Ministri kroat i akuzuar për plagjiaturë propozon ligj që lehtëson penalitetet

Lëvizja e ministrit kroat të arsimit, Pavo Barishiq për të çuar përpara një ligj që lehtëson penalitetet për personat e gjetur fajtorë për plagjiaturë ka tronditur shumë akademikë në vend.

Pavo Barishiq. Foto: Beta



Propozimi i një ligji të ri në fushën shkencore dhe në arsimin e lartë në Kroaci, i cili u lejon personave që kanë bërë plagjiaturë në kërkimet shkencore të mbajnë statusin e tyre akademik, ka zemëruar pjesëtarë të shquar të bashkësisë akademike të Kroacisë.

Ligji i ri, që aktualisht po debatohet është kërkuar nga Ministri i Shkencës dhe Arsimit, Pavo Barishiq – i cili ka pasur edhe vetë probleme me dyshimet për plagjiaturë.

Ndërsa ligji aktual i detyron plagjiaturat ta dorëzojnë statusin e tyre akademik, ligji i ri do t’i lejojë ata ta mbajnë statusin me leje të fakultetit apo institucionit – si një mënyrë e rritjes së autonomisë së institucioneve.

Vlatko Silobrçiq, ish-kreu i komitetit të etikës brenda agjencisë shtetërore për shkencën dhe arsimin e lartë – organi më i lartë shtetëror që monitoron vlerat etike në shkencë – thotë se ideja është e tmerrshme.

«Katastrofë. Nuk keni përse më pyesni mua», i tha ai BIRN-it duke shpjeguar se kjo me gjasa do të dukej si një lëvizje për të mbrojtur ata që bëjnë plagjiaturë, «edhe pse në pamje të parë mund të mos duket e tillë».

«Duket sikur vendimi i jepet fakultetit ose institucionit», tha ai, por në përvojën time… këto nivele më të ulëta [të fakulteteve ] janë absolutisht të prirur ndaj korrupsionit dhe të gjitha të këqijave të lidhura me klientelizmin dhe konfliktet e interesit».

«Është vërtet e tmerrshme», ra dakord Tomislav Pletenaq, një profesor i etnologjisë dhe antropologjisë në Fakultetin e Shkencave të Zagrebit.

«Është veçanërisht e tmerrshme për shkak se ofron mundësinë që dikush që ka bërë plagjiaturë t’i jepet mundësia të qëndrojë në shkencë dhe të mbajë statusin shkencor», shtoi ai.

«Nëse një gjë e tillë zbatohet, tregon gjendjen e shoqërisë sonë akademike dhe shoqërisë sonë në përgjithësi», tha ai për BIRN.

Siç shpjegoi Pletenaq, propozimi gjithashtu ul pjesëmarrjen e studentëve në proceset vendimmarrëse në universitete, si dhe lejon personat mbi 65 vjeç të mbajnë poste të larta akademike – një lëvizje që besohet gjerësisht të jetë hartuar për të mbajtur rektorin e Universitetit të Zagrebit Damir Boras, i cili është 65 vjeç.

Silobërçiq dha dorëheqjen në dhjetor, pasi komisioni zbuloi se Barishiç kishte bërë plagjiaturë në një pjesë të kërkimit të tij shkencor, duke pretenduar se sistemi ishte «i pafuqishëm për të luftuar plagjiatorët».

Në atë kohë, ai i tha BIRN-it se një arsye për dorëheqjen e tij ishte «pamundësia për të zgjidhur çështjen e ministrit Barishiq».

Në shkurt, deputetët e opozitës paraqitën një mocion mosbesimi ndaj Barishiqit, por ai qëndroi ministër pasi shumica e deputetëve e mbështetën atë.

Universiteti i Augsburgut në Gjermani po shqyrton aktualisht tezën e doktoraturës së Barishiqit pasi ai u raportua për auto-plagjiaturë – duke cituar punën e tij pa e referuar atë.

Mendohet se Barishiq tani po përpiqet të ndryshojë ligjin përpara se Universiteti i Augsburgut të vendosë për rastin e tij – gjë që Barishiq e mohon.

(https://www.reporter.al/ministri-kroat-i-akuzuar-per-plagjiature-propozon-ligj-qe-lehteson-penalitetet/)