Ministri i Trumpit fiton nga bizneset në Rusi

EKSKLUZIVE - Dokumentet sekrete nga oazat tatimore tregojnë se ministri amerikan i tregtisë përfiton nga një firmë e lidhur me familjen e Vladimir Putinit. «Letrat e Parajsës» zbulojnë po ashtu se nga kompanitë offshore fitojnë para ose kursejnë tatime edhe kompani të mëdha si Apple dhe Nike – si dhe disa shtetas të Serbisë.




Më shumë se 13 milionë dokumente, të cilat kanë rrjedhë nga dy kompani që ofrojnë shërbime offshore dhe 19 regjistra tregtarë dëshmojnë për mënyrën se si bëjnë biznes bashkëpunëtorët më të ngushtë të liderëve botërorë si Donald Trump (SHBA), Justin Trudeau (Kanada), Petro Poroshenko (Ukrainë), Mbretëresha angleze Elizabeth, por edhe kompanitë Nike, Apple, Microsoft. Në dokumente gjendet edhe emri i një ministri serb. Emrin e tij do ta bëjë publik të hënën rrjeti i gazetarisë hulumtuese KRIK nga Beogradi. Dokumentet delikate i janë dorëzuar gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung», e cila i ka ndarë me Konzorciumin Ndërkombëtar të Gazetarisë Hulumtuese (ICIJ). Në hulumtim kanë marrë pjesë më shumë se 380 gazetarë në 67 shtete.

Siç shkruan «Süddeutsche Zeitung» ministri amerikan i tregtisë Wilbur Ross përfiton si person privat nga bizneset me një firmë, e cila i takon dhëndrit të presidentit rus Vladimir Putin dhe biznesmenëve të afërt me Kremlinin. «Zbulimi mund të shtojë edhe më shumë presionin kundër qeverisë së presidentit Donald Trump; një hetues special është duke gjurmuar qe disa muaj mbi kontaktet mes ekipit të Trumpit dhe Moskës», nënvizon «Süddeutsche Zeitung». Në dokumente gjenden emrat e më shumë se 120 politikanëve nga 50 shtete, mes tyre figura shumë të pasura, yje të muzikës, sportistë, biznesmenë dhe 14 këshilltarë, donatorë dhe anëtarë të kabinetit të presidentit Trump. Në dokumente ka të dhëna edhe mbi praktikat për shmangien e tatimit, të cilat përdoren nga firmat e mëdha si Nike dhe Apple.

«Letrat e Parajsës» (Paradise Papers) tregojnë se investitori i njohur rus Juri Milner me rastin e investimit në ndërmarrjet e mediave sociale si Twitter dhe Facebook është pajisur me qindra milionë dollarë nga Kremlini. Twitter dhe Facebook po ballafaqohen me kritika të ashpra për shkak se nuk kanë ndërmarrë masa të duhura për të penguar ndikimin e palës ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

«Letrat e Parajsës» i janë dorëzuar «Süddeutsche Zeitung» ashtu si «Panama Papers» në vitin 2016 – me një dallim: më 2016 dokumentet erdhën nga një shtet, tani ato burojnë prej shumë shteteve. Një kompani e shërbimeve offshore është ankuar se ka qenë e sulmuar nga hakerët. Gazeta gjermane njoftoi se dokumentet i ka siguruar në mënyrë legale. Në hulumtim kanë marrë pjesë edhe media të fuqishme si New York Times, Guardian, BBC dhe Le Monde. Në dokumente përmenden edhe administratorët e pasurisë së Mbretëreshës angleze Elizabeth dhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit të Kanadasë Justin Trudeau. Po ashtu përmendet edhe Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s për Europë, i cili viteve të fundit ka qenë aktiv në Kosovë dhe në Shqipëri në përpjekje për të investuar.

Prodhuesi i artikujve të sportit NIKE dyshohet se ka ndërtuar së pari në Bermuda, pastaj në Holandë një sistem, i cili i mundësoi këtij koncerni të kursejë miliona tatime jashtë SHBA-së. Apple, ndërmarrja më e vlefshme në botë tani për tani, sipas postës elektronike kishte kërkuar një vend ku nuk do të paguante fare tatime. Një sërë dokumentesh ngjallin dyshimin se firma zvicerane Glencore mund të ketë paguar ryshfet për një marrëveshje për të blerë metale në Afrikë. Dyshohet se Republika Demokratike e Kongos i ka humbur disa qindra miliona dollarë në bizneset me xehe. Glencore dhe një biznesmen izraelit i përzier në pazar hodhën poshtë akuzat.