Mësoni pak!

Mbi dhunën ndaj grave në shoqërinë kosovare dhe për burrat që shpesh i mjegullojnë gjërat dhe na befasojnë me komente qëllimisht seksiste dhe qëllimisht kërkojnë përulje të gruas në shoqëri. Në një shoqëri me rini që shpesh nuk ka çka të bëjë në kohë të lirë, politika e tillë shndërrohet në mjet verbues.

Ilustrimi: Shutterstock



Në Prishtinë rrihen gratë në rrugë nga njerëz të panjohur. Po fillon të shndërrohet në një lloj trendi. Edhe dje viktima ndodhi të jetë një grua, duhet të ketë një emër, një profesion dhe një identitet të sajin. Sidoqoftë, për të komentohet në të gjitha rrjetet sociale dhe mediat si: gruaja e një politikani të caktuar, që thuhet se mund të jetë pika kyçe e dhunës përbrenda këtij rasti, por konkludimi i tillë i takon vetëm autoriteteve hetimore, tani për tani.

Duke nxjerrë konkludime të ngutshme vetvetiu devijojmë nga çështja. Kështu që të mos na ikin nga fokusi faktet më të rëndësishme: që një akt kriminal i tillë ndodh në pikë të ditës në mjedisin tonë. Sulm fizik mbi një grua, me qellim që t’i shkaktohet lëndim trupor, së bashku me mundësinë e dukshme të përdhunuesit për ta shkaktuar lëndimin në fjalë (në pikë të ditës) rezulton në një akt kriminal paraprakisht të inskenuar. Akt kriminel i shkallës së lartë, që kërkon investigim të mirëfilltë. Shtuar këtu edhe faktin që e përdhunuara nuk do të shërohet lehtë dhe përgjithësisht do të vuajë pasoja shumë gjatë ose përgjithmonë, ajo së bashku me rrethin e saj të ngushtë. Kaq gjë dimë dhe këtu duhet të fokusohemi si shoqëri.

Sidoqoftë, duket që nuk mund të fokusohemi në këtë çështje, sepse tanimë jemi shndërruar në një shoqëri që përbëhet nga individë të specializuar në gati çdo fushë jetësore, si rezultat ballafaqohemi me aftësi mendore, të cilat shqyrtojnë individin me lehtësi të jashtëzakonshme. Nga dëshira e madhe për të demonstruar dijeni, por nga pamundësia e një gjëje të tillë fillojnë konkludimet anatomike. Në këtë rast, viktima është «gruaja e një politikani» dhe debatet sillen rreth «politikanit» dhe politikave të tij! Ose shtrohen pyetje në mënyrë më të «dhimbshme» për viktimën, sepse është një «grua» si është e mundur të sulmohet një grua, çfarë «mashkulli» e bën një gjë të tillë.

Çfarë lloj «mashkulli» e bën një gjë të tillë? Përgjigjja e thjeshtë është – këtë e bën një kriminel. Ndërsa ajo më komplekse është që një sulm të tillë mund ta bëjë çdo «mashkull» që i takon një shoqërie, si kjo e jona, ku aktet denigruese ndaj gruas janë përditshmëri dhe harrohen shpejt. Sepse nuk flitet për krimin, po për «burrëri». I kemi imamët që kanë krijuar platformë dhe audiencë, ku gati-gati çdo gjë sillet rreth gruas, «djallëzive» të saj dhe mënyrës se si duhet apo nuk duhet të trajtohet ajo.

Por, nuk dua të merrem me imamët këtu, në fakt nuk më interesojnë fare. Këtu dua të merrem me gjuhën përulëse ndaj gruas që përdoret nga ata burra në shoqërinë tonë me rol aktiv në platformat të cilat i përdorin për të promovuar vlera bashkëkohore në shoqëri. Këta burra shpesh i mjegullojnë gjërat dhe na befasojnë me komente qëllimisht seksiste, qëllimisht kërkojnë përulje të gruas në shoqëri. Në një shoqëri me rini që në të shumtën e kohës nuk ka çka të bëjë në kohë të lirë, politika e tillë shndërrohet në mjet verbues.

Mësoni pak, shumë apo sa të mundeni nga Frank Herbert, i cili thotë: «Fjalët janë makineri e gërditshme, primitive dhe të debatueshme». Në shoqërinë tonë gratë janë viktimat kryesore të fjalëve të tilla. Këta burra sado që tentimin kryesor e kanë kritikën ndaj masës, ata janë pasqyrë kryekëput e po asaj mase, një shoqërie macho-patriarkale.

Duket se çdo gjë fillon dhe përfundon në mes të këmbëve, me vetëdije apo pa vetëdije! Prandaj, ne momentin e dobësisë kur ballafaqohen me një grua, të arsimuar, të arritur dhe në përgjithësi më mendjehapur se ata vete, me vetëdije të plotë dhe qëllimshëm e zgjedhin makinerinë e gjuhës së gërditshme dhe primitive. Fillojnë komentet tipike primitive që gjithsesi lidhen me moral (sido që të jetë një kategorizim i tillë) dhe me ngjyrë të flokëve!

Pritjet e civilizuara janë që të merren me çështjen, të debatojnë nëse ka diçka për të thënë, nëse nuk kanë, le të dëgjojnë – dhe çka është me rëndësi të shtrojnë pyetje. Ky quhet shkëmbim me interes të ndërsjellë, nuk po flas për barazi, sepse barazia gjinore duhet të jetë çështje e tejkaluar në ditët tona, në këtë shekull, e kam fjalën për shkëmbim të civilizuar në mes të të dy palëve.

Prandaj, të mos i nënvlerësojmë këto komente që i kanë në shënjestër gratë, si ato në politikë, direkt apo indirekt, po ashtu edhe gratë aktiviste në fusha të ndryshme në shoqërinë tonë. E kemi shembullin nga Mbretëria e Bashkuar, ku rrahja e parlamentares Jo Cox përfundoi me vdekje. Në kohën kur platforma e rrjeteve sociale është gati-gati mënyra e vetme e informimit, dhe fatkeqësisht për shumë njerëz mediumi i vetëm i leximit, duhet të jetë e qartë se gjuha nënçmuese ndaj grave e justifikon edhe dhunën ndaj tyre.