Ministri i Jashtëm kroat: «Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa të çlirohet nga virusi agresiv serbomadh!»

Miro Kovaç ka kritikuar politikën agresive serbe kundër Kroacisë.

Miro Kovaç.

Në një postim në profilin e tij në Facebook ministri i Jashtëm i Republikës së Kroacisë, Miro Kovaç, i është përgjigjur ashpër deklaratave të politikanëve serbë në lidhje me gjenezën e konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Kovaç ka shkruar se Beogradi ende nuk është «çliruar nga virusi agresiv serbomadh dhe nga rendi komunist jugosllav». Sipas tij, Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian nëse nuk çlirohet nga kjo barrë. Kovaç ka kritikuar «ligjëratat» nga Beogradi të atyre që janë në pushtet dhe «në vitet ’90 të shekullit të kaluar kanë qenë pjesë e pushtetit apo/edhe parive sunduese, kur nga Beogradi janë nisur luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, luftëra pushtuese të cilat Beogradi i ka humbur njërën pas tjetrës».

Ministri i Jashtëm kroat ka shkruar më tutje se në vend se të ballafaqohet me përgjegjësinë e saj për nxitjen e luftërave, për qindra-mijëra viktima dhe ekzistenca të shkatërruara, Serbia qëllimisht po përhap ndjenjat hakmarrëse, po e nxit popullin serb kundër popujve të tjerë dhe po e pengon që në aspektin afatgjatë të vendosë bashkëpunim të mirë fqinjësor në frymën europiane.

Kovaç ka kritikuar ashpër kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, i cili më 4 gusht në Zemun, me rastin e «Ditës së kujtimit për vuajtjet dhe dëbimin e serbëve», në fjalimin e tij e quajti aksionin kroat «Shtrëngata» («Oluja»), me të cilën Kroacia çliroi territorin e saj të okupuar, «zgjidhje përfundimtare kriminale». Me atë rast Vuçiq përmendi shumë sy të nxjerrë serbë, shumë veshë dhe hundë të prera serbe, por, siç shkruan Kovaç, kryeministri serb nuk theksoi se bëhej fjalë për territor të shtetit kroat, për përndjekjen e qindra-mijëra kroatëve, për vrasjen dhe torturimin e shumë kroatëve.

«A është kjo retorikë, a janë këto metafora që çojnë në marrëdhënie të mira fqinjësore? A është kjo retorika me të cilën Serbia mendon të hyjë në BE? Serbia nuk do ta gjejë fatin e saj me fjalor të tillë, me ideologji të tillë, me qasje të tillë (…) Kështu Serbia nuk do të hyjë kurrë në BE». (-lli)