Mikpritja e Millorad Paviqit në Tiranë

Vepra e shkrimtarit serb Millorad Paviq është botuar në Tiranë – dhe asnjë fjalë kritike nuk është thënë për adhuruesin e diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Millorad Paviq, shkrimtar nacionalist serb.



Janë botuar viteve të fundit në Tiranë romanet «Fjalori kazar» dhe «Peizazhe të pikturuara me çaj» dhe vëllimi me tregime «Histori të tmerrshme dashurie» të shkrimtarit serb Millorad Paviq. S’ka gjë të keqe këtu, parimisht. Librat duhet të qarkullojnë, letërsia duhet të përkthehet, të depërtojë në rajone të tjera, te popujt e tjerë, pa marrë parasysh në janë miq apo armiq.

Por, do të ishte mirë që kritikët letrarë në Tiranë të kenë parasysh kush ishte Milorad Paviqi dhe së paku ta theksojnë këtë në recensionet e tyre entuziaste. Paviqi ishte i pari shkrimtar serb që i dërgoi telegram urimi Slobodan Millosheviqit, kur ky i fundit, më 1987, bëri puç brenda Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe mori drejtimin e saj. Me pak fjalë: mori pushtetin me bekim të krahut nacionalist brenda partisë, të akademikëve luftënxitës serbë, të shkrimtarëve nacionalistë dhe të shtypit ekstremist të Beogradit, pastaj iu vërsul Kosovës. Ia mori autonominë, i largoi nga puna gati të gjithë shqiptarët, mbylli shkollat dhe universitetin, ua bëri jetën ferr gati dy milionë shqiptarëve të Kosovës dhe i detyroi qindra-mijëra të largohen në Perëndim. Kundër të gjitha këtyre krimeve, kundër këtij represioni e aparteidi Millorad Paviqi nuk e tha asnjë fjalë kritike.

Paviqi, i botuar në Tiranë, e ka quajtur Millosheviqin «Shën Savë të kohës sonë», pra shenjtor. Mirko Kovaqi, njëri prej shkrimtarëve më të mirë dhe më humanistë të Jugosllavisë, në librin e tij «Elita më e tmerrshme se kopeja», shkruan se një lektore i kishte thënë Paviqit të fshijë nga vepra e tij lavdërimet për Millosheviqin, por ai ishte përgjigjur se Çmimi Nobel për Letërsi nuk fitohet nëse nuk lobon shteti. Paviqi vdiq në vitin 2009 në Beograd, pa e marrë Nobelin.

«Më kujtohet një ndodhi në Panairin e Librit në Beograd në vitin 1990. U gjenda me miq në stendën e shtëpisë botuese BIGZ, ku redaktori më dhuroi librin me biseda me Millorad Paviçin <Kazarët ose përtëritja e romanit bizantin>. E hapa librin rastësisht dhe menjëherë hasa në margaritarin se Gorbaçovi dhe Millosheviqi po përpiqen të ndalin <gjenocidin e filluar kundër pjesëtarëve të civilizimit të kristian lindor>», shkruan Mirko Kovaqi, i cili nuk është botuar në Tiranë, por në Prishtinë (nga shtëpia botuese KOHA). Nuk ka ndoshta autor më kompetent të ish-Jugosllavisë se Mirko Kovaqi për të dhënë mendim mbi Millorad Paviqin. Vepra e tij, shkruan Kovaqi, është e ngarkuar me budallallëqe, me erudicion të fryrë dhe me mite banale për regjimente dhe ushtarë. «Nacionalizmi i bën njerëzit budallenj», ishte i bindur Kovaqi. Ai nuk deshi të jetojë në ambientin nacionalist të Beogradit dhe, pasi u rrah në Beograd në vitin 1991 dhe u fut në listën e likuidimit, në dhjetor të të njëjtit vit u largua nga kryeqyteti serb dhe u vendos përfundimisht në Rovinj, në rajonin bregdetar të Istrisë në Kroaci. Në atë kohë Paviqi thoshte se «për herë të parë në këtë shekull serbofobija është më e fuqishme se antisemitizmi» dhe kërkonte që «Vukovari i shkatërruar duhet të ndërtohet në stilin e barokut serb».

A duhet të botohet Millorad Paviqi në Tiranë pa një vështrim kritik të angazhimit të tij publik në shërbim të regjimit të Millosheviqit? Jo! Mund të botohet vetëm me tekste shoqëruese kritike, ku ndriçohet roli i tij në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë. Nëse s’bëhet kjo, atëherë në Tiranë përsëriten gabimet e përhershme. Kështu bën vaki që kryeministri i Shqipërisë të citojë Ivo Andriqin pa përmendur pamfletin e tij antishqiptar ose t’i dhurojë Çelësin e Tiranës një këngëtari si Goran Bregoviq, i cili himnizon kallashnikovin, armën më të përdorur nga serbët për të vrarë shqiptarët, boshnjakët, kroatët dhe sllovenët. Rreziku vjen përherë sidomos nga pjesëtarët e elitës, të cilët veprojnë si kopeja në përpjekje për t’u dukur kozmopolitë, mondialistë, globalistë, pseudotolerantë e çfarë jo tjetër, porse jo mbrojtës së të vërtetës dhe të interesave të shqiptarëve.

Nuk është rastësi që Paviq nuk është botuar nga «Rilindja» në Prishtinë në vitet ’80 apo ’90 dhe më vonë nga ndonjë shtëpi tjetër botuese kosovare. Gruaja e Paviqit, Jasmina Mihajloviq, në një intervistë pa asnjë pyetje kritike, botuar vitin e kaluar nga një revistë kulturore e Tiranës, tha se «absolutisht» nuk ka asnjë deklaratë, qëndrim apo mënyrë trajtimi që do të konfirmonte se burri i saj ishte nacionalist apo kundërshtar i shqiptarëve. Një përgjigje e pritur, sepse bashkëshortja kurrë s’ka qenë burim i besueshëm për trajtimin e veprave të bashkëshortit. Si shembull se Paviq nuk kishte gjë kundër shqiptarëve Mihajloviq përmend «Librin e gjelbër», librin mysliman, të burrit të saj, i cili paskësh qenë më i suksesshmi në kuadër të «Fjalorit të kazarëve». Përgjigjja është e pasinqertë, sepse shqiptarët nuk janë as «komb mysliman», as «komb kristian». Në intervistë theksohet se gruaja e Paviqit paskësh qenë e entuziazmuar për «nivelin kulturëdashës dhe pa komplekse të shqiptarëve».