Meta: Me Malin e Zi ishim armiq për shkak të problemeve që Kosova kishte në ish-Jugosllavi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë në hapjen e punimeve të Asamblesë së 25-të të Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Detit Mesdhe (AMAN).




Në fjalën përshëndetëse, Meta deklaroi se vendet e rajonit të Mesdheut kanë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë për zhvillimin e turizmit.

Kryetari i Kuvendit tha se Shqipëria kishte raporte armiqësore me Malin e Zi derisa ky i fundit ishte pjesë e ish-Jugosllavisë për shkak të problemeve që kishte populli i Kosovës në këtë përbërje.

«Deri nga viti ’97-’98, Mali i Zi, i cili ishte pjesë e Jugosllavisë, dhe dihen raportet e Shqipërisë me Jugosllavinë në të kaluarën dhe problemet që ka pasur populli shqiptar në Kosovë dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi, gjë që ndikonte që raportet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi të konsideroheshin apo të përjetoheshin, të perceptoheshin si marrëdhënie jo miqësore, por si marrëdhënie më shumë armiqësore. Por vetëm në dy tre vjet, për shkak të heqjes së vizave, për shkak të komunikimit, për shkak të zhvillimit të turizmit, ky perceptim u përmbys krejtësisht dhe marrëdhëniet jo thjesht të Shqipërisë me Malin e Zi që janë të shkëlqyera, pra midis institucioneve, qeverive, parlamentareve, por marrëdhëniet midis njerëzve, midis shqiptarëve dhe malazezëve janë të jashtëzakonshme», shtoi Meta.

Gjithashtu, kreu i Kuvendit shqiptar theksoi rëndësinë që ka turizmi, komunikimi dhe media për të përmirësuar klimën dhe perspektivën e marrëdhënieve midis vendeve.