Mësuesit në zor nga avokatët – për shkak të një hartimi

Rasti gjyqësor në Cyrih për shkak të një hartimi të korrigjuar gabimisht po bën bujë. Ka ndryshuar përditshmëria e mësuesve fare.

Foto: avemario / Shutterstock

Prindërit e një të riu në Cyrih u ankuan në Gjykatën Procedurale për shkak të notimit të keq të një hartimi në lëndën e gjermanishtes në provimin kualifikues për në gjimnaz, dhe dolën në të drejtë. Tani është rritur prirja e ankimimit lidhur me shkollën dhe ajo e angazhimit të një avokati, rrëfen një avokate për gazetën Tages Anzeiger. Ajo vetë është specializuar në tema të shkollës duke u konsultuar nga nxënës, studentë dhe prindër.

Kryetari i Federatës së Mësuesve të Zvicrës konfirmon që mësuesit po konfrontohen gjithnjë e më shumë me padi nga prindërit. Ndërsa numri i rekurseve prej 10 viteve ka qëndruar i pandryshuar, nga 2005-ta ai shkon në mesatarisht 42 raste në vit dhe këto nga gjyqet në të shumtën e rasteve refuzohen. Prandaj rasti i nxënësit nga Cyrihu ka zgjuar vëmendje. Sipas kryetarit të Federatës, ankimi në këtë rast ishte i drejtë, sepse, sipas gjykatës nxënësit nuk i ishin treguar materialet e vlerësimit të hartimit.

Në provimet e gjimnazit, sipas përfaqësuesit të mësuesve, detyrat e provimit dhe rregullorja e vlerësimit hartohen nga komisioni profesional i përbërë nga mësues të shkollave të mesme dhe atyre fillore. Dhe, ato vlejnë për të gjithë kantonin. Por, sipas përfaqësuesit të mësuesve, provimet nuk mund të vlerësohen kurrë plotësisht objektivisht – gjithmonë ka hapësirë…, sidomos në një hartim. Prandaj edhe më së shumti ankime ka nga hartimet, sepse këtu ka më shumë hapësirë për interpretim. As përfaqësuesi i mësuesve, as juristja nuk presin ndonjë valë rekursesh, sepse ai paraqet edhe një rrezik financiar. Në rast të një ankimimi gjyqësor, nëse e humbet kontestin ke një kosto prej mijëra frangave.

Një farë meraku paraqet fakti një numër i vogël, por në rritje i prindërve, po iu kërcënohen mësuesve me avokatë. Kjo e vështirëson punën e notimit të mësuesve, rrëfen kryetari i Federatës së Mësuesve. Tani mësuesit përpara se t’ia dorëzojnë provimin e vlerësuar nxënësit, në raste fëmijësh të prindërve skeptikë, e fotokopjojnë ose ia japin atë për ta parë edhe një kolegu.

Në rastin e nxënësit nga Cyrihu, sipas gjykatës, vlerësimi nga mësuesi kishte qenë arbitrar. Tani është caktuar edhe një mësues i dytë për ta vlerësuar hartimin. Pyetja që shtrohet është se për sa më mirë do të vlerësohet ai hartim. Nxënësit i duhet një 3-sh për të kaluar në gjimnaz. Rezultati do të dihet tani në fund të pushimeve verore. ks