Ministri serb polemikë me ambasadorin amerikan për kriminelët e luftës

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandër Vulin sulmoi ambasadorin amerikan në Beograd pasi diplomati e kritikoi atë për vlerësimin publik që bëri për dy kriminelë të dënuar lufte.

Aleksandar Vulin | Foto: Millosh Mishkov/Beta



Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, të mërkurën kundërshtoi kritikat nga ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, i cili tha se përkrahja e Vulinit për kriminelët e dënuar të luftës Vladimir Lazareviq dhe Nikola Shainoviq mund të dëmtojë përpjekjet për të përmirësuar imazhin e Serbisë.

«Jam i habitur që ambasadori nuk shikon mundësinë e dëmtimit të imazhit apo të kërcënimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nga fakti që ish-gjenerali kroat Ante Gotovina është këshilltar në qeverinë kroate apo në lirimin nga akuzat të ish-komandanit boshnjak në Srebrenicë, Naser Oriq», tha Vulin.

Si Gotovina ashtu edhe Oriq u liruan nga akuzat për krime lufte kundër serbëve.

Kritika e ambasadorit amerikan për Vulinin erdhi pasi ministri foli në një tubim të ish-ushtarëve të Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave të shtunën e kaluar.

Në tubim morën pjesë kriminelët e dënuar të luftës Vladimir Lazareviq, ish-shefi i shtabit të Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave dhe Nikolla Sahinoviq, ish-zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, të cilët u rikthyen në Serbi pasi vuajtën dënimet e tyre.

Vulin tha në fjalën e tij se Serbia nuk do të turpërohet më nga ata që «e mbrojtën» dhe se ka ardhur koha që «të jemi krenarë» për këtë.

Një raport i Associated Press mbi eventin që u ripublikua nga gazeta e përditshme Washington Post në SHBA, tha se komentet e Vulinit «tregojnë sfidën në rritje të Serbisë ndaj Perëndimit».

Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, tha në një përgjigje se Washington Post është «një gazetë amerikane që promovon veprimet kriminale të NATO-s».

Ambasadori amerikan Scott ripostoi në Twitter artikullin e Washington Post, duke komentuar se muaj të tërë punë për të përmirësuar imazhin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara mund «të dëmtohen nga një deklaratë e vetme».

Duke iu përgjigjur Scott-it, ministri Vulin tha se Serbia «nuk shkaktoi luftërat» në ish-Jugosllavi dhe se ish-gjenerali Llazareviq tani është «një njeri i lirë».

«Mos duhet të lavdëroj bombardimin që NATO bëri në Jugosllavi dhe të kërkoj të justifikoj shkëputjen e Kosovës? Nuk di ndonjë ushtri që do ta denonconte gjeneralin Llazareviq dhe do t’i vinte turp nga ai dhe sigurisht që s’do të më vijë as mua turp», tha Vulin.

Kjo s’është hera e parë që autoritetet aktuale serbe kanë shprehur admirim për kriminelët e luftës.

Ish-koloneli i Ushtrisë Popullore Jugosllave, Vesellin Shljivançanin, i cili u dënua nga Gjykata e Hagës për përgjegjësinë për masakrën e Vukovarit të vitit 1991, ka qenë folës në eventet e organizuara nga Partia Progresive në pushtet të Presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Libri i Shljivançanin, i titulluar «Në shërbim të atdheut», gjithashtu është planifikuar të promovohet në një event që do të mbahet në Beograd të premten, gjë e cila u dënua nga grupi i aktivistëve Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

«Në ditët kur kriminelët e luftës si Llazareviqi dhe Shainoviqi po nderohen nga lidershipi shtetëror, institucionet serbe dhe ato të Beogradit po hapin përsëri vend për një kriminel lufte të dënuar», tha në një deklaratë Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, Vlladimir Llazareviq u prit si hero kur u kthye në Serbi pasi kreu dënimin e tij me burg.

(BIRN)