Ministria e Jashtme kthen në Kosovë shumë diplomatë për t’i bërë posterëngjitës të PDK-së

Në vlugun e fushatës elektorale Ministria e Jashtme e Kosovës është shndërruar pothuaj në nëndegë të PDK-së. Rreth 10 diplomatë janë detyruar të kthehen në Kosovë - zyrtarisht gjoja për «konsultime», por faktikisht ata po shtegtojnë në lokalitetet e tyre të origjinës për të bërë fushatë për ministrin Enver Hoxhaj dhe partinë e tij.

Ilustrimi: Shutterstock



Se deri ku ka shkuar keqpërdorimi i resurseve dhe personelit shtetëror për t’i shërbyer Partisë Demokratike të Kosovës në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit, tregon shembulli i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ): Kabineti i ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj ka urdhëruar ditëve të fundit disa diplomatë të kthehen në Prishtinë gjoja për «konsultime». Në një email dërguar një diplomati në një shtet perëndimor nuk saktësohet se për çfarë konsultimesh bëhet fjalë. Diplomati vetëm urdhërohet të kthehet nga mesi i kësaj jave në Kosovë. Me kërkesa për kthim në Prishtinë janë ballafaquar edhe diplomatë të tjerë. As ata nuk e kanë të qartë se për çfarë konsultimesh janë kthyer në Kosovë.

Ndërkohë së paku tri burime nga MPJ kanë treguar se ditëve të fundit për «konsultime» në Kosovë janë kthyer diplomatë nga Vjena, Budapesti, Lubjana, Zagrebi, Berlini, Londra. Një kthim kaq masiv i diplomatëve zakonisht bëhet në rast të krizave të medha, të keqësimit të raporteve me shtetet përkatëse apo në prag të luftës. Asgjë nga këto nuk kanë ndodhur. Çfarë ka ndodhur është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe funksionarë të lartë të PDK-së, përfshirë edhe ministrin Hoxhaj, me sa duket nuk kanë asnjë skrupull në përdorimin dhe keqpërdorimin e personelit diplomatik në shërbim të PDK-së. Kjo parti, sipas burimeve në MPJ, është duke i shfrytëzuar edhe rreth 10 automjete të MPJ-së për të zhvilluar fushatë elektorale.

Disa diplomatë janë kthyer në Kosovë me arsyetimin se duhet të shfrytëzojnë pushimin deri në fund të qershorit, por është indikative se ata kanë insistuar të kthehen para zgjedhjeve të 11 qershorit dhe jo më vonë. Kthimi i diplomatëve në vlugun e fushatës elektorale ngrit dyshime se ata po angazhohen në fushatë elektorale në shërbim të PDK-së; një pjesë e diplomatëve ditëve të fundit janë parë edhe në lokalitetet e tyre të origjinës. Ministria e Jashtme ka injoruar pyetjet mbi angazhimin e diplomatëve në fushatën elektorale. Në mesin e diplomatëve të kthyer është së paku një që konsiderohet i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kthimi masiv i diplomatëve në Kosovë gjatë fushatës elektorale ka ngjallur pakënaqësi edhe në mesin e disa ambasadorëve, të cilët përpiqen ta kryejnë punën e tyre me profesionalizëm dhe me përgjegjësi. Është e çuditshme që për konsultime thirren në Kosovë diplomatë të rangut më të ulët dhe jo ambasadorët si shefa të misioneve.

Shndërrimi i diplomatëve në posterëngjitës të PDK-së para zgjedhjeve parlamentare nuk është skandali i vetëm i MPJ-së, e cila konsiderohet si njëra prej ministrive të menaxhuara më së dobëti. Sipas burimeve nga MPJ të cilat i referohen zyrës së prokurimit vetëm në tre muajt e fundit supozohet se MPJ ka anuluar bileta avioni në vlerë prej rreth 20 mijë euro. Gjithashtu burime nga shërbimet diplomatike tregojnë se ka raste kur diplomatë të papërgjegjshëm ua lënë veturat zytrare grave të tyre për përdorim në kryerjen e punëve të përditshme, siç është për shembull blerja e patateve apo hudhrave në treg. Në të kaluarën ka pasur raste edhe të anulimit të papritur të vizitave të politikanëve kosovarë në botën e jashtme, por shpenzimet për dhomat e hotelit ka qenë e shtyrë t’i paguajë administrata kosovare. Bëhet fjalë për mijëra euro të taksapaguesve të djegura si pasojë e papërgjegjësisë së politikanëve.