Mësymja e Lazaratit nuk e ndal kultivimin e kanabisit në Shqipëri

Dy vite pasi policia shqiptare mësyu në fshatin famëkeq të Lazaratit për të asgjësuar kanabisin, lufta kundër kultivimit të «farës së keqe» mbetet ende e pa përfunduar.

Plantacion marijuane. Foto: Shutterstock

Kushdo që e njeh biznesin e kanabisit në Shqipëri e di mirë se qershori dhe korriku janë muaj kyç. Burime në Shqipëri i thanë BIRN se pasi farat mbillen në mes të majit, nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut fillojnë të bëhen bimët e para. Në botën e kanabisit, kjo quhet periudha «e shkurtër», sepse është koha kur bimët rriten shpejt, por ende janë të shkurtra, dhe si rezultat të korrat janë të vogla gjithashtu. Por këto muaj janë të rëndësishëm për një fazë tjetër, gjithashtu. Në qershor dhe korrik, mbillen bimë të reja të cilave u duhet të paktën pesë muaj për t’u rritur siç duhet.

Këto bimë nuk janë gati për t’u korrur deri në tetor dhe nëntor, por bima rritet shumë dhe kultivuesit e drogës mund të presin të fitojnë para të shumta. Për shkak të kësaj, departamentet e policisë shqiptare në krye të luftës kundër narkotikëve janë të zënë gjatë kësaj kohe të vitit. Rrallë kalon një ditë pa raportet të reja të shkatërrimit të mijëra bimëve kanabis nga policia në të gjithë Shqipërinë. Dy vjet më parë, policia kreu një nga fushatat më të rëndësishme kundër kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri në një fshat të largët në jug.

Pas disa ditësh përplasjeje me vendasit, ata më në fund hynë në Lazarat, në fshat më famëkeq në vend për kultivimin e kanabisit. Disa ton bimë u konfiskuan dhe u shkatërruan, ndërsa operacioni tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe pati lavdërime nga aleatët e Shqipërisë. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe shefi i policisë thanë se ishin të vendosur të luftojnë tregtinë e narkotikëve – dhe thanë se vendi po kthente një faqe të re në historinë e vet. Dy vjet më vonë, gjithçka që duket se ka ndryshuar, është në fakt gjeografia e kultivimit.

Raportet e fundit të policisë rreth bimëve të shkatërruara tregojnë se kultivimi i këtyre bimëve mbetet i përhapur në të gjithë vendin. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, i tha BIRN se edhe pse vitet e fundit është parë një rënie e konsiderueshme në sasinë e kanabisit që hyn nga fqinjët e Shqipërisë, fenomeni i kultivimit mbetet shqetësues. Ai tha se deri në mes të qershorit të këtij viti policia ka shkatërruar një sasi më të madhe të bimëve të kanabisit në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2015. Qato tha se 367 parcela ishin shkatërruar gjatë këtij viti deri më tani, ose rreth 326’000 bimë. «Ne kemi identifikuar më pak parcela se vitin e kaluar, por me sipërfaqe më të mëdha të kultivimit», tha ai. Qato vuri në dukje se si rezultat i veprimit të policisë këtë vit, janë hapur 222 raste për kultivim të kanabisit, por në vetëm 41 për qind të çështjeve janë identifikuar autorët.

Edhe pse policia shkatërron sasi të mëdha të «farës së keqe» çdo vit, nuk është ende e qartë se sa kanabis ia del të korret dhe më vonë të tregtohet në tregjet vendase dhe ndërkombëtare drogës. Raporti 2016 për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve, INCSR i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkruan Shqipërinë si një vend që mbetet ende burim i madh për marijuanën. «Sipas Policisë së Shtetit, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, vëllimi i marijuanës së konfiskuar arriti 6.87 tonë metrikë», lexohet në raportin e SHBA. «Një përpjekje e vazhdueshme për zhdukjen e bimës në mbarë vendin ka çuar në shkatërrimin e 689,815 bimëve të marijuanës në 44 hektarë tokë, siç u identifikua nga fluturimet mbikëqyrëse italiane», shtoi ajo.

Kultivimi i narkotikëve është një aktivitet kriminal në Shqipëri që sjell burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Pjesëmarrja dhe financimi i rrjeteve të organizuara të kultivimit të drogës dënohet deri në 15 vjet burg. Ndërsa numri i bimëve të shkatërruara është i lartë, shkalla e identifikimit të autorëve të këtij aktiviteti kriminal është shumë e ulët. Shumica e zonave ku policia gjen sipërfaqe të mëdha kanabisi të mbjellë janë edhe pronat shtetërore. Kriminelët duket se e kanë ndryshuar strategjinë e tyre në vitet e fundit dhe kanë filluar të mbjellin bimët e tyre në tokën e askujt – në përgjithësi pyjet dhe shpate malore të largëta.

Burimet thanë për BIRN se kjo strategji po jep fryt për kontrabandistët e kanabisit, pasi ata shpenzojnë vetëm disa qindra euro për mbjelljen e sipërfaqeve të mëdha me kanabis. Nëse gjërat shkojnë me sukses, ata mund të fitojnë dhjetëra mijëra euro. Por në qoftë se policia i shkatërron bimët, ata nuk rrezikojnë edhe aq shumë, vetëm disa qindra euro që shpenzuan për mbjelljen e zonës. Andi Dura, një avokat dhe profesor i të drejtës penale në Universitetin Europian të Tiranës, i tha BIRN  se një arsye kryesore pse parandalimi i narkotikëve po dështon në Shqipëri është për shkak se policia nuk kishte mbledhur shumë prova në lidhje me autorët e vërtetë të kultivimit.

«Një nga faktorët që ka rritur kultivimin e kanabisit në vend është mosndëshkimi, si rezultat i cilësisë së ulët të hetimeve», tha Dura. «Ka një përqindje të lartë të rasteve pa autorë konkretë. Edhe kur njerëzit janë hetuar për raste të tilla, ata nuk janë autorët e vërtetë, por janë vetëm të moshuarit dhe gruaja që kujdeset për bimët», vazhdoi Dura. Ai tha se policia duhet ta përqendrojë më shumë hetimin mbi organizimin dhe financimin e këtij aktiviteti. Mbjellja në zonat e thella nuk do të thotë se biznesi i kultivimit nuk është shumë i organizuar, vuri në dukje ai.

«Nëse hetimet do të ishin të plotë në fusha të veçanta, unë jam i sigurt se mund të gjenden lidhje mes kësaj dukurie dhe kredive bankare të nivelit të dytë. Nëse kjo epidemi goditet në kohën e duhur, efekte pozitive do të vijnë», tha ai. Edhe deputetët e partive qeverisëse pranojnë se strategjia kombëtare kundër kultivimit të drogës mbetet e paqartë dhe është lënë pas dore. Dikur ish zëvendës-drejtor i policisë, tani deputet socialist në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Pjerin Ndreu tha për BIRN se Shqipëria duhet ta rishikojë strategjinë e saj për kultivimin e kanabisit.

«Ne kemi nevojë për më shumë agresion dhe qartësi në strategjinë e anti-drogës… Lufta kundër drogës po bëhet problematike», deklaroi ai.Për të, arsyeja e vërtetë pas bumit të vazhdueshëm në kultivimin e kanabisit është gjendja e përgjithshme e rëndë ekonomike me të cilën përballen shumë familje. «Papunësia, problemet sociale, pastrimi i parave dhe korrupsioni i nivelit të lartë janë faktorë kryesorë që nxisin fenomenin dhe e bëjnë punën e organizatave kriminale më të lehtë», tha ai.

Ndreu beson se lufta kundër narkotikëve është e organizuar dobët; barra kryesore është mbi shpatullat e policisë, ndërkohë që institucionet e tjera po ndihmojnë. «Lufta kundër drogës nuk mund të jetë e suksesshme nëse bëhet vetëm nga policia», tha ai. Zëvendësdrejtori i policisë, Altin Qato, tha për BIRN se kanë nisur disa veprime për të përfshirë më shumë aktorë në luftën kundër kultivimit të drogës.

«Ne kemi realizuar 690 takime rajonale dhe aktivitete me organet e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera shtetërore, përfshirë shkollat, median dhe vetë komunitetin, me qëllim që të parandalojmë kultivimin e bimëve narkotike», tha ai. Qato tha se bashkëpunimi i policisë me prokurorinë po shkon mirë dhe ky është një element kyç në këtë luftë. «Si rezultat i këtij bashkëpunimi, duke përdorur forma të veçanta të hetimit, ne po hetojmë disa raste për persona dhe grupe kriminale të dyshuar si të përfshirë në biznesin e kultivimit të narkotikëve», tha ai.

Nikoleta Kovaçi, një gazetare që mbulon policinë dhe çështjet e krimit në gazetën Shekulli, tha për BIRN se shumë shqiptarë kultivojnë kanabis sepse mund të shohin përfitimet financiare që bima ka sjellë te fqinjët e tyre. «Njerëzit duket se mendojnë se kultivimin i kanabisit nuk i bën dëm kujt», theksoi ajo. Por ajo sheh dorën e politikës në procesin e kultivimit gjithashtu, duke vënë në dukje se zonat me sipërfaqet më të mëdha të bimëve të kanabisit janë shpesh ato zona që kanë lidhje me aktorë të fortë politikë. «E vetmja gjë që po ndryshon në këtë histori është Lazarati», përfundoi ajo.

[Botuar së pari në: http://www.reporter.al/mesymja-e-lazaratit-nuk-e-ndal-kultivimin-e-kanabisit-ne-shqiperi/]