Mijëra vetë përkujtojnë përvjetorin e vrasjeve në Srebrenicë

Më shumë se 20,000 njerëz u mblodhën në Srebrenicë, Bosnjë, për të vajtuar personat e vrarë në masakrat e korrikut 1995 dhe varrosën më shumë se 71 viktima, trupat e të cilëve u identifikuan gjatë vitit të kaluar.

Foto: Anadolu



Turma të mëdha vajtuesish u mblodhën të martën në Srebrenicë për përkujtimoren e 22 vjetorit të vrasjeve masive të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës, me të afërmit e tyre që derdhnin lot ndërsa 71 viktima të tjera më në fund u vendosën të prehen në paqe.

Disa mijëra vajtues mbërritën në memorialin në fshatin Potoçari pasi kishin udhëtuar nëpër vend në një marshim tre ditor.

Viktima më e re ndër ata që u varrosën ishte Damir Suliq, i cili ishte 15 vjeç kur u vra në korrik 1995 pasi Ushtria Serbe e Bosnjës pushtoi «zonën e sigurt» të Srebrenicës, të shpallur kështu nga OKB-ja, dhe pas ekzekutoi rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Suliq u varros pranë babait, gjyshit dhe xhaxhait të tij, të cilët gjithashtu u vranë në masakra, njoftoi agjencia e lajmeve Anadolu.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, tha në një fjalim në përkujtimore se «pajtimi nuk mund të arrihet pa drejtësi».

«Themelet e pajtimit duhet të ndërtohen bazuar te drejtësia dhe e vërteta dhe kjo nuk do të ndodhë derisa ideologjia dhe idetë që çuan në gjenocid të mposhten plotësisht», tha Izetbegoviq.

Kryetari i Gjykatës së Hagës Carmel Agius tha në përkujtimore se mohimi ose shtrembërimi i asaj që ndodhi në Srebrenicë ishte «një sulm i qëllimshëm ndaj të vërtetës».

Agius tha se gjenocidi në Srebrenicë «ishte i dokumentuar aq mirë, i përcaktuar nga dy gjykata ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara dhe i mbështetur shkencërisht, saqë s’do të arrini kurrë ta fshihni natyrën e vërtetë të këtij gjenocidi».

Me qindra njerëz postuan mesazhe për përkujtimoren në rrjetet sociale, përfshirë edhe kapiteni i ekipit kombëtar boshnjak të futbollit Edin Xheko.

Vrasjet janë identifikuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato boshnjake, edhe pse zyrtarët serbë të Bosnjës dhe qeveria në Serbi e mohon këtë përkufizim.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha megjithatë të martën se veprimet e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në Srebrenicë në vitin 1995 përbënin «një krim shumë të madh».

«Ky ishte një krim i tmerrshëm dhe detyrimi im si president është t’i shpreh ngushëllime familjeve dhe të shpresoj që krime të tilla të mos ndodhin më kurrë», tha Vuçiq në një intervistë me Happy TV të Serbisë.

Vuçiq u sulmua nga vajtuesit e zemëruar kur mori pjesë në 20 vjetorin e masakrave në vitin 2015.

Aktivistë përkujtojnë masakrat në Beograd. Foto: Beta.

Ditën e hënë në qendër të Beogradit, grupi i aktivistëve të paqes «Gratë me të Zeza» organizoi një manifestim të heshtur me titull «Srebrenica 8372», sipas numrit të boshnjakëve të identifikuar që janë masakruar nga forcat serbe të Bosnjës.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres në një deklaratë me rastin e përvjetorit të përkujtimores tha se faktet mbi masakrat e vitit 1995 duhet të njihen nga të gjitha komunitetet në Bosnjë dhe Hercegovinë për të ndërtuar besimin dhe për të bërë të mundur «pajtimin e plotë».

Guterres pranoi gjithashtu kritikat nga Kombet e Bashkuara për mos parandalim të vrasjeve të boshnjakëve nga Srebrenica, ku ishin vendosur forcat paqeruajtëse të OKB-së.

«Komuniteti ndërkombëtar dhe sidomos Kombet e Bashkuara, e ka pranuar pjesën e tij të përgjegjësisë në lidhje me tragjedinë e Srebrenicës dhe ka punuar shumë që të mësojë nga dështimet e tij», tha Guterres në deklaratën e tij të hënën.

Një total prej 38 anëtarësh të Ushtrisë dhe policisë Serbe të Bosnjës janë dënuar nga Gjykata e Hagës dhe gjykata shtetërore boshnjake me më shumë se 600 vjet burg, plus tre dënime me burgim të përjetshëm, për gjenocid dhe krime të tjera kundër boshnjakëve nga Srebrenica.

(https://www.reporter.al/mijera-vete-perkujtojne-pervjetorin-e-vrasjeve-ne-srebrenice/)