Mesazhe të Vetëvendosjes në Zvicër

Për disa ditë, në Zvicër po qëndron kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetarja dhe deputeti i saj nga Diaspora. Ata do të kenë takime me autoritete zvicerane dhe me mërgatën shqiptare. Njërin prej tyre – në Cyrih – tanimë e kanë absolvuar. Një raport.




Në sallë ushtojnë tingujt e himnit të flamurit kombëtar shqiptar. Më pak se 100 pjesëmarrës e nderojnë me qëndrim në këmbë. Visar Ymeri, Fatmire Kollçaku dhe Faton Topalli i kanë stolisur xhaketat e tyre në shenjë homazhi me ikona të aktivistit të tyre që e humbi jetën në burg, Astrit Dehari. Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje e pikës së Cyrihut, Njomëza Gutaj, ua jep fjalën mysafirëve dhe i fton pjesëmarësit për debat dhe të mos kursehen me pyetje. Sepse, «pyetje të këqija nuk ka».

Mesazhe me numra

Faton Topalli evokon zhvillimin e statusit të mërgimtarëve në Zvicër dhe e kujton faktin që njëherë madje kamarieri ishte një pfofesion me prestigj të lartë social. Pas 30 vjetësh, konstaton ai, shqiptarët i lërojnë të gjitha fushat e veprimtarisë në Zvicër. Topalli e citon kryetarin e partisë së tij: «Njerëzit më të meçur i kemi në mërgatë», një potencial i pashfrytëzuar. Sipas informacioneve të Topallit, numri i qytetarëve shqiptarë në Zvicër «që flasin shqip dhe kanë shtetësi zvicerane» shkon në 170’000. Për të, mërgata është faktori kryesor i paqes sociale në Kosovë; mbi 780 milionë euro kapital të mërgimtarëve rrjedhin në buxhetin prej 1,6 miliard të Kosovës. Megjithatë, u qan hallin Topalli mërgimtarëve, pa mundësi pjesëmarrjeje në jetën shoqërore të vendit.

Dhe, hyn vërtet në temë: «Jeta në Kosovë është shumë më e shtrenjtë nga ajo në Zvicër!». Ai ilustron: Në Zvicër 1 litër qumësht e blen për 1 frang, në Kosovë për të paguan 1 euro, ndërsa rrogat shkojnë 250-300 euro. Në marrëdhënie pune është çdo i dhjeti i ri dhe çdo e nënta grua. Ai nuk i referohet mesatares së përgjithshme, ndonëse edhe me atë nuk mund të lavdërohet askush. Perspektiva e tyre paraqitet e zymtë. 122’000 qytetarë jetojnë me nga 50 euro ndihmë sociale në muaj. 410’000 qytetarë jetojnë nga buxheti i shtetit; diçka mi 80’000 janë vende pune, që paguhen si të tilla, të tjerat kryesisht pensione të ndryshme – minatorë dhe veteranë lufte. Mesatarja e të ardhurave ditore e këtyre 327’000 vetave del rreth 80 centë, ndërkohë që sa gjysma e kësaj kushton gjysmë kilogrami bukë.

Topalli nuk ka dilemë: Vendi është shndërruar në diktaturë. Rastin e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, Topalli e përshkruan me një fjali: «Është marrë nga gjumi, është çuar në burg dhe i është kthyer familjes në arkivol». Mazhoranca po e pamundëson në çdo mënyrë një diskutim parlamentar për këtë rast. Për Vetëvendosjen ka një përgjegjësi politike. Fundja, familja e tij dhe ai e kishin një karrierë emigracioni; Topalli e interpreton këtë rast si mënyrën në të cilën Qeveria i trajton mërgimtarët. Ai e sjell të gatshëm konkluzionin: «Kjo gjendje nuk ka mundësi të ndryshojë me këtë mëyrë qeverisjeje». Dhe, sigurisht e fton mërgatën të angazhohet për ta përkrahur forcën e tij.

Mesazhe nga përvoja personale

Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Kollçaku, e përshkruan kalvarin që duhet të kalojë një kosovar për ta marrë një vizë për një vizitë në Zvicër. Qeveritarët, sipas saj, janë indiferentë ndaj dinjitetit të nëpërkëmbur të qytetarëve. Ajo flet për procedura, verifikime dhe pritje pa fund, sikur kosovarët mezi presin të vendosen jashtë. Por: «Jo! Ne e duam vendin tonë!», i përkujton ajo skeptikët perëndomorë dhe i kthen shigjetat nga vendorët: «Por, ne e duam një Kosovë ndryshe!». Sipas saj, arsyeja se përse po ikin kosovarët është mu kjo mënyrë qeverisjeje e vendit.

Fatmire Kollçaku duhet t’i zhgënjejë ata që mendojnë se duke qenë të izoluar, kosovarët janë në gatshëm t’i falin të gjitha në këmbim të Lëvizjes së Lirë. Kosova nuk ka tokë për të falur, aludon ajo në mënyrë eksplicite në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe kujton peticionin e 205 mijë qytetarëve kundër demarkacionit, përkatësisht «Zajednicës». Por, klasa politike nuk ka vesh për këta zëra; prandaj «është koha për ta ngrehur kokën dhe për ta marrë fatin në duart tona», guxon Kollçaku.

Ajo e josh opinionin duke u betuar për meritokracinë që mbizotëron në Lëvizjen Vetëvendosje dhe mundësitë e ngritjes në pozitë. Me vetë shembullin e saj, duke rrëfyer se si është avancuar në nënkryetare të Lëvizjes me vetëm tre vjet anëtarësi. Kollçaku nuk ka dyshim: «Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja që ka mundësi ta ndryshojë realitetin kosovar».

Dhe, vazhdon duke iu referuar përvojës individuale si mjeke, që nuk e ka të domosdoshme të angazhohet politikisht. Asaj i është dashur një platformë nëpërmjet së cilës do t’i dëgjohet zëri. Ajo e lavdëron performansën dhe integritetin e deputetëve të partisë së vet në Parlament. Kurse ata që nuk janë aty i fton ta ngrenë zërin e tyre nëpër sheshe. Nënkryetarja e refuzon inercionin e tipit «të gjitha partitë janë të njëjta» dhe sjell shembullin e qeverisjes së Prishtinës si përgënjeshtrim.

Nga perspektiva teorike

Kreu i Vetëvendosjes në diskursin e tij në thelb i referohet dështimit të pushtetit në tri rrafshe. Ai fillimisht e merr në thumb kapitullimin në raport me qytetarët. Dhe, i referohet rastit të aktivistit të Ventëvendosjes, Astrit Dehari. Lideri në ligjëratën e tij u mor me mënyrën si e ka trajtuar pushteti këtë rast, të cilin ai e kualifikon të montuar. Ai e çmonton versionin zyrtar të vdekjes së aktivistit, duke e kujtuar deklaratën preliminare të komandantit lokal të Policisë, i cili vdekjen e vlerësoi si rrjedhojë e mbidozës së barnave. Visar Ymerin nuk e ngushëllon përfundimisht as autopsia e specialistëve të caktuar nga familja e viktimës, e cila, megjithatë, e demanton Policinë, duke zbuluar si shkak të vdekjes asfiksinë. Kryetari, në përgjithësi, e identifikon prirjen e Prokurorisë për ta orientuar ngjarjen nga versioni zyrtar.

E dyta për Ymerin është dështimi i pushtetit në raport me territorin. Duke u shërbyer njëlloj me shembuj nga zhvillimet më aktuale. Para së gjithash, me rrëmujën e demarkacionit, një proces i zhvilluar në mungesë absolute të transparencës. Dhe, kur gjërat detyrohen të zbardhen, sipas Ymerit, del në shesh që i gjithë procesi ka qenë i lajthitur dhe kurorëzohet me një humbje territori prej mbi 8’200 hektarësh në kurriz të Kosovës. Për kreun e Vetëvendosjes nuk është i gabuar thjesht rezultati i demarkacionit, por parametrat që e kanë caktuar definimin e tij, të cilët detyrimisht do të shpinin në një produkt të përçudnuar. Ky demarkacion, sipas Ymerit, është një agresion kundër territorit të Kosovës, me të cilin, për më tepër, vendi zhvishet nga resurse vitale të tij.

Në plan të tretë, sipas Visar Ymerit, pushteti ka dështuar në raport me shtetin. Shembulli më i parë për këtë është Asociacioni i Komunave Serbe. Për Ymerin, ky pranim është cenim i sovranitetit dhe i barazisë së qytetarëve. Me një fjalë: «rrënohen themelet e republikës». «Zajednica» për liderin e cenon unitetin e shtetetit, duke u etabluar si një nivel i tretë administrativ, ndërmjet atij qendror dhe lokal. Sipas Visar Ymerit, Kosova është duke rrëshqitur në drejtim të modelit boshnjak. Ndërkohë që atë në rajon e inspiron më tepër paradigma kroate, një vend me një performansë më të lavdëruar të afirmimit të sovranitetit dhe të integrimit.

Visar Ymeri nga një perpektivë platonike e vëren një trend të katandisjes së vazhdueshme. Dhe, s’do mend që nuk mund të bëhet më mirë pa e ndaluar këtë rokullisje në krim dhe korrupsion. Sipas përfaqësuesve të Vetëvendosjes, garancë e këtij ndryshimi është Lëvizja e tyre.

Pjesëmarrësit në takim nuk tregojnë ndonjë prirje për t’i kontestuar parashtrimet e panelit. Të shtunën dhe të dielën, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate në Zvicër. Po të dielën, ai do ta ketë një takim me mërgimtarë në Bernë. Ndërsa më së voni në qershor 2018 do të shihet sa i ka bindur ata Vetëvendosje.