Ministri i Punëve të Jashtme të Shumadisë

Se deri ku janë në gjendje ta poshtërojnë vendin komandantët e UÇK-së tregon gatishmëria e tyre që për të qëndruar në pushtet t'i japin postin e ministrit të Jashtëm një personi totalisht të papërgjegjshëm dhe të padenjë për post publik.

Ilustrimi: Shutterstock



Kur «Mister Bzzzzzzzzzz» tha se e ka parë Josip Broz Titon cullak, mileti qeshi, nuk e mori aq seriozisht. Mbështetësit e tij thanë se me këtë ka dashur t’u tregojë shqiptarëve se fati i tij ka qenë i shkruar që herët për të qenë pranë njerëzve të pushtetshëm. Pranë njerëzve si Titoja, i cili udhëtonte nga tri javë me anijen e tij Galeb nëpër Afrikë, i cili e priste aktoren Sophia Loren në ishujt Brijuni, ku ia shikonte duart delikate duke qëruar dardha.

A nuk po udhëton edhe «Mister Bzzzzzzzzzz» me avionin e tij nëpër dynja dhe a nuk po shtyhen komandantët e UÇK-së për të zënë vend në kolltukët e lëkurës së fluturakes së «Mister Bzzzzzzzzzz»? Të gjitha këto skena mund të injorohen si pjesë e gallatës primitive politike të Kosovës.

Por, a duhet të injorohet nga partitë politike, nga opozita, nga shoqëria civile parada krejt absurde e një personi që është, për fatin e zi të Kosovës, shef i diplomacisë, ministër i Jashtëm? Ky nuk po flet për modelin e ndonjë fasade në stepat e Kaukazit, por po deklarohet si zyrtar i shtetit, sepse i tillë është, të tillë e kanë bërë komandantët e UÇK-së, të shndërruar në politikanë, ata që për pushtet janë në gjendje të bëjnë gati çdo gjë, për shembull të emërojnë në poste të rëndësishme persona të papërgjegjshëm dhe të padenjë.

A duhet të heshtin të gjitha partitë kur «Mister Bzzzzzzzzzz» u thotë mediave të Beogradit se nuk duhet të ekzistojë fare kufi mes Kosovës dhe Serbisë? «Koha Ditore» e citoi me këto fjalë: «Ka shumë nevojë për paqe ndërmjet popujve tanë. Ata dikur kanë jetuar bashkë dhe shoh tendencë se ata duan të jetojnë sërish së bashku. Në vend që të vendosim kufij ne duhet t’i heqim ata».

Se a ka agjendë proserbe ky person i futur në skenën politike të Kosovës nuk dihet me saktësi, por një gjë është e qartë: në deklarimet e tij destruktive ai është konsekuent. Kur zhvilloheshin bisedimet për statusin e Kosovës në Vjenë, «Mister Bzzzzzzzzzz» tha se me Serbinë nuk duhet të bisedohet as në Vjenë, as në Bruksel, por në Krushevc, bile pa ndërmjetësim ndërkombëtar. Për serbët Krushevci ka një simbolikë historike: më 1371 Lazar Hrebelanoviqi e shpalli këtë vendbanim kryeqytet të principatës së tij dhe më 1389 këtu ai i mblodhi luftëtarët e tij për të marshuar drejt Kosovës, ku do të luftonte kundër osmanëve.

Gazeta e Zagrebit «Veçernje novosti» pak ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë, e citoi «Mister Bzzzzzzzzzz» me këto fjalë: «Za njega je Srbija još majka Kosova, nažalost, zla majka». Domethënë: «Për të Serbia ende është nënë e Kosovës, për fat të keq, nënë mizore». Sipas gazetarit që ka zhvilluar intervistën, këtë deklaratë «Mister Bzzzzzzzzzz» nuk e ka demantuar kurrë. Ajo edhe sot mund të gjendet e plotë në webfaqen e gazetës kroate. Në serinë e deklaratave skandaloze hyjnë edhe tituj të mediave serbe të afërta me UDB-në, të cilat e citojnë «Mister Bzzzzzzzzzz» të ketë thënë: «Sudbina regiona je u rukama Beograda» (Fati i rajonit është në duart e Beogradit) dhe «Kosovo ne moze bes Srbije» (Kosova nuk mundet pa Serbinë).

Një kapitull i veçantë është konfuzioni që ky njeri ka shkaktuar me vite të tëra me njohjet e Kosovës nga shtete afrikane, të cilat më vonë kanë rezultuar si të pavërteta. Sipas «Kohës ditore» të datës 3 nüentor 2017 «Mister Bzzzzzzzzzz» në kompensim të njohjes «kishte ofruar inventar dhe kompjuterë presidentit të rrëzuar me grusht-shtet në Mali, ndërkaq në Nigeri kishte firmosur një dokument ku zotohej për investime në vlerë prej 1.6 miliardë dollarësh amerikanë. Që nga viti 2011-2012 kur ishin prezantuar si njohje, MPJ-ja nuk ka dëshmuar asnjëherë notat verbale të këtyre shteteve».

Përralla rreth takimit me kryeministrin e Marokut, ngarendja pas Donald Trumpit për t’ia kapur dorën, sjellja si në kafehane ballkanike përballë kryeministres serbe janë shembuj të radhës të konsistencës së neveritshme me deklarata, gjeste e parada të «Mister Bzzzzzzzzzz» që Kosovën e bëjnë të duket vend qesharak përballë botës.

Kurrë Kosova më keq nuk është përfaqësuar në botën e jashtme. Për aq kohë sa mund të kalojë ca çaste në Shëngjin në jahtin e «Mister Bzzzzzzzzzz», presidenti i Kosovës nuk shqetësohet për asgjë. Për aq kohë sa mund të fluturojë nga Tirana në Bruksel me avionin e «Mister Bzzzzzzzzzz», kryeministri i Kosovës është i lumtur. Kaq është ambicia e tyre tani. Por, a ka ky popull ndonjë ambicie? A mund të tolerojë jo shoqëri që postet më të rëndësishme të shtetit t’i marrin njerëz pa gati asnjë votë dhe me një a dy deputetë në parlament? Deri kur do të durohet ky poshtërim publik i Kosovës anekënd botës? Pyetje për Ramush Haradinajn, të cilat ai refuzon t’i dëgjojë. Por, një ditë as ai nuk do të mund t’i shmanget pyetjeve të pakëndshme, sepse të vërtetat e tjera do të dalin në shesh.