Ministria e Drejtësisë kërkon marrëveshje për mësim në burgun e Lipjanit

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga Komuna e Lipjanit që të zgjidhet çështja e mësimit në burgun e Lipjanit.




Pak ditë më parë Koha Ditore pati njoftuar se Komuna e ka pezulluar mësimin në Qendrën Korrektuese me arsyetimin se MASHT-i nuk lejon norma të veçanta për nxënësit në burg, ndërsa kjo komunë e ka të pamundur të dërgojë punëtorë arsimorë atje në këtë situatë.

Por, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, sërish ka këmbëngulur se përderisa MASHT-i nuk lejon norma të veçanta zgjidhja është e vështirë. Ai ka ripërsëritur se kjo është një problematikë me të cilën Komuna që drejton është ndeshur gjatë gjithë vitit.

Ndërkohë që, Alush Istogu, drejtor në Departamentin e zhvillimit të arsimit parauniversitar në MASHT, ka lënë hapur mundësinë që kjo çështje të rregullohet ndërkohë.