Metropoli që shpërtheu nga rëra e shkretëtirës

Reportazh nga Dubai: Takimi me shqiptarin me origjinë nga Gjakova. Emiratet, nafta, bollëku shndritës dhe gomarët, dritat lëbyrëse dhe vetmia post-moderne.

Pamje nga Dubai.



Takimi me shqiptaro-egjiptianin që jeton në Dubai

Ayman Islam është një shqiptaro-egjiptian i cili ka dy dekada që jeton me familje në afërsi të Dubait. Është inxhinier dhe ka firmën e tij të ndërtimtarisë në qytet. Ayman është i lindur dhe i rritur në Kajro, kryeqyteti i Egjiptit, por ka emigruar në Dubai për punë. Katër vajzat e tij janë lindur dhe edukohen në shkolla ndërkombëtare anglisht-folëse në qytet.

Ishim marrë vesh të takohemi në lobin e hotelit. Aymani vjen së bashku me gruan e tij arabe, gjithashtu nga Kajro, dhe përshëndeten me ne me mallëngjim. Ndonëse është hera e parë që takohemi, ai dridhet nga emocionet. Është i etur të dijë çdo gjë për Kosovën e Shqipërinë, për praktikimin e fesë islame atje, për familjen e babait të tij, politikën. Është kureshtar të dijë më shumë për ne, ku jetojmë, me çka merremi, sa fëmijë kemi. Na shëtisin me veturë anekënd qytetit. Për drekë na çojnë në një restorant egjiptian ku menyja kryesore është mishi në hell, përcjellë me një lloj supe si të ngjizur e cila, edhe pse ma lavdëruan tej mase, nuk është se më bëri përshtypje. Sidoqoftë, mishi shërbehej me bollëk e me një lloj imponimi dashamirës. Në një mënyrë, Aymani të ngjason me shqiptarin edhe për nga mikpritja e tij gati klaustrofobike që të bën: për të të nderuar, gati sa të detyron me zor të hash sa më shumë mish. Mirëpo ne e kuptojmë këtë lloj mikpritje – na përkujton shtëpinë.

Babai i Aymanit kishte qenë nga Gjakova. Duke rrjedhur nga një familje besimtarësh të devotshëm, në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar prindërit e kishin dërguar në Kajro për të kryer shkollën e mesme për fe, apo medresenë. Ishte vetëm 12-vjeçar kur mbërriti në Kajro, plotësisht i vetëm. Kreu shkollën e mesme, për të vazhduar pastaj me studimet e larta. Në ndërkohë, situata në Kosovë kishte ndryshuar tej mase. Kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, dhe pastaj ishte formuar Jugosllavia socialiste, e cila e kishte gllabëruar edhe Kosovën në gjirin e saj. Për babanë e Aymanit, kthimi në Kosovë ishte i mbushur me rreziqe, pasi që edhe vetë familja e tij atje ishin të persekutuar. Ndërkohë, ai u martua dhe lëshoi rrënjë në Kajro, duke u bërë edhe ligjërues i respektueshëm i sintaksës në universitet. Para rreth një dekade kishte ndërruar jetë, pa u kthyer kurrë më në Kosovë. Aymani, djali i tij, kultivonte po atë zjarr për «Shipni» (çka për të nënkuptonte Kosovë e Shqipëri, pa dallim) që shpesh rastisë ta hetosh tek mërgimtarët tanë nëpër botë. Bënte plane të vizitojë vendin dhe kushërinjtë e tij në Gjakovë e Prishtinë. Me Aymanin arritëm të ndaheshim tek në fund të ditës, të një dite të ngarkuar me biseda e memorie të trashëguara nga babai i tij, emocione e nostalgji.

Vizioni i një bote post-naftë

Shteti që sot njihet si Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) deri në vitet ’70 ishte një konglomerat i shkapërderdhur principatash autonome, secila nga to të sunduara nga familje sheikësh, apo familje princërore. Të shpërndara nëpër shkretëtirë, jetonin krahë për krahë principata e Dubait, principata e Abu Dabit, ajo e Ajmanit, e kështu me radhë. Pasi që kanë dalje në Gjirin Persik, njerëzit e rëndomtë tradicionalisht janë marrë me peshkim dhe tregti të guacave. Por, ashtu si dhe shtetet e tjera arabe në rajon, toka e principatave të Emirateve, edhe pse e shtrirë në shkretëtirë, pluskonte mbi një det të zi nafte. Të ardhurat e akumuluara nga dekada të shitjes së naftës, të bashkëdyzuara me politika të mençura dhe vizionare për të ardhmen e vendit, bënë që Emiratet të transformonin qytete si Abu Dabin dhe Dubain nga të qenit vendbanime shterpe të shtrira në shkretëtirë, në mrekulli vezulluese arkitektonike dhe inxhinierore. Për më tepër, i tërë ky transformim ndodhi në hiç më shumë se këto 20-25 vitet e fundit. Dubai sidomos është shndërruar në një nga kryeqendrat e komercializmit botëror. Ky metropol është sot një nga ato epiqendrat e tregtisë e biznesit që nuk gjenden në botën perëndimore por në krahasim shumë qytete të kësaj bote i bën të duken fshatra të lodhura e të prapambetura. Çka ndodhi, ç’po ndodhë?

Meritat për bashkimin e principatave të shkapërderdhura në një federatë të përbashkët i shkojnë Sheikut Zayed bin Sultan Al Nahyan. Ishte perandoria britanike (anglezët, prapë anglezët perfid me kalkulimet e tyre djallëzore!) ajo që kishte sunduar në këtë rajon dhe që kishte zbuluar naftën. Me tërheqjen e saj në fillim të viteve ‘70, Sheiku Zayed kishte arritur të bashkojë familjet e përçara princërore, për të formuar kështu Federatën e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai kishte arritur të tubojë sheikët rreth vizionit të tij për të ardhmen e vendit, në të cilin do të kishte zhvillim të bujshëm, gjersa secila familje e sheikëve do të ruante monopolet dhe privilegjet e veta. (Natyrisht, anglezët ishin siguruar që edhe pas tërheqjes formale të ruanin lidhje të veçanta me familjet princërore, si në politikë ashtu edhe në biznes e në tregtinë e naftës).

Rezultat i këtij vizioni është transformimi i mrekullueshëm nga shkretëtira në një metropol që është produkt i talentit dhe gjeniut njerëzor. Aty ku para njëzet vitesh fshatarët kishin tërhequr gomarët nëpër shkretëtirë për të bërë tregti në pazar, tash kanë mbirë qindra e qindra rrokaqiej marramendës. Qendrat tregtare, dyqanet super-luksoze, brendet më të njohura, të gjitha janë të pranishme në Dubai.

Ky bollëk shndritës i atribuohet naftës. Por, s’do mend që në të ardhmen e afërt njerëzimi do të zëvendësojë naftën si burim energjie, si për arsye ambientale po ashtu edhe për arsye se njeriu është duke shterur damarët e nëntokës nga ky ujë i zi. Edhe në Emirate është e qartë se qysh tash lidershipi i vendit përfytyron një botë që vjen pas naftës. Çështja kyçe për ta është që, edhe në mungesë të naftës, t’i japin vendit – e sidomos qyteteve si Dubait – një përparësi në ekonomi dhe biznes që e bën atë të konkurrent edhe në të ardhmen.

Në një botë çdo herë e më kompetitive, në të cilën boshti i fuqisë politiko-ekonomike nuk sillet më vetëm rreth sferës veri-perëndimore, shtete gjithandej ish-Botës së Tretë janë në gjurmim të rolit të tyre. E dini cila është motoja e qeverisë së Emirateve? Që deri në fillim të viteve 2070 (që të koincidojë me 100-vjetorin e krijimit të shtetit), Emiratet të bëhen «vendi më i mirë në botë». Ky është vizioni. Hiç më pak dhe hiç më shumë. Kjo mund të duket surreale, qesharake madje. Mirëpo të mos çuditemi se kjo moto është në fakt një vizion real i qeverisë së tyre, vizion drejt të cilit është e orientuar tërë makineria e shtetit.

Për shembull, Emiratet kanë Ministri të Inteligjencës Artificiale. Puna, talenti, si dhe natyrisht paraja që është duke u derdhur në hulumtim dhe zhvillim të inteligjencës artificiale, robotikës dhe automatikës, komplekson edhe institutet me renome ndërkombëtare në Perëndim. Për më tepër, një pjesë e tërë e qendrës së Dubait quhet «qyteti i internetit». Në këtë qytet mund të gjesh çdo kompani, çdo brend, çdo shpikje softuerike, duke bërë biznes dhe tregti. Vizioni, pra, është që, në një epokë post-naftë, Dubai të shndërrohet në një nga epiqendrat kryesore të IT-së, inteligjencës artificiale, biznesit dhe tregtisë, që do të konsolidonte pozitën e tij si një nga metropolet më konkurruese e atraktive në botë.

Distopia e qytetit pa shpirt

Megjithatë, ka diçka trazuese në këtë qytet, diçka që nuk shkon. Derisa eksploron qytetin me gjithë dritat lëbyrëse të tij, e ndjen një vetmi post-moderne, do të thosha. Është e mundur që të jesh i rrethuar nga miliona njerëz të një qyteti, dhe prapë të ndjehesh i vetmuar. Dubai është një qytet që të jep një ndjesi të tillë. Disi, është vështirë të imagjinosh zhvillimin e një jete të zakonshme familjare këtu, me fqinj, kushërinj, me një sens komuniteti në mes njerëzish. Më shumë i ngjason një distopie të së ardhmes ku njerëzit vijnë që të punojnë, duke e lënë një pjesë të humanitetit të tyre në vendet prej nga vijnë. Është qytet ku njeriu ekziston, nuk jeton.

Dhe vërtet, përtej superluksit të qendrave tregtare, përtej dritave verbuese të pallateve gjithandej, jeton në heshtje një armatë e tërë njerëzish emigrantë që e ndërtuan këtë metropol dhe e mbajnë të gjallë atë. Këta të rinj e të reja, qindra mijëra syresh, vijnë nga vende si Bangladeshi, Pakistani, India, Tajlanda, Malajzia, pastaj Iraku, Irani, vendet përreth Emirateve, dhe sigurisht prej anekënd vendeve afrikane. I sheh duke punuar në ndërtimtari, në hotelieri, si pastrues, taksistë, shitës ordinerë, e punëtorë krahu. Dynden në Dubai, punojnë nga 15 orë në ditë, e bëjnë një sy gjumë në një dhomë që shpesh e ndajnë me 7-8 punëtorë tjerë, dhe mundohen të kursejnë sadopak nga rroga modeste që marrin. Ndodhë që kalojnë dy-tri vite pa pasur mundësi të vizitojnë familjet në vendet prej nga vijnë. Mirëpo, me kursimet e tyre shpresojnë të kthehen e të ndërtojnë një të ardhme më të ndritshme për veten e fëmijët e tyre. Shpesh i sheh autobusët e punëdhënësve të tyre derisa i transportojnë ata nga vendbanimet për në punë, dhe anasjelltas. Në autostradat e stërmbushura me vetura luksoze, këta autobusë gjarpërojnë hutueshëm plot e përplot punëtorë emigrantë të trullosur nga lodhja e përgjumja.

Popullata vendase, sidomos sheikët, janë zotat e kësaj toke. Është kurioz edhe proporcioni vendas dhe të huaj në këtë vend. Nga rreth 9 milionë banorë sa jetojnë në Emirate, afro 8 milionë janë të huaj. Si çifti i Aymanit, shqiptaro-egjiptianit të përmendur më lartë, këta të huaj mund të jetojnë e të punojnë gjithë jetën në Dubai (apo gjetiu në Emirate), por mundësitë për marrjen e shtetësisë janë thuajse të pamundshme. Në këtë mënyrë, popullata vendase siguron pronësinë mbi tokën e vet, shtetin e vet. Të tjerët, edhe po të jenë shumicë, janë emigrantë të përkohshëm (apo edhe të përhershëm, por megjithatë emigrantë), që mund të punojnë në atë vend, mund edhe të pasurohen, por nuk mund të bëhen zotë të atij vendi. Për ilustrim, nënshtetasit e Emirateve kryesisht zënë vende të punës në administratë, polici, dogana. Pra, ata janë gardianë të shtetit, të naftës, dhe të ardhmes së tij.

I ngritur mbi shkretëtirë, Dubai duket i madhërishëm, edhe pse pa shpirt. Truri dhe talenti njerëzor, i mbështetur nga fonde të pashtershme, kanë bërë që qyteti të sfidojë ligjet e natyrës. Ishulli në formën e palmës është një shembull i triumfit njerëzor mbi tërbimin natyror të valëve të oqeanit. Rrokaqielli më i lartë në botë – Burj Khalifa – duket se sfidon gravitetin. Është manifestim i rebelimit njerëzor ndaj shkretëtirës mbi të cilën ajo ngrihet.

Njeriu, pra, ka fituar betejën mbi natyrën në Dubai. Mirëpo, për rrjedhojë, ka krijuar një vendbanim distopik i cili kërkon energji të pashtershme veç për mirëmbajtje, e lëre më për progres të mëtejshëm. Metropoli kërkon burime enorme nafte, rrymë elektrike, ujë të pijshëm. Kështu, Dubai ngadalë shndërrohet në sinonim të sjelljes shkatërruese të faktorit njeri me natyrën. Ne jemi ajo krijesë që në mënyrë të pandërprerë, të pamëshirshme, vazhdojmë të eksploatojmë çdo aspekt të natyrës përreth nesh. Dubai është ilustrim i kësaj babëzie njerëzore për shfrytëzim të çdo gjëje që ka për të ofruar natyra, pa na shkuar mendja se këto burime nuk janë të pashtershme.

Shkrimtarja indiane Arundhati Roy përmendë diku se si thonjtë dhe flokët e njeriut vazhdojnë të rriten edhe pas vdekjes së tij. Këtë proces ajo e krahason me qytetet, metropolet futuriste të llojit të Dubait. Si thonjtë e floku i njeriut pas vdekjes, edhe këto metropole ngrihen e shndrisin, por vetëm derisa njeriu plaket, shkatërron dhe, në fund, vret tokën e natyrën përreth tij. A thua, në rast se Dubai papritmas do të pushonte të funksionuari, sa kohë do t’i duhej shkretëtirës që të kthehej sërish e ta fuste qytetin në gjirin e saj?