Ministrat e BDI-së: shumë emra të vjetër për detyra të reja

Ish-ministra nga kabinetet e mëparshme të Branko Cërvenkovskit dhe Nikola Gruevskit, kryetarë aktualë të komunave dhe ish-kryetarë komunash, ish-deputetë dhe vetëm dy emra të rinj do të jenë ministra në qeverinë reformatore të Maqedonisë të drejtuar nga Zoran Zaevi. Në kabinet do të ketë dy poste edhe Aleanca për Shqiptarët. Lëvizja Besa ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkohet kësaj qeverie.

Selia e Qeverisë së Maqedonisë në Shkup. Foto: Shutterstock



Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka bërë publik të shtunën gjatë natës emrat e ministrave në kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga mandatari Zoran Zaev. Pjesa më e madhe e tyre janë funksionarë të vjetër, të cilët më shumë se 10 vite kanë mbajtur poste të ndryshme si në legjislativ ashtu edhe në pushtetin ekzekutiv, si dhe ish-kryetarë komunash.

Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është shkrirë dhe tani do të ketë një zëvendëskryeministër «për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve». Këtë detyrë do ta marrë Hazbi Lika, ish-ministër dhe ish-kryetar i Komunës së Tetovës në mandatin 2005-2009. Zëvendëskryeministër për integrime europiane do të jetë ish-ministri i shëndetësisë, Bujar Osmani, aktualisht zëdhënës i BDI-së.

Përveç tij, nga kuadrot e vjetra në ekzekutiv kthehet Sadulla Duraku, si ministër i ambientit. Duraku ka qenë fillimisht zëvendësdrejtor i Doganave të Maqedonisë, më pas ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit me Ujëra, deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe në dy mandatet e fundit (2009-2017) kryetar i Komunës së Likovës. Ish-kryetari i Komunës së Strugës në dy mandate (2005-2013), Ramiz Merko, do të jetë ministër për investime të huaja. Në mandatin paraprak Merko ishte deputet i BDI-së në Kuvendin e Maqedonisë.

Asnjë nga ministrat e rinj të Qeverisë teknike që aktualisht kanë mbajtur postet, nuk do të jenë në Qeverinë e re. Edhe pse ata u sollën si freski në Qeverinë e kaluar teknike dhe u tha se do ishin pjesë e reformës brenda kësaj partie, BDI i ka lënë që të gjithë pa poste në ekzekutiv. Në Qeverinë e re të drejtuar nga Zoran Zaev do të ketë vetëm dy emra të rinj të nominuar nga BDI, por asnjëri prej tyre nuk kanë qenë në kabinetin e tanishëm teknik. Dy emrat e rinj janë: Bylent Salihu, anëtar i kryesisë qendrore të BDI-së nga Gostivari, do të jetë ministër i Drejtësisë. Salihu ka qenë drejtor i Inspektoratit te Drejtoria e Pyjeve. Kreshnik Bekteshi nga dega e Kërçovës është nominuar për ministër të Ekonomisë. Bekteshi ka mbaruar studimet në Sheffield të Britanisë së Madhe, ndërsa ka punuar si promotor ekonomik në Bruksel.

Duarbosh duket që nuk do të ngelin as kryetarët e tjerë të komunave të udhëhequra nga BDI. Ish-kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili javë më parë konfirmoi se nuk do të rikandidojë për kreun e kësaj komune, pritet të marre post drejtori. Këtë e ka bërë me dije edhe vetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve. «Zotëri Mexhiti nuk kandidon dhe nuk ka shfaqur ndonjë interesim për të qenë në kabinetin e radhës, do të jetë kryetar komune deri në fund të mandatit, dhe pas përfundimit të mandatit ai është nënkryetar i BDI-së, dhe do të vazhdoj funksionin brenda partisë, dhe brenda ndonjë dikasteri që mund të drejtojë në të ardhmen», deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka shprehur publikisht ambiciet për të garuar edhe për një mandat në krye të këtij qyteti. «Unë disa herë më herët kam deklaruar se kam qëllimin të kandidohem edhe për një mandat në zgjedhjet lokale në komunën e Tetovës», ka deklaruar shkurt Arifi pas daljes nga mbledhja e kryesisë qendrore. Kujtojmë që Teuta Arifi ka qenë në dy mandate deputete e Kuvendit të Maqedonisë, ndërsa një mandat zëvendëskryeministre për integrime europiane. Ajo mandatin e kryetares së Komunës së Tetovës e fitoi në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Aleanca për Shqiptarët nuk ka bërë publik ende emrat e ministrave të rinj, por kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas mbledhjes së kryesisë së BDI-së njoftoi se ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Pushtetit Lokal i kanë takuar Aleancës për Shqiptarët. Burime partiake jozyrtarisht njoftojnë se ky koalicion tanimë ka marrë vendim për ministrat e rinj. Emrat e tyre pritet të publikohen të dielën. Ministër i Shëndetësisë mësohet se është nominuar Arben Taravari, ndërsa në krye të ministrisë së Pushtetit Lokal do të jetë kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Lëvizja Besa ende nuk ka marrë vendim nëse do të jetë pjesë e Qeverisë së re ose jo. Gjatë fundjavës nga kjo parti kanë thënë se nuk kanë biseduar ende për poste ministrore, por bisedimet zhvillohen për pesë parimet e kësaj partie. Ridefinimi, pjesëmarrja e Lëvizjes BESA në një Qeveri në të cilën nuk përfshihen njerëz të inkriminuar, marrëveshja për koalicionin të jetë e afatizuar dhe transparente, implementim i plotë i deklaratës shqiptare, si dhe qeverisje e balancuar, janë parimet për të cilat nga Lëvizja BESA thonë se i kanë vendosur si prioritare dhe të njëjtat janë të palëkundura.

Por, burime partiake, duke u bazuar në kushtet e vendosura dhe emrat e publikuar të ministrave të BDI-së, thonë se edhe më shumë janë rritur gjasat që Lëvizja Besa të mos marrë pjesë në kabinetin e ri qeveritar. Por ajo që edhe zyrtarisht e kanë konfirmuar nga kjo parti është se me pesë deputetët e tyre do të mbështesin formimin e Qeverisë së re dhe të gjitha reformat dhe ndryshimet ligjore që do të propozohen nga shumica e re parlamentare.