Ministria e Jashtme e Kosovës apo e Jemenit?

Mbi një biçim-konferencë të MPJ të Kosovës të mbajtur në një bujtinë në Prishtinë.

Foto: Shutterstock



Në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka organizuar njëfarë konference ndërkombëtare. Folësi kryesor i saj: një Nabil Ayad, i cili nuk ka asnjë meritë madhore për shtetndërtimin e Kosovës, për pavarësinë e saj jo se jo. Folës të tjerë të kësaj biçim-konference: aktivistë provincialë të partisë së pronarit të ri të MPJ-së dhe pronarit të hotelit. Dhe disa zyrtarë tërësisht të panjohur të një apo dy shteti perëndimor.

Ndoshta Martti Ahtisaari nuk ka mundur të vijë, por janë disa emra të tjerë që kanë bërë shumë për çlirimin e Kosovës. A janë ftuar ata? Duket se jo. Për shembull në 10 vjetorin e pavarësisë do të duhej të kishin marrë ftesa: ish-diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolf Scharping, ish-ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, ish-ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, shkrimtarja gjermane, Herta Müller, aktivistja për të drejtat e njeriut nga Beogradi, Sonja Biserko, disidenti dhe publicisti polak Adam Michnik. Ose Albert Rohani. Ose ndonjë nga gazetarët sllovenë që patën raportuar mbi grevën e minatorëve të Trepçës.

Kuptohet do të mund të ftoheshin edhe së paku nja 20 gazetarë perëndimorë që në vitet ’90 i kanë rënë Kosovës kryq e tërthor duke përshkruar vuajtjet e shqiptarëve nën terrorin serb. Vendin e tyre nuk mund ta zë Nabil Ayad, i cili mund të jetë njeri shumë i mirë, por me kaq mbaron muhabeti për të. Kur shteti dhe sidomos diplomacia bien në duar të njerëzve tërësisht pa vetëdije të zgjuar kombëtare dhe pa dije mbi historinë më të re të Kosovës, atëherë ndodhin këso skandalesh dhe konferenca e Ministrisë së Jashtme të Kosovës duket si të ishte një konferencë e Ministrisë së Jashtme të Jemenit.

Andaj në këso tubimesh në bujtina të Prishtinës u shtrohet qilimi i kuq figurave anonime dhe jo atij gazetarit që pasi raportoi për masakrat serbe në Rahovec, Serbia e shpalli persona non grata. Nuk ka vend në konferenca të tilla për gazetarin gjerman që edhe pas luftës zhvillonte beteja të ashpra kundër provokatorëve publicistikë në Gjermani, të cilët e akuzonin ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes Rudolf Scharping se «me një rrenë» e kishte nisur luftën kundër Serbisë. Nuk ka vend për gazetarin tjetër zviceran, i cili po ashtu u shpall persona non grata nga regjimi i Millosheviqit pasi në një editorial kishte kërkuar që Kosova të bëhet republikë.

Dhe ndoshta është më mirë që njerëz të tillë janë harruar, më mirë që nuk ftohen, sepse po të shihnin se në ç’gjendje e kanë katandisur vendin tyxharët politikë të Kosovës, me siguri do të dëshpëroheshin shumë. Privatizimi i ministrive, nepotizmi, mentaliteti parashtetëror prodhojnë këso rezultatesh. Dhe këto rezultate, siç ishte biçim-konferenca e sotme, tregojnë sa shumë Kosova e ka harruar historinë e vet dhe njerëzit që i kanë ndihmuar të shpëtojë nga terrori i Beogradit. Nëse politikë zyrtare bëhen broçkullat e stilit «Serbia nuk ka nevojë ta pranojë Kosovën», atëherë edhe konferenca si kjo e sotme i përshtatet nivelit tashmë të instaluar në diplomaci që i ngjan një ecjeje nëpër mjegull, pa koncept, pa ide, pa rend e pa prioritete. Nuk është rastësi që klasa politike e Kosovës sot për sot nuk merret fare seriozisht në kryeqytetet më të rëndësishme të botës perëndimore. Pse të çuditemi, kur sjelljet e politikanëve tanë u ngjajnë atyre të diktatorëve afrikanë, të cilët i stolisnin edhe qentë e tyre me diamante.