Ministri Murati vizitoi kompani të diasporёs në Kosovë

Sot, ministri i Diasporës Valon Murati i vizitoi kompaninë «M-Technology»(MABETEX), kompaninë «Stone Castle» dhe «Kosova Wine», të cilat merren me prodhimin e verës, si dhe kompaninë “LAMI GLASS”, e cila prodhon dritare nga plastika.




Pronarët e këtyre kompanive e njohën ministrin Murati me veprimtarinë e tyre dhe procesin e punës, por edhe për sukseset në punën e tyre. Ata theksuan se njё pjesё e madhe e produkteve tё tyre eksportohet jashtë vendit, njofton kumtesa ministrore.

Por, udhëheqësit e këtyre kompanive i shprehën edhe shqetësimet për infrastrukturën jo të mirë, për kushtet jo të favorshme, si dhe për problemet që u paraqiten gjatё punёs sё tyre. Ata thanë se shteti duhet t’i stimulojë më shumë, duke u krijuar lehtësira në investimet që i bëjnë, si dhe të trajtohen si burim i zhvillimit ekonomik, transmeton Koha.net.

Murati, duke i përgëzuar për punën që bëjnë, theksoi se Qeveria, përkatësisht MeD po bën përpjekje qё t’i përmirësojë kushtet për të bërë biznes.

Ai i njoftoi pronarët e këtyre kompanive se MeD është anëtare e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, në kuadër të të cilit është krijuar një mekanizëm -grup i punës për tërheqjen e investimeve nga jashtë, që udhëhiqet nga vetë ministri.