Ministri Murati takon bashkatdhetarët në Irlandë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Irlandës, ministri i Diasporës, Valon Murati takoi një grup të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Irlandë.




Gjatë takimi Murati i informoi bashkatdhetarët për punën e Ministrisë së Diasporës, procesin e hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës, mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë si dhe projektet e krijimit të rrjeteve të bizneseve, të rinjve dhe studentëve, njofton kumtesa ministrore.

Ai po ashtu i informoi bashkatdhetarët për takimet të cilat i ka pasur me përfaqësuesit e lartë të politikës irlandeze duke u shprehur i inkurajuar me mesazhet e marra nga ta për vendosjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në të mirë edhe të komunitetit shqiptar në Irlandë por edhe shtetit të Kosovës, dhe theksoi që shembulli i raportit të diasporës irlandeze me vendin e tyre është një model që duhet ndjekur, transmeton Koha.net.

Nga ana tjetër, bashkatdhetarët tanë u shprehën të kënaqur me vizitën e ministrit Murati në Dublin, edhe përkundër faktit që shqiptarët në Irlandë janë të shpërndarë në më shumë qytete, në veçanti në jug të Irlandës. Ata si kërkesë të rëndësishme e shtruan edhe nevojën e organizimit të bashkatdhetarëve në Irlandë nëpër shoqata të shqiptarëve pasi që një gjë e tillë mungon në Irlandë.