Mesazhi i shteteve themeluese të BE-së për Britaninë e Madhe: Largohuni sa më shpejt!

Gjermania dhe pesë shtetet e tjera themeluese të BE-së duan që Britania e Madhe të braktis sa më shpejt BE-në. Zemërimi kundër kryeministrit David Cameron është i madh.

Në mesin e politikanëve në Bruksel dhe Berlin mbretëron zemërim i madh kundër David Cameronit, i cili e kishte nisur procesin e daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Foto: Shutterstock

Shumica e britanikëve kanë vendosur që vendi i tyre të dalë nga BE, por udhëheqësve politikë në Londër nuk po u ngutet. Kryeministri David Cameron ka thënë se tek pasi të zgjidhet një kryeministër i ri në vjeshtë, do të fillojnë negociatat me BE-në për shkurorëzim. Ish-kryetari i Londrës dhe përkrahësi i Brexitit, Boris Johnson, i cili synon të marrë postin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, ndërkaq, ka thënë se nuk duhet nguti në procesin e largimit. Por krerët e BE-së dhe  shtetet kryesore anëtare të BE-së kanë frikë se zgjatja e procesit të largimit të Britanisë së Madhe do ta paralizojë edhe më shumë BE-në.

Të shtunën Gjermania dhe pesë shtetet themeluese të BE-së kanë shtuar presionin kundër Britanisë së Madhe që pas Brexitit menjëherë të fillojnë bisedimet për daljen nga BE.

«Ky proces duhet të fillojë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, në mënyrë që të mos duket si lojë shahu, që niset dhe ndërpritet», ka thënë ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier pas një takimi të kryediplomatëve të gjashtë shteteve të BE-së në Berlin.

Shtetet themeluese të BE-së, i cili me rastin e themelimit më 1957 fillimisht quhej Bashkësia Ekonomike Europiane, janë Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu. Siç shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA, në BE frikësohen se Britania e Madhe do të zvarrit qëllimisht daljen nga BE. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn tha në adresë të Londrës: «Shpresoj se nuk do të zhvillojmë lojë të maces dhe miut. Duhet të ketë qartësi. Populli ka folur. Dhe ne duhet ta zbatojmë vendimin». Sipas nenint 50 të Marrëveshjes së Lisbonës Britania e Madhe duhet të startojë procesin e daljes, duke dorëzuar një kërkesë përkatëse në Bruksel. Negociatat për Brexit do t’i drejtojë diplomati belg Didier Seeuws, ka shkruar gazeta belge «Het Nieuwsblad».

Në mesin e politikanëve në Bruksel dhe Berlin mbretëron zemërim i madh kundër David Cameronit, i cili e kishte nisur procesin e daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Kur të premten iu drejtua mediumeve për të folur mbi Brexitin, kancelarja gjermane Angela Merkel me asnjë fjalë nuk e përmendi Cameronin dhe as vendimin e tij për t’u tërhequr nga posti i kryeministrit. Duke e injoruar Merkel në një mënyrë e fajësoi atë për katastrofën e shkaktuar. Cameron kishte siguruar pushtetin me premtimin se do të organizojë një referendum për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Lojërat e tij politike duket se e kanë neveritur jo vetëm kancelaren Merkel. Presidenti i Këshillit Europian, Donlad Tusk, nënvizoi: «Në emër të 27 shefave të shteteve dhe qeverive mund të them se jemi të vendosur të ruajmë unitetin tonë si 27. Çfarë nuk na shkatërron, vetëm na forcon». Këtë porosi, tha Tusk, e kishte dëgjuar përherë nga babai i tij. Shefi i grupit parlamentar të Partive Ppopullore Europiane (EVP), Manfred Weber nga CSU-ja gjermane, tha se Cameron e ka ndërtuar karrierën e tij politike duke sulmuar BE-në. Weber tha se duhet të jetë e mundshme që brenda një viti të rregullohen modalitetet e largimit të Britanisë së Madhe nga BE.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE mund t’i nxjerrë telashe të mëdha vetë këtij vendi. Kryeministrja e Skocisë Nicola Sturgeon tha se qeveria e saj «menjëherë» do të fillojë bisedime me Brukselin. Njëkohësisht qeveria skoceze po planifikon të organizojë një referendum të dytë për pavarësinë e Skocisë. Në referendumin e Brexitit Skocia kishte votuar për mbetjen e Britanisë së Madhe brenda BE-së.

Ndërkohë qindra-mijëra njerëz në Mbretërinë e Bashkuar përmes një peticioni po kërkojnë nga qeveria një referendum të radhës mbi daljen nga BE. Interesimi për të nënshkruar peticionin është i jashtëzakonshëm, brenda pak orësh numri i nënshkruesve ka kaluar një milion. Bëhet fjalë për qytetarë që janë të tronditur nga rezultati dhe duan të mbesin në BE.