Ministri Hyseni akoma s’e ka takuar Shishanin

Fitim Shishani, Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, ka qenë i ftuar në emisionin Puls të KTV-së ku ka treguar se në vitin 2014 kanë pasur rreth 300 policë që kishin lajmëruar kolegët e tyre në IPK.




«Ankesat më të mëdha të qytetarëve kundër Policisë së Kosovës janë shkeljet në trafik, plagosjet e lehta, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, korrupsioni e të tjera», ka thënë Shishani.

Ai po ashtu ka thënë se IPK-ja ka suspenduar Shefin e Sektorit të Operativës në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, Isak Ejupi dhe ndaj tij është bërë kallëzim penal.

Shishani po ashtu për herë të parë ka pranuar se MPB-ja ka dërguar auditimin për të gjitha gjërat, por thotë se IPK-ja ka nevojë të monitorohet.

Ai shtoi se komisionet në IPK vendosin nëse do të rikthejnë zyrtarët e suspenduar dhe nuk është gjithçka në dorën e tij. «Ne kemi instrumente në kuadër të IPK-së ku vendosin se a është mirë për kredibilitetin e IPK-së që të kthehen këta persona apo jo», ka thënë ai.

Shishani ka pranuar se janë suspenduar dy policë për shkak të një incidenti që ka ndodhur në mes të dy policëve në detyrë dhe pronarit të Universitetit Juridica.

Shefi i IPK-së ka thënë se akoma nuk është takuar ma ministrin e brendshëm Skënder Hyseni, por thotë se për këtë ka kohë akoma.

Në pyetjen se a është e mundur që një profesor universitar të bëjë 119 gabime drejtshkrimore në 13 rreshta të shkruar, Shishani ka pranuar duke thënë «se kjo është burrni që të pranohet».