Ministrat serbë zemërohen nga deklarata e Zaev për nacionalizmin

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka tërhequr një reagim të zemëruar nga ministrat serbë pas intervistës së tij në media ku ai e cilësoi kryeministrin serb nacionalist.

Zoran Zaev. Foto: Beta/AP/Boris Grdanoski



Ministrat e qeverisë serbe kanë kritikuar liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev i cili tha se lidershipi i Serbisë ishte nacionalist, duke e akuzuar atë se i merr udhrat nga Shqipëria.

«Serbia është nën udhëheqjen nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit, i cili e promovoi veten si një udhëheqës rajonal, por sapo u kërcënua karriera e tij politike, i zbuloi pozicionet e tij nacionaliste», tha Zaev për gazetën serbe Kurir të mërkurën.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç e përshkroi deklaratën e tij si një «sulm brutal dhe skandaloz» ndaj kryeministrit Vuçiq dhe qeverisë së tij.

«Pse Zaev sulmoi Vuçiqin në vend të [kryeministrit shqiptar] Edi Rama dhe [presidentit të Kosovës Hashim] Thaçi?», pyeti ai.

«Ai e di se koncepti i Shqipërisë Etnike nuk është i plotë pa [kryeqytetin maqedonas] Shkupin», tha Daçiq në një deklaratë për Tanjug, agjencinë shtetërore të lajmeve në Serbi.

Ministri serb i punës Aleksandar Vulin ndërkaq pyeti nëse «sulmi» i Zaev ndaj Vuçiqit ishte ideja e tij, ose nëse ishte «udhëzuar nga Rama, Thaçi ose [kryetari i parlamentit] Talat Xhaferi».

Partia qeverisëse VMRO DPMNE e Maqedonisë e ka akuzuar Zaevin se ka rrezikuar sovranitetit e vendit duke pranuar disa kërkesa të vendosura nga partitë shqiptare etnike të Maqedonisë, si është zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë dhe Kosovën – kurrë në kushte të mira – kohët e fundit u përkeqësuan kur Rama dhe Thaçi u shprehën se dy vendet mund të formojnë një bashkim nëse BE-ja i kthen Ballkanit kurrizin.

Akuzat e VMRO DPMNE kundër Zaevit kanë bërë gjerësisht jehonë në mediat serbe, të cilat e akuzojnë Shqipërinë dhe shqiptarët etnikë në Maqedoni se kërkojnë shkatërrimin e Maqedonisë, terrorizëm dhe krijimin e një «Shqipëri Etnike» me ndihmën e Perëndimit.

Mbështetësit e VMRO DPMNE-së sulmuan parlamentin e Maqedonisë të enjten e kaluar për të parandaluar zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov ka bllokuar formimin e një qeverie të re koalicioni të drejtuar nga Social Demokratët që nga 1 marsi, kur refuzoi t’i jepte atij një mandat pavarësisht mbështetjes së shumicës.

(https://www.reporter.al/ministrat-serbe-zemerohen-nga-deklarata-e-zaev-per-nacionalizmin/)