Ministri rus thotë se Gjykata e Hagës «duhet të mbyllet»

Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov tha se gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi duhet të ishte mbyllur kohë më parë, sepse ajo është e njëanshme kundër serbëve.

Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov. Foto: Wikimedia/Departamenti amerikan i shtetit.



Sergej Lavrov tha të hënën se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, duhet të ishte mbyllur pasi ajo «ka vërtetuar paragjykimin dhe njëanshmërinë e saj», njoftoi agjencia ruse e lajmeve Sputnik.

«Për mendimin tim, rreth 80 për qind e rasteve atje janë nisur kundër serbëve. Çështjet që janë nisur kundër kombësive të tjera shpesh kanë dështuar», tha Lavrov në Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve në qytetin rus të Soçit.

Lavrov veçoi rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ramush Haradinaj, tani kryeministër i Kosovës, i cili u lirua nga akuzat për krime lufte nga ICTY në vitin 2012.

Ai këmbënguli që Haradinaj nuk duhet të ishte liruar nga akuzat.

«Të gjithë dëshmitarët e ftuar ose mungonin ose nuk pranuan të dëshmonin», tha ai.

Deri më tani ICTY ka dënuar 83 vetë, kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina, një përqindje e konsiderueshme e të cilëve janë serbë të Bosnjës.

Në shkurt 1993, Rusia votoi për rezolutën 808 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila themeloi gjykatën ndërkombëtare për të gjykuar njerëz për krime lufte të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

ICTY-ja pritet të mbyllet në fund të këtij viti, por Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, do të përfundojë çështjet e mbetura.

Rusia abstenoi në votimin në dhjetor 2010 për Rezolutën 1996 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila vendosi se duhej të krijohej MICT.

Kjo s’është hera e parë që Lavrov bën thirrje për mbylljen e ICTY-së.

Në prill 2016, ai e përshkroi Gjykatën e OKB-së si «të politizuar», duke e mbrojtur përsëri argumentin e tij me shembullin e lirimit nga akuzat të Haradinajt.

ICTY ishte gjykata e parë e krimeve të luftës e krijuar nga Kombet e Bashkuara dhe gjykata e parë ndërkombëtare për krimet e luftës që prej gjykatave të Nurembergut dhe Tokios. Për më shumë se dy dekada, ajo ka dëgjuar pothuajse 5,000 dëshmitarë dhe ka mbajtur rreth 11,000 gjyqe.

ICTY ngriti padi kundër 161 personave, shumica e të cilëve ishin zyrtarë të rangut të lartë në shtet, ushtri apo aparatin e policisë.

Ajo do të hyjë në histori si gjykata e parë që akuzoi një kryetar shteti për gjenocid dhe krime të tjera, edhe pse ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq nuk jetoi mjaftueshëm gjatë për të dëgjuar vendimin e tij, pasi ai vdiq në vitin 2006 para përfundimit të gjyqit të tij.

(https://www.reporter.al/ministri-rus-thote-se-gjykata-e-hages-duhet-te-mbyllet/)