria. Në katin e dytë do të jetë reparti i urologjisë dhe ortopedia. Në katin e tretë do të jetë reparti i sëmundjeve të brendshme dhe reparti i hemodializës. Ndërkaq në katin e katërt do të jenë reparti për sëmundjet e kraharorit dhe kardiologjia dhe hapësira për pushim dhe rekreacion», ka sqaruar Kokollari.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se është lajmi më i mirë në 70 vitet e fundit për qytetarët e Ferizajt dhe rrethinës. «Po fillon realizimi i një projekti madhor që ishte ëndërr e qytetarëve të këtij rajoni për një shëndetësi të mirëfilltë dhe me kushte çfarë duhet t’i ketë mjekësia moderne», ka thënë Muharrem Svarqa.