Mesazhet e kalëruesve cinikë

Mos votoni kandidatët për deputetë, të cilët janë të korruptuar. Me një mesazh të tillë (#AsUne) po pozojnë edhe disa diplomatë në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Çfarë mesazhi cinik, kur dihet se me vite të tëra shtetet e tyre kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me parti e qeveri të korruptuara kosovare.



#AsUne – ky është mesazhi që po shpërndahet këto ditë në mediat sociale. Shkruar mbi një letër A4 këto shenja alfabeti synojnë të përçojnë porosinë se askush nuk duhet të votojë kandidatët e korruptuar në zgjedhjet e 11 qershorit. Të tillë ka në pothuaj të gjitha partitë, të cilat kanë qenë në pushtet dhe sidomos në mesin e të ashtuquajturës «partia më e madhe», e cila nga frika se do t’i humb zgjedhjet vendosi të krijojë një koalicion të mesnatës dhe ta angazhojë si përforcim të përkohshëm Ramush Haradinajn, i cili ka një ëndërr private, me të cilën e argëton miletin qe së paku 15 vjet.

Me fletën që përmban mesazhin #AsUne kanë pozuar edhe disa diplomatë perëndimorë. Edhe ata po i drejtohen qytetarëve me apelin që të mos votohen kandidatët e korruptuar. Faleminderit për këtë angazhim, të dashur ambasadorë, diplomatë të rangut të parë, të dytë e të tretë. Faleminderit edhe ju ndërkombëtarë të tjerë që keni ardhur në Kosovë të ndërtoni demokracinë dhe s’keni bërë gjë tjetër përveç se të mësoni zanatin si të kalëroni nga fondi në fond, nga «projekti» në «projekt», nga «workshopi» në «workshop», nga «seminari» në «seminar» – duke filluar nga Bansko e Bullgarisë deri në Dubrovnik të Kroacisë.

Kur qytetarët e ndershëm të Kosovës i shohin disa diplomatë të shteteve perëndimore duke bërë poza me fletën #AsUne, para syve u shfaqet vetvetiu një mesazh tjetër: #SidomosUne. Sidomos këta diplomatë dhe kalërues fondesh janë pajtuar qe dy dekada me një klan parapolitik, i cili nuk e ka qeverisur Kosovën, por e ka grabitur – ku ka mundur dhe si ka mundur. Dhe diplomatët kanë heshtur ose kanë thënë disa fjalë boshe kundër korrupsionit për të pranuar në postet më të larta të vendit arkitektët e skemave korruptive. Me rëndësi që ky klan politik ka garantuar një stabilitet sipërfaqësor në Kosovë. Mesazhi i burokratëve të Brukselit ndaj sundimtarëve të shumë vendeve të Ballkanit ka qenë ky: «Ju na garantoni stabilitet, ne i mbyllim sytë përballë plaçkitjes së organizuar të shtetit». Se ku çon kjo politikë e kemi parë në Maqedoni: në një gjysmëdiktaturë me politikanë të korruptuar deri në fyt, të cilët janë të gatshëm të djegin edhe parlamentin për të mos u larguar nga pushteti.

Në Kosovë madje pas zgjedhjeve të vitit 2010, të cilat, sipas diplomatëve, u vodhën në mënyrë industriale nga «partia më e madhe», u pranua një qeveri që s’kishte kredibilitet as elektoral, as publik. Me rëndësi për diplomatët ishte që kjo qeveri të shtirej se po negocion në Bruksel për «normalizimin» e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, jo mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo, sipas ofiqarëve brukselianë, është politikisht jokorrekte. Aman, nuk duhet acaruar e zemëruar Serbia duke ia përmendur ekzistencën e Kosovës. Kështu me gjasë mendonin e besonin ekipet e diplomateve Catherine Ashton dhe Federica Mogherini.

Dhe ja rezultati: sot, më 31 maj 2017, ish-ultranacionalisti serb Aleksandar Vuçiq, ai që për një serb të vrarë përbetohej se do të vriteshin njëqind myslimanë, ndërsa problemi i Kosovës, sipas tij, do të zgjidhej duke i infektuar me një sëmundje ngjitëse shqiptarët e Kosovës, pra Vuçiqi sot dha betimin se do ta mbrojë integritetin territorial të Serbisë, përfshirë edhe «krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë». Ky është rezultati i negociatave të Brukselit i qeverive të deritanishme totalisht të papërgjegjshme të Kosovës. Dhe ky është rezultati i politikës pa koncept ndaj Ballkanit të shteteve që sot u thonë ambasadorëve të tyre në Prishtinë: merreni pak në dorë atë fletën dhe dilni pozoni #AsUne, #AsUne, #AsUne. Por, njerëzit nuk janë të verbër. Edhe ju, sidomos ju, zotërinj e zonja diplomatë, bartni përgjegjësi për situatën e rëndë në Kosovë.

Qytetarëve të Kosovës u kujtohet mirë një ambasador arrogant, i cili u bë aleat i pushtetit të korruptuar, ndonëse në fillim të mandatit të tij kishte mbajtur një fjalim, të cilin është përherë mirë ta citojmë gjerë e gjatë për të parë hendekun mes asaj që thuhet dhe asaj që përpihet nga diplomatët perëndimorë. Ambasadori në fjalë kishte thënë: «Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme. (…) Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe për të akumuluar pasurinë».

Fjalë të thëna në vitin 2010. Në vitin 2017 ambasadorët pozojnë me një fletë A4 me mesazhin #AsUne, ndërsa u drejtohen politikanëve të njëjtë, me të cilët kanë bashkëpunuar gjatë gjithë këtyre viteve. Qytetari i thjeshtë i Kosovës, i cili ka mbetur i izoluar qe një çerek shekulli dhe i cili i prin tabelës së europianëve më të varfër nuk u beson më as mesazheve të kalëruesve cinikë ndërkombëtarë. Dhe aq më pak matadorëve të korruptuar vendorë.