Mikesha

Foto: Shutterstock



Në njanën prej atyne mbramjeve
Si Sulltan Selimi i Tretë
Kam me zanë vend mes pasqyrave
në kazino të qytetit veshun me pasqyra.
Para meje rakia … jashtë mbramja, rryma e detit,
varkat e peshkatarëve dhe kalimtarët…
Dikush, që prej derës shikon në kafehane,
tue i mbajtë duert mbi ballë e tamth për me pa ma mirë,
ka me thanë: «Ky djalë asht i dashunuem!»

Një varkë e madhe peshkatari
një vajzë
ka me nxjerrë prej detit,
me flokë të shpupurishuna, buzë të mbulueme me njolla kallamari,
ajo duket njashtu e çmendun si unë,
kanë me sjellë këtu dhe kanë me lanë
mes gotës sime të rakisë dhe meje.

Unë kam me thanë:
«Sonte jo, por në një mbramje tjetër
kam me të marrë për dore dhe me ty në një qytet të madh kam me shkue».
Në atë qytet toka moti asht ça.
Krejt çka njoh asht rrëzue:
bursat me fasadat e tyne gjigante, pallatet,
kushedi, ndoshta edhe gjykatat dhe burgjet…
Gjithçka asht zhdukë, përrallë asht ba moti:
heroizmi i tij, bamirësia e tij, virtytet e tij…
Lutjet, mevludet, luftat,
batalionet dhe herojtë…

Kur kryet nuk kam me pasë të turbulluem prej rakie,
kur duert nuk kam me i pasë të kurthueme në pranga,
një mbramje prej kazinos së madhe të Sotirakit,
nga vendi yt mes gotës sime me raki dhe meje,
kam me të marrë për dore dhe kam me të çue në një vend,
një vend në të cilin në mbramjet e arta fëmijët e verdhë
kërcejnë në pemë,
ku zogjtë cicërojnë dhe ku hahen fruta,
një vend pa kufij dhe gjerdhe,
pa zana dhe pa xhinde
pa shtëpi dhe pa ahure,
një vend ku nuk matet fitimi.

Sapo të zbresim në stacion
metroja lirisht le të çojë ty në një drejtim
dhe mue në drejtimin tjetër.
S’ka gajle!
Por ti në këto mbrajmet e kuqërreme bojëkafe,
në mbrajmet e nandorit, kur unë jam qyqe vetëm,
me pallton tande të rrudhun, me flokët e tua të shpupurishuna,
me buzët e tua mbulue me njolla kallamari
dhe me çehren si motër
– kambët e tua për një karrige mbështetun –
duhesh sërish dy-tri fjalë të shkurta me m’i thanë:
«Çka ke ba sot? A ke punue?»
Nëse don masandej mundesh me u çue dhe me ba një shetitje
Pa mue…
Qysh të duesh.

Përkthye nga Enver ROBELLI