Miçunoviq: Harrojeni mitin «Kosova është e jona!», shkëmbeni ambasadorë me Prishtinën, Kosova do të hyjë në Kombet e Bashkuara

Doajeni i politikës serbe Dragolub Miçunoviq, doktor i filozofisë, deputet në Parlamentin serb, themelues i Partisë Demokratike bashkë me Zoran Gjingjiqin, demaskon politikën e kryetarit serb Aleksandar Vuçiq.

Dr. Dragolub Miçunoviq.



Dr. Dragolub Miçunoviq u lind në vitin 1930 në Toplicë të Serbisë jugore. Fëmijërinë e hershme e kaloi në Shkup, ku babai i tij ishte zyrtar i Mbretërisë jugosllave. Pas pushtimit fashist familja e tij u vendos në Serbi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore jetoi bashkë me refugjatë të tjerë në Merdar, sot pikë kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Dragolub Miçunoviq mund të përshkruhet si rebel i përjetshëm i politikës serbe. Si gjimnazist 18-vjeçar ai u arrestua dhe dërgua në Goli otok, një ishull në Adriatik, ku regjimi i Titos internonte kundërshtarët politikë. Pas 20 muaj qëndrimi në Goli otok Miçunoviq u lirua dhe kreu maturën në Prokuple për të vazhduar studimet në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, ku diplomoi në vitin 1954. Në punimin e doktoratës, i cili u pranua nga Universiteti i Beogradit, u mor me logjikën e hulumtimeve shoqërore. Ka ligjëruar historinë e teorive sociale dhe politike në degën e filozofisë dhe sociologjisë në Universitetin e Beogradit dhe ka qenë aktiv në redaksinë e revistës «Filozofija», në këshillin botues të «Praksis» dhe në këshillin e Shkollës Filozofike të Korçullës, e cila ka qenë ndër vendet më prestigjioze të takimit të filozofëve nga mbarë bota.

Më 1975 përjashtohet nga Universiteti me urdhër të Lidhjes së Komunistëve për shkak se ishte «i papërshtatshëm politikisht». Tek 15 vite më vonë kthehet në Universitet dhe rifillon punën si profesor. Miçunoviq ka mbajtur ligjërata në shumë universitete në SHBA dhe në Gjermani. Flet anglisht dhe gjermanisht. Ka botuar më shumë se 100 punime shkencore.

Në fund të viteve ’70 ka qëndruar në Universitetin e Konstancës (Konstanz) në Gjermani, aty ku më vonë do të doktoronte Zoran Gjingjiqi, kryeministri i mëvonshëm serb, i vrarë më 2003. Pas kthimit nga Gjermania Miçunoviq u angazhua në Forumin jugosllav për të drejtat e njeriut dhe kërkoi lirimin e të burgosurve politikë, shumë prej të cilëve ishin shqiptarë.

Më 1989 Miçunoviq inicioi bashkë me Gjingjiqin themelimin e Partisë Demokratike të Serbisë. Që nga fillimi i viteve ’90 Miçunoviq ka ushtruar funksione të ndryshme në kuadër të parlamentit të Serbisë dhe mund të konsiderohet si doajen i politikës serbe. Zëri i tij ka peshë, mendimet e tij kanë ndikim – ose së paku dëgjohen edhe nga kundërshtarët politikë, siç janë kryetari aktual Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, të cilët në vitet ’90 ishin kampionë të nxitjes së konflikteve në Ballkan, ndërsa Miçunoviq kërkonte dialog dhe zgjidhjen e problemeve me mjete paqësore. Një çerekshekull më vonë edhe Vuçiq po kërkon dialog për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Çka mendon Dragolub Miçunoviq mbi idenë e Vuçiqit për dialog të brendshëm serb për Kosovën? A është kjo nismë e tij e sinqertë apo manovër politike? Revista «Vreme» e Beogradit ka botuar një intervistë të gjatë me Miçunoviqin, i cili analizon mjeshtërisht politikën serbe dhe demaskon kryetarin Vuçiq. Miçunoviq nuk sheh parakushte të mira për zhvillimin e debatit në Serbi për Kosovën për shkak se Vuçiq nuk ka lejuar ndërtimin e një ambienti demokratik. Vullneti i tij është imponues, fjala e tij tingëllon si diktat dhe jo si apel për kuvendim.

Miçunoviq thotë: «Nuk ka pushtet të mirë, ka vetëm pushtet të kontrolluar mirë». Sipas tij çdo pushtet ka prirje të jetë i vrazhdë, por këtë duhet ta pengojnë institucionet e pavarura, mediat, drejtësia. Vuçiq sundon me «terrorin e shumicës» dhe përmes mediave të tij shkatërron çdokënd që merr guximin të kritikojë. «Nuk mjafton të keni ndarjen formale të pushtetit në ligjvënie, ekzekutiv dhe gjyqësi, ajo ka ekzistuar edhe në rastin e Titos, të Stalinit dhe Mussolinit. Nëse të gjitha vendimet merren nga një parti, atëherë ato institucione nuk janë gjë dhe nuk i shërbejnë askujt», thotë Miçunoviq. Ai citon klasikun e teorisë liberale John Stuart Millin, i cili ka thënë se nëse një njeri ka një mendim, ndërsa të gjithë të tjerët në shtet kanë mendim të kundërt, nuk kemi të drejtë që mendimin e tij ta injorojmë, ta ndalojmë, të mos i lejojmë të shprehë atë mendim.

«Problemi i kulturës sonë politike është se në të dominon monologu, i cili synon të shndërrohet në <urdhër>, si në ushtri, ku dëgjohet vetëm një zë, të tjerët jo. Dialogu është i mundshëm vetëm nëse keni qytetarë të ndershëm dhe të barabartë. Së dyti, ne kurrë nuk jemi çliruar nga urrejtja dhe jotoleranca. Duke shikuar larg në historinë tonë, që nga konfliktet e dinastive të Obrenoviqëve dhe Karagjorgjeviqëve, pastaj përmes partive të konfrontuara, ne nuk e kemi të ndërtuar sensin për tolerancë, për dialog. Te ne shpeshherë debati për çështje të përgjithshme shndërrohet në larje të hesapeve personale, bëhet personal. Ne, në fakt, pothuaj nuk kemi elemente për dialog demokratik dhe ky është fakt», tha Miçunoviq.

Politikani serb përkujtoi se që në fillim të viteve ’90 kishte bërë apel për dialog me shqiptarët e Kosovës. Në fjalimin e parë në Kuvendin e Serbisë ai kishte kërkuar të verifikoheshin mandatet e deputetëve të serbëve nga Kosova. Pasi shqiptarët si shumicë bojkotuan zgjedhjet, deputetë në Kuvendin e Serbisë u zgjodhën edhe ata serbë që s’merrnin më shumë se 90 vota. «Që atëherë të gjithë u ngritën në këmbë në parlament për të na akuzuar se jemi <tradhtarë>. Pyeta: çfarë duam të bëjmë me Kosovën? E keni shpërndarë Kuvendin, ata (shqiptarët) janë çuar në këmbë, kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, kemi organizuar fund e krye procese gjyqësore politike, vërtet çka doni? Nëse nuk arrijmë të bisedojmë dhe gjejmë një kompromis, vështirë do ta mbrojmë Kosovën», nënvizon Miçunoviq. Ai tha se ka pasur mjaft debate për Kosovën në vitet ’90, por ato debate janë bllokuar nga ata që sot janë në pushtet në Serbi: Vuçiqi dhe Daçiqi. Miçunoviq përkujtoi sidomos bisedat me Fehmi Aganin, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili, siç potencon Miçunoviq, «për fat të keq u vra».

«Kam folur në parlament më 1999, pas bombardimeve, dhe kam thënë, mirë, po thoni se e keni mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo është si kur fëmija i vogël vë duart në sy dhe atë që nuk e sheh nuk ekziston. Kë deshët të mashtroni? (…) Nëse e keni sovranitetin, shkoni në Prishtinë si president dhe si kryeministër dhe nëse keni integritet territorial, cilët janë ata ushtarë tuajt kufitarë që ruajnë kufirin me Shqipërinë apo Maqedoninë? Domethënë, ky ka qenë një vetëmashtrim i qëllimshëm për të hequr përgjegjësinë nga vetja».

Sipas profesorit Miçunoviq tregimi për Kosovën si territor i Serbisë, si «krahinë e jona jugore në kuadër të Serbisë» ka marrë fund, s’mund ta kthejë asnjë preambulë. Kjo çështje, shtoi ai, është ndërkombëtarizuar që moti, Kosova ka ndërtuar institucionet themelore shtetërore, është pranuar prej rreth 100 shteteve, ndonëse është nën protektorat të OKB-së dhe BE-së natyrisht që është e qartë që tani se atë shtet disi do ta fusin në Kombet e Bashkuara.

«Në Serbi kanë filluar ta kultivojnë njëfarë gjendje të <ngrirë> të problemit, duke dëshiruar fatin e Qipros, natyrisht një dëshirë iluzore. Megjithatë, gjendja e paqartë u ka konvenuar <afaristëve> në të dy anët, sepse përparësia e shmangies së tatimit dhe TVSH-së është kthyer në përfitim ekstra. Kosova është shndërruar në njërin prej destinacioneve tona më të zhvilluara për eksportimin e mallit tonë, kryesisht ushqimit. E tërë kjo është bërë kryesisht në kufi të kontrabandës dhe ka krijuar pasuri për <tajkunët> (biznesmenët) e etabluar në partitë në pushtet. Nganjëherë lindnin probleme në pikëkalimet zyrtare të kufirit, por shpejt krijoheshin kalime alternative. Kur ekzistonin organet dhe institucionet e Serbisë kjo krijonte kushte për përhapje të korrupsionit duke keqpërdorur fondet e buxhetit».

Miçunoviq kritikoi prirjen e serbëve për të kultivuar një realitet të dëshiruar mitik për Kosovën. «Nëse zhvilloni një anketë me pyetjen: ç’të bëhet me Kosovën, 80 për qind e të anketuarve përgjigjen se assesi nuk duhet ta japim atë. Kur pyetni se a mendoni që Kosova do të mbesë në Serbi, 80 për qind përgjigjen: mendoj se është e humbur. Domethënë, ndonëse mendojnë se e kemi humbur çdo sovranitet në Kosovë, prapë këtë nuk duan ta pranojnë. Tani si në dramën e Vida Ogjenoviqit <A u shtrua darka princërore» askush nuk dëshiron të vë nënshkrimin në marrëveshjen përfundimtare. Por, ai nënshkrim nuk domethënë asgjë, ndoshta as që duhet, ndoshta nuk duhet të nënshkruhet asgjë, sepse pranimi nuk është gjë tjetër përveç se shkëmbim ambasadorësh. Megjithatë, ne ende injorojmë realitetin, andaj të tillë e kemi krijuar edhe opinionin publik. Për këtë shkak pushteti tani dëshiron të ndajë përgjegjësinë dhe thotë: mund dhe duam të kemi pushtetin në të gjitha çështjet tjera, por në këtë çështje më mirë të ndajmë përgjegjësinë».

Ngjashëm si shumë deputetë shqiptarë të Kosovës edhe Miçunoviq u ankua se parlamenti i Serbisë nuk është informuar për marrëveshjen e Brukselit. «Në parlament vjen, ta zëmë, ndonjë marrëveshje me Maltën, të cilën duhet ta verifikojmë, por çështja e Kosovës nuk ka ardhur. Mund të themi se ishte qesharake kur presidenti Nikoliq me rastin e Kosovës i ftoi të gjithë ata që duhet të merren me interesat nacionale të Serbisë, patriarku, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe kryeministri. Aty nuk ishte parlamenti, i cili është i vetmi që duhet të marrë vendim për diçka».

Miçunoviq beson se Vuçiq është i gatshëm të fillojë ndryshimin e Kushtetutës dhe të heq preambulën, e cila e quan Kosovën pjesë të Serbisë. Së pari, sipas Miçunoviq, duhet të sqarohet e kujt është Kosova si territor, së dyti duhet të normalizohen marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. «Vuçiqi me gjasë është i gatshëm ta bëjë këtë, të normalizojë raportet, që serbët të hyjnë në qeverinë e Kosovës. Ta zëmë, e kemi atë Listën Srpska, e cila thotë se do të sillet ashtu siç thotë Beogradi. E Beogradi ndoshta do të thotë të hyjë në qeverinë e Haradinajt, të atij Haradinajt për shkak të të cilit së fundi për pak i ndërpremë marrëdhëniet diplomatike me Francën. Kujt i shërben krejt ky muhabet?»