Mesagjeri i landit i Hesenit: Një kushtrim për liri

Në vitin 1834 shkrimtari gjerman Georg Büchner shkroi Mesagjerin e landit të Hesenit, një prej proklamatave më të rëndësishme të letërsisë gjermane. Thirrja «Paqe kasolleve! Luftë pallateve!» është e ngulitur thellë në mendësinë e demokratëve gjermanë – edhe sot e kësaj dite. Mesagjeri (ose Hessischer Landbote në gjermanisht) është shembull i jashtëzakonshëm i publicistikës kryengritëse. Në vijim e gjeni të botuar këtë kushtrim në përkthimin brilant të Ardian Klosit.

Georg Büchner.



Mesazhi i parë
Darmstadt, nëntor 1834

SHËNIM PARAPRAK

Kjo letër dëshiron t’i thotë të vërtetën landit të Hesenit, mirëpo kush thotë të vërtetën, varet; madje edhe ai që lexon të vërtetën ndoshta do të dënohet nga gjyqtarë që bëjnë be të rreme. Për këtë arsye vëmë në dukje për ata që do ta marrin këtë letër në dorë, sa më poshtë:

  1. Ata duhet ta ruajnë letrën nga policia në vend të sigurt jashtë shtëpisë;
  2. ata mund t’ua komunikojnë atë vetëm miqve besnikë;
  3. atyre të cilëve nuk u besojnë si vetvetes, mund t’ua venë fshehurazi për ta lexuar;
  4. nëse megjithatë letra gjendet te dikush që e ka lexuar, ky duhet të deklaroje se ka dashur ta sjelle te këshilli i qarkut;
  5. kush nuk e ka lexuar letrën dhe ia gjejnë, ai natyrisht është i pafajshëm.

PAQE KASOLLEVE! LUFTË PALLATEVE!

Në vitin 1834 duket sikur biblës i dolën gënjeshtrat. Duket sikur Zoti i bëri fshatarët dhe zanatçinjtë ditën e pestë, ndërsa princat dhe të mëdhenjtë ditën e gjashtë, e sikur Perëndia t’u kishte thënë këtyre: sundoni mbi gjithë kafshët që hiqen zvarre përmbi tokë e ndër to fshatarët e qytetarët i kishte numëruar te krimbat. Jeta e princave është një e diel e gjatë; ndërsa populli rri nën ta siç rri plehu mbi ara. Fshatari shkon mbrapa plugut, kurse nëpunësi i princit shkon mbrapa fshatarit dhe e ysht atë me hosten pas plugut; princi merr grurin dhe i lë popullit kallmet. Jeta e fshatarëve është një ditë e gjatë pune; të huajt ia bluajnë para syve frytin e arave të tij, trupi i tij është një kallo e madhe, djersa e tij është kripa mbi tryezën e fisnikut.

Në dukatin e madh të Hessenit banojnë 718’373 banorë të cilët i japin shtetit për vit 6’363’436 guldena si

  1. taksa të drejtpërdrejta – 2 128 131 guldena
  2. taksa të tërthorta – 2 478 264 guldena
  3. domene – 1 547 394 guldena
  4. regalie – 46 938 guldena
  5. gjoba – 98 511 guldena
  6. burime të tjera – 64 198 guldena

Total: 6’363 363 guldena

Këto para janë e dhjeta e gjakut që merret nga trupi i popullit. Rreth shtatëqind mijë njerëz derdhin djersë, rënkojnë e vuajnë urie për to. Atyre u bëhet shantazh në emër të shtetit.

Shantazhierët tregojnë nga qeveria, ndërsa qeveria thotë se këto janë të nevojshme për të ruajtur rendin e shtetit. Po ç’është kjo gjë e hatashme që quhet shtet? Në qoftë se një numër i caktuar njerëzish jeton në një vend dhe për të ekzistojnë rregulla e ligje pas të cilave secili duhet të orientohet, atëherë ata përbëjnë së bashku një shtet. E pra shteti janë të gjithë; rendruajtësit e shtetit janë ligjet që sigurojnë të mirën e të gjithëve e cila duhet të dalë nga e mira e të gjithëve. – Po shikoni tani se ç’kanë bërë me shtetin në dukatin e madh; shikoni ç’do të thotë: të ruash rendin në shtet! Për këtë gjë shtatëqind mijë njerëz paguajnë gjashtë milion, domethënë kthehen në kuaj are e në kafshë plugu, me qëllim që të jetojnë në rend. Të jetosh në rend do të thotë të vuash urie e të të pinë gjakun.

Kush janë ata që e kanë bërë këtë rend dhe që mbikëqyrin ruajtjen e tij? Kjo është qeveria e dukatit të madh. Qeveria përbëhet nga duka i madh dhe nëpunësit e tij të lartë. Nëpunësit e tjerë janë njerëz që i thërret qeveria për të mbajtur rendin në fuqi. Numri i tyre është një legjion i vërtetë: këshilltarë shteti e këshilltarë qeverie, këshilltarë landi e këshilltarë qarku, këshilltarë kishtarë e këshilltarë shkollash, këshilltarë financash e këshilltarë pyjesh etj. me gjithë ushtrinë e tyre të sekretarëve etj. Populli është kopeja e tyre, kurse ata janë barinjtë, mjelësit dhe gjakpirësit e tij. Atyre ua jepni ju gjashtë milionë guldena detyrime; për to ata duhet të bëjnë mundimin që t’ju qeverisin ju, domethënë të ushqehen prej jush e t’ju grabisin juve të drejtat tuaja njerëzore e qytetare. Ja pra se cilat janë frytet e djersës suaj.

Për ministrinë e punëve të brendshme e të mbikëqyrjes së drejtësisë paguhen një milion e njëqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e shtatë guldena. Për to ju siguroni një lëmsheli ligjesh, të grumbulluara nga urdhëresat arbitrare të të gjithë shekujve, të shkruara më së shumti në gjuhë të huaj. Aty është trashëguar për ju marrëzia e gjithë brezave të mëparshëm, shtypja që rëndonte mbi ta është kaluar mbi ju. Kjo drejtësi është vetëm një mjet për t’ju mbajtur ju nën rend, në mënyrë që t’jua pinë gjakun më kollaj; ajo flet nëpërmjet ligjesh të cilat ju nuk i kuptoni, nëpërmjet parimesh të cilat ju nuk i dini, nëpërmjet vendimesh të cilat ju nuk i kapni. Ajo është e pakorruptueshme sepse paguhet fort shtrenjtë e kështu s’ka nevojë për korruptim. Shumica e gjykatësve i janë shitur qeverisë nga maja e flokut te maja e thonjve. Kolltukët e tyre qëndrojnë mbi një pirg parash prej 461’373 guldenash (kaq janë shpenzimet për gjykatat dhe procedurat penale).

Fraqet, bastunët dhe shpatat e shërbyesve të saj të paprekshëm janë veshur me argjendin e 197’502 guldenave (kaq kushton policia, xhandarmëria etj). Në Gjermani drejtësia është kurva e princave. Çdo hap drejt saj ju duhet ta shtroni me argjend, vendimet e saj ju i blini me varfërinë dhe poshtërimin tuaj. Kujtoni vetëm letrat me vula, kujtoni kërrusjen tuaj në sekretaritë e gjyqit dhe pritjet e gjata para tyre.

Kujtoni rendjen pas shkruesve dhe shërbëtorëve të gjyqit. Ju mund ta padisni fqinjin që ju vjedh një patate, provoni njëherë të ngrini padi kundër vjedhjes që i bën shteti çdo ditë pronës suaj, në mënyrë që të majmet prej djersës suaj një legjion i tërë nëpunësish pa dobi; provoni të ngrini padi pse i jeni lëshuar arbitrarizmit të personave pa ndërgjegje dhe pse ky arbitrarizëm quhet ligj; ngrini padi pse jeni kuajt e arës së shtetit; ngrini padi për të drejtat njerëzore që ju kanë humbur: ku janë ato gjykata që do ta pranonin padinë tuaj; ku janë gjykatësit që do të vendosnin drejtësinë? – Vargonjtë e bashkëqytetarëve tuaj të Fogelsbergerit, të cilët i hoqën zvarrë për në Rokenburg, do t’ju japin përgjigje për këtë.

E në qoftë se më në fund ndonjë gjykatës ose një nëpunës, nga ata të paktët për të cilët e drejta dhe e mira e përgjithshme është më e rëndësishme se barku i tyre dhe se paraja, dëshiron të jetë këshilltar i popullit dhe jo gjakpirës i popullit, atëherë ai do të dërrmohet nga këshilltarët e lartë të vetë princit.

Për ministrinë e Financave 1 551 502 guldena.

Me këto paguhen këshilltarët financiarë, kryetaksidarët, nëpunësit e pensioneve, korrierët e taksave, tagrambledhësit e ulët. Për këto përllogaritet prodhimi i arave tuaja dhe numërohen kokët tuaja. Pakësohet toka nën këmbët tuaja, kafshata mes dhëmbëve tuaj. Për këtë gjë mblidhen zotërinjtë me fraqe kurse populli rri para tyre lakuriq dhe i kërrusur; ata vënë dorën mbi ijet dhe shpatullat e tij dhe përllogaritin se sa mund të mbajë ai akoma, e në qoftë se janë të mëshirshëm atëherë veç në atë masë siç mëshirojnë një kafshë, se cilës ia kanë nevojën duke e mbajtur me ushqimin minimal për një punë maksimale.

Për ushtrinë paguhen 914’820 guldena.
Për këto para djemve tuaj u veshin mbi trup një xhaketë laramane, u hedhin mbi sup një pushkë ose një daulle e i lënë që të qëllojnë qorrazi çdo vjeshtë dhe të tregojnë se si zotërinjtë e oborrit dhe djemtë harbutë të fisnikërisë ecin përpara gjithë fëmijëve të njerëzve të ndershëm, vijnë rrotull me ta në rrugët e gjera të qyteteve me daulle e me trompeta. Për ato 900’000 guldena djemtë tuaj duhet t’u betohen për besnikëri tiranëve e duhet të bëjnë roje te pallatet e tyre. Me daullet e tyre ata shurdhojnë ofshamat tuaja, me kondakët e tyre ata ju dërrmojnë kafkat nëse guxoni të mendoni se jeni njerëz të lirë. Ata janë vrasësit e ligjshëm që mbrojnë grabitësit e ligjshëm — mendoni për Soedelin! Atje vëllezërit e fëmijët tuaj ishin vëllavrasës dhe atvrasës.

Për pensionet 480 000 guldena.
Me këto të holla vendosen mbi shilte nëpunësit pasi që i kanë shërbyer besnikërisht për një periudhë të caktuar shtetit, domethënë pasi kanë qenë vegla të zellshme në gjakpirjen e rregulluar sistematikisht që quhet rend dhe ligj.

Për ministrinë e Shtetit dhe këshillin e Shtetit 174’600 guldena.
Maskarenjtë më të mëdhenj aktualisht ndodhen kudo në Gjermani më pranë princave, së paku në dukatin e madh. Ja për shembull ministri i shtetit dy Til, i cili paguhet çdo vit me 15’000 guldena — domethënë në qoftë se do të rrijë për tridhjetë vjet ministër, i bie që të gëlltisë vetëm për veten gati një gjysmë milioni, ja dhe këshilltari i shtetit Knap, të cilin Gagerni i ri e quajti, me miratimin e shtresave të landit, kapobandë të një partie pa besë e pa nder; nuk gjen asnjë ministër që të mos ketë bërë së paku dy herë be të rreme. Ata janë betuar se nuk do të mbledhin taksa pa miratimin e shtresave të landit; mirëpo në qoftë se këta nuk miratojnë qorrazi, atëherë i shpërbëjnë — e kështu vazhdojnë të mblidhen taksat e pamiratuara. Ata janë betuar se nuk do t’i prekin gjykatat dhe do t’i lënë në pavarësinë e tyre! Mirëpo njerëz sikurse presidentin Miningerode ata e largojnë nga zyrat dhe e zëvendësojnë me gjykatës si hajdutin e milionave Veler; ose çështje civile sikurse çështjen e dr. Shulcit ata ua kalojnë gjykatave ushtarake duke e lënë të ashtuquajturin princ Emil të përcaktojë se sa vjet duhet të vuajë i padituri burg në kështjellë. – Në qoftë se qëllon të vijë ndonjë burrë i ndershëm në një këshill shteti, pa kaluar gjatë ai do të mënjanohet. Edhe nëse ndodh që të bëhet e të rrijë ministër një njeri i ndershëm, atëherë, kështu siç janë punët në Gjermani, ai do të jetë vetëm një kukull me tela që i luan kukulla princërore, ndërsa vetë buratinit princ ia tërheq fijet e shoqja dhe dashnori i saj, ose gjysmë vëllai i tij, ose një shambellan ose një karrocier — ose të gjithë së bashku. Në Gjermani ndodh ashtu siç e përshkruan profeti Misha në kapitullin 7, V. 3 dhe 4: «Të pushtetshmit vendosin pas dëshirës së tyre që të bëjnë dëm dhe e bëjnë këtë dëm siç dëshirojnë. Më i miri mes tyre është si një gjemb, më i ndershmi si një gardhiqe». Por ju duhet t’i paguani shtrenjtë këta gjemba e gardhiqe, pasi ju duhet të paguani edhe për derën e madhe dukale dhe oborrin e saj 827’772 guldena.

Institucionet, njerëzit, për të cilët fola deri tani, janë vetëm vegla, janë veç shërbëtorë. Ata nuk bëjnë asgjë në emrin e tyre, nën emërimin për ofiqin që kanë ndodhet një L, ajo do të thotë Ludvigu me hirin e Zotit dhe ata shqiptojnë me respekt e frikë: «Në emër të dukës së madh». Kjo është britma e tyre ushtarake kur nxjerrin në ankand almiset tuaja, kur vënë përpara bagëtinë tuaj, kur ju rrasin në birucë. Në emër të arqidukës thonë ata, e personi që e quajnë me këtë emër mbahet si i paprekshëm, i shenjtë, sovran, lartmadhëri mbretërore. Po shkoni pak tek ai njeri dhe vështroni përmes mantelit të tij princëror. Ai ha kur ka uri, fle kur i erren sytë. Vëreni pak, erdhi zvarrë e i butë në këtë botë sikurse ju e do të iki po aq i ngurtë dhe i ngrirë si ju e megjithatë jua ka vënë këmbën e vet mbi zverk, ka 700’000 njerëz te plugu i vet, ka pushtet mbi pronën tuaj nëpërmjet taksave që i nxjerr vetë, mbi jetën tuaj përmes mes ligjesh që i shkruan vetë, mban rreth vetes zotërinj e zonja të cilët i quan oborr, ndërsa pushteti i tij hyjnor trashëgohet te fëmijët e tij bashkë me gra, të cilat janë dhe ato prej fisesh po kaq njerëzore.

Mjerë ju shërbëtorë idhujsh të rremë! — Ju jeni si ata paganët që i falen krokodilit i cili ka për t’i shqyer. Ju i vini atij mbi krye një kurorë, po ajo është një kurorë me gjemba që e rrasni mbi kokën tuaj; i jepni atij në dorë një skeptër, por ajo është një thupër me të cilën ai ju zbut, e vendosni mbi fron, por ajo është karrige torturash Për ju dhe fëmijët tuaj. Princi është koka e shushunjës, që hiqet zvarrë mbi ju, ministrat janë dhëmbët, kurse nëpunësit bishti i tij. Barqet e uritura të të gjithë zotërinjve fisnikë, të cilëve ai u shpërndan postet e larta, janë kupat gjakthithëse që ai vendos mbi trupin e vendit. L-ja që gjen nën urdhëresat e tij është simboli i kafshës së cilës i falen idhujt e kohës sonë. Manteli princëror është qilimi mbi të cilin rrokullisen njëri përmbi tjetrin ndër epshet e tyre zotërinjtë dhe zonjat e fisnikërisë dhe të oborrit — ata mbulojnë çibanët e tyre me dekorata e shirita, me petka të shtrenjta ata veshin trupat e tyre leprozë. Vajzat e popullit janë shërbëtoret dhe kurvat e tyre, djemtë e popullit lakenjtë dhe ushtarët e tyre. Ejani njëherë në Darmshtat dhe shikoni me sytë tuaj se si dëfrehen zotërinjtë me paratë tuaja, e pastaj tregojuni grave dhe fëmijëve tuaj të uritur për rrobat e bukura që lyhen me ngjyrën e djersës suaj, për shiritat delikatë që priten nga kallot e duarve tuaja, – tregojuni për shtëpitë madhështore që janë ngritur me kockat e popullit; futuni pastaj zvarrë në kasollet tuaja gjithë tym dhe kërrusni shpinën mbi arat tuaja gjithë gurë me qëllim që edhe fëmijët tuaj të mund të shkojnë njëherë atje kur një princ trashëgimtar kërkon së bashku me princeshën e tij trashëgimtare të marrë këshillë për një tjetër princ trashëgimtar e të mund të shikojnë përmes dyerve prej xhami mësallën e tryezës mbi të cilën gostiten zotërinjtë, t’u marrin erë llambadarëve që ndriçojnë me dhjamin e fshatarëve.

Të gjitha këto ju i duroni, pasi horrat ju thonë juve: «Kjo qeveri është e paracaktuar nga Zoti». Kjo qeveri nuk është prej Zotit, po prej atit të rrenave. Këta princa gjermanë nuk janë një autoritet i ligjshëm epror, porse kanë përçmuar e në fund e kanë tradhtuar prej shekujsh autoritetin e ligjshëm epror, perandorin gjerman i cili dikur është pasë zgjedhur në liri prej popullit. Pushteti i princave gjermanë ka buruar nga tradhtia dhe beja e rreme e jo nga zgjedhja e popullit, ndaj dhe qenia dhe vepra e këtij pushteti është e mallkuar nga Zoti, urtësia e tij është mashtrim, drejtësia e tij është gjakpirje. Ata e shkelin vendin me këmbë dhe dërrmojnë njerëzit e mjeruar. Ju bëni blasfemi ndaj Zotit kur e quani njërin prej këtyre princave një të bekuar prej Perëndisë, që do të thotë: Zoti paskej bekuar djallin dhe i paskej vendosur princat mbi tokën gjermane. Këta princa e kanë copëtuar Gjermaninë, atdheun tonë të shtrenjtë, ata e kanë tradhtuar perandorin, të zgjedhur nga paraardhësit tanë të lirë e tani këta tradhtarë dhe torturonjës njerëzish kërkojnë prej jush besnikëri! – Mirëpo perandorisë së errësirës po i vjen fundi. Edhe pak dhe Gjermania, të cilën sot e shfrytëzojnë deri në palcë princat, do të rilindë si një republikë me një pushtet të zgjedhur nga populli. Shkrimi i Shenjtë thotë: jepini perandorit atë që është e perandorit. Po çfarë u takon këtyre princave, tradhtarëve?- Pjesa e Judës!

Për shtresat e landit 16’000 guldena.
Në vitin 1783 populli i Francës u lodh së qeni gërdalla e mbretit të vet. Ai ngriti krye dhe thërriti t’i vijnë në ndihmë burra të cilëve u besonte e këta burra u mblodhën së bashku dhe thanë se mbreti është një njeri si gjithë të tjerët, ai është vetëm shërbëtori i parë në shtet, ai duhet të jepte përgjegjësi përpara popullit dhe nëse e kryente keq detyrën e tij mund dhe të dënohej. Pastaj ata shpallën të drejtat e njeriut: «Askush nuk trashëgon prej tjetrit kur lind një të drejtë ose një titull, askush nuk përfiton me pronën një të drejtë përpara të tjerëve. Pushteti më i lartë i nënshtrohet vullnetit të të gjithëve ose të shumicës. Ky vullnet është ligji, ai shprehet përmes shtresave apo përfaqësuesve të popullit, këta zgjidhen nga të gjithë dhe kushdo mund të zgjidhet; këta të zgjedhur shprehin vullnetin e zgjedhësve të tyre e kështu vullneti i shumicës së tyre i përgjigjet vullnetit të shumicës së popullit; mbreti duhet vetëm të kujdeset për zbatimin e ligjeve të nxjerra prej tyre». Mbreti u betua që do t’i rrinte besnik kësaj kushtetute, por ai e shkeli betimin ndaj popullit dhe populli e ekzekutoi, ashtu siç i shkon një tradhtari. Pas kësaj francezët e abroguan titullin e trashëgueshëm mbretëror dhe zgjodhën të lirë një pushtet të ri, për të cilin çdo popull ka të drejtë mbështetur mbi arsyen dhe Shkrimin e Shenjtë. Njerëzit që duhej të mbikëqyrnin zbatimin e ligjeve u emëruan nga asambleja e përfaqësuesve të popullit, ata përbënin pushtetin e ri. Kështu qeveria dhe ligjvënësit u zgjodhën nga populli dhe Franca u bë republikë.

Mirëpo mbretërit e tjerë u tmerruan nga fuqia e popullit frëng, ata menduan se të gjithë do ta thyenin qafën te kufoma e parë mbretërore e se nënshtetasit e tyre të keqtrajtuar mund të zgjoheshin nga thirrja për liri e francezëve. Me pajisje të hatashme luftarake e të ngjeshur në armë ata u derdhën nga të gjitha anët mbi Francën e një pjesë e madhe e fisnikërisë së vendit u hodh në anën e armikut. Atëherë populli i zemëruar keq u ngrit me të gjitha fuqitë e veta. Ai i dërrmoi tradhtarët dhe i shtypi mercenarët e mbretërve. Liria e re u rrit në gjakun e tiranëve dhe prej zërit të saj u drodhën fronet dhe brohoritën popujt. Mirëpo francezët e shitën vetë lirinë e tyre të re për lavdinë që u ofroi Napoleoni dhe e ngritën këtë në fronin perandorak. — Atëherë i gjithëfuqishmi bëri që ushtritë e perandorit të ngrijnë në Rusi dhe e kërrusi Francën nën kërbaçin e kozakëve, duke u dhënë sërish francezëve për mbretër Burbonët barkderra, në mënyrë që Franca t’i kthente kurrizin idolatrisë së mbretërisë të trashëgueshme dhe t’i shërbente Perëndisë e cila i ka krijuar njerëzit të lirë dhe të barabartë. Por kur mbaroi koha e dënimit të tij dhe burra guximtarë e dëbuan nga vendi në korrik 1830 mbretin berremë Karl i X, Franca e çliruar iu kthye megjithatë edhe njëherë sundimit mbretëror gjysmë të trashëgueshëm dhe vuri nën shtinjakun Lui Filip një kërbaç të ri. Ndërsa në Gjermani dhe në gjithë Europën u përhap gëzim i madh kur u rrëzua nga froni Karli i X, landet e shtypura gjermane u ngritën në luftë për liri. Atëherë princat që donin t’i shpëtonin zemërimit të popullit, më dinakët mes tyre thanë: Le ta japim një pjesë të pushtetit tonë që të ruajmë pjesën tjetër. Kështu dolën para popullit dhe thanë duam t’jua dhurojmë lirinë për të cilën doni të luftoni ju. – E duke u dridhur nga frika ata i hodhën atij disa thërrime dhe folën për mëshirën e tyre të madhe. Për fat të keq populli u besoi dhe u qetësua. – E kështu Gjermania u mashtrua sikundër Franca.

Se çfarë janë kushtetutat në Gjermani? Asgjë më shumë se kashtë pa koqe, pasi që princat i kanë shkundur për vete kokrrat e grurit. Çfarë janë parlamentet tona të landeve? Asgjë tjetër përveçse ca karro të ngadalta të cilat ia shtyjnë në rrugë makutërisë së princave dhe ministrave të tyre, por nga të cilat nuk mund të ndërtohet kurrë një kështjellë e fuqishme për lirinë gjermane. Çfarë janë ligjet tona zgjedhore? Asgjë tjetër përveçse shkelje e të drejtave qytetare të njeriut për shumicën e gjermanëve. Mendoni vetëm ligjin zgjedhor në arqidukat, sipas të cilit nuk mund të zgjidhet askush që s’është i kamur, sado i drejtë e mendjeçelët të jetë, por mund të zgjidhet Grolmani, i cili donte t’ju rripte dy milionë. Mendoni pak për kushtetutën e dukatit të madh. Sipas neneve të saj, duka i madh është i pacenueshëm, i shenjtë dhe pa përgjegjësi. Ofiqi i tij trashëgohet në familjen e vet. Ai thërret shtresat e landit, shtyn mbledhjen e tyre ose i shpërndan ato. Shtresat nuk kanë të drejtë të bëjnë projektligje, ato duhet të luten për ligjin të cilin princi mund ta lëshojë ose ta refuzojë sipas qejfit të tij. Kështu ai ka në dorë një pushtet thuajse të pakufizuar, vetëm se nuk mund të hartojë ligje e nuk mund të nxjerrë taksa të reja pa miratimin e shtresave. Por në njërën anë ai nuk çan kokën shumë për këtë miratim, në anën tjetër atij i mjaftojnë ligjet e vjetra që janë vepër e pushtetit princëror e për këtë nuk i duhen ligje të reja. Një kushtetutë e tillë është mjerim fund e krye. E ç’mund të pritet prej shtresash që janë të lidhura pas një kushtetute të tillë; edhe qoftë se nuk do të kishte ndër të zgjedhurit tradhtarë të popullit dhe burracakë, sikur ato të përbëheshin vetëm nga miq të vendosur të popullit? Ç’mund të pritet nga shtresa që nuk janë në gjendje të mbrojnë as zhelet e një kushtetute mjerane; – e vetmja rezistencë që arritën të bëjnë ishte refuzimi i dy milion guldenave, të cilat duka i madh kërkonte që t’ia jepte dhuratë populli i mbytur në borxhe për të paguar borxhet e veta, e pastaj një milion të tretë për ndërtimin e një kështjelle të re. – Por një lehtësim të peshës së padurueshme të taksave, një ndryshim të krizës së pashërim qeveritare, këto shtresa nuk janë në gjendje të arrijnë. Më parë se një sundimtar i tillë princëror të pushojë një kurorëshkelës të njohur në gjithë qytetin dhe vendin sikurse dy Tili – ai më mirë shpërndan parlamentin e landit. Ai e përmbys zgjedhjen e landit dhe flet publikisht për «durimin e tij ndaj shtresave të landit», sikur të ishte ai, ai që nuk mundet as të paguajë borxhet e veta as të pajisë të birin, pa iu drejtuar shtresave të landit dhe gjithë landit si lypsar, një Zot i vërtetë. – E pra kështu tallet një popull i ndershëm nga përfaqësuesit e vet në mënyrë kushtetuese! – Sikur të kishin shtresat e dukatit të madh të drejta të mjaftueshme, sikur dukati i madh e vetëm ai të kishte një kushtetutë të vërtetë, prapë shkëlqimit shpejt do t’i vinte fundi. Skifterët grabitqarë në Vjenë dhe në Berlin do të zgjasnin kthetrat e tyre prej xhelati e do ta shuanin lirinë e vogël me rrënjë e me degë. I gjithë populli gjerman duhet të luftojë për lirinë. Dhe nuk është larg kjo kohë, të dashur bashkëqytetarë. – Perëndia e ka lëshuar tokën e bukur gjermane, që për shekuj të tërë ishte perandoria më e shkëlqyer e botës, në duart e gjakpirësve të huaj dhe vendas, për arsye se zemra e popullit gjerman është larguar nga liria dhe barazia e të parëve të vet, pasi ju u jeni dorëzuar shërbimeve idolatre të zotërucëve të shumtë, dukëve të vegjël dhe mbretërve gishto.

Perëndia që theu skeptrin e yshtësit të huaj Napoleonit, do t’i thyejë përmes duarve të popullit edhe idhujt e rremë të tiranëve tanë vendas. Vërtet që këta sundimtarë vezullojnë prej floririt dhe xhevahireve, prej dekoratave dhe medaljeve, por në brendësi të tyre krimbi nuk ngordh dhe këmbët e tyre janë prej balte. – Zoti do t’ju japë fuqi që t’ua dërrmoni këmbët, sapo që t’i ktheni shpinën gabimit të shndërrimit tuaj dhe ta njihini të vërtetën: «që Perëndia është vetëm një dhe nuk mund të ketë zota të tjerë krahas tij që e quajnë veten lartësi e madhëri, të shenjtë e të papërgjegjshëm, që Zoti i krijoi të gjithë njerëzit e lirë dhe të barabartë në të drejtat e tyre, dhe se s’ka asnjë pushtet që të jetë caktuar nga Zoti për bekim, përveç atij që mbështetet mbi besimin e popullit dhe që është zgjedhur nga populli shprehimisht ose nënkuptueshëm; ky është një pushtet që mund të ketë sundim por jo të drejtë mbi popullin, e pra që është gjithashtu i Zotit siç është dhe djalli i Zotit dhe se bindja ndaj një pushteti të tillë të djallit vlen vetëm për aq kohë sa nuk mund të përmbyset pushteti i djallit; – që Zoti, i cili e bashkoi një popull përmes një gjuhe në një trup të vetëm, sundimtarët do t’i shqyejë e t’i ndajë më katërsh ose dhe në tridhjetë copësh, do t’i dënojë si vrasës të popullit dhe tiranë, në këtë botë dhe në amshim, sepse siç thotë Shkrimi i Shenjtë, atë çka ka bashkuar Zoti nuk mund ta ndajë njeriu; dhe se i Gjithëpushtetshmi i cili nga një shkretëtirë mund të krijojë një parajsë, edhe një tokë të vuajtjes dhe mjerimit mund ta shndërrojë përsëri në parajsë, ashtu siç ishte dikur Gjermania jonë e shtrenjtë përpara se ta shqyenin e ta dërrmonin princat e saj.

Ngaqë Perandoria gjermane ishte e prishur dhe e kalbur dhe ngaqë gjermanët i kishin kthyer kurrizin Zotit dhe lirisë, Zoti e shndërroi këtë perandori në gërmadhë, për ta rinuar atë në një Republikë. Për një kohë ai u dha pushtet engjëjve satana të cilët e mbytën Gjermaninë me grushte, ai u dha pushtet «të dhunshmëve dhe princave që banojnë në errësirë, shpirtrave të ligj nën qiell» (Efesi 6), dhe ata munduan qytetarë e fshatarë dhe pinë gjakun e tyre, bënë ç’deshën me të gjithë ata që e duan të drejtën dhe lirinë më shumë se padrejtësinë dhe skllavërinë. – Por tani kupa është mbushur!

Shikoni pak atë përbindësh të shenjuar nga Zoti, mbretin Ludvig të Bavarisë, blasfemuesin, i cili i detyron njerëzit e ndershëm të gjunjëzohen para shëmbëlltyrës së tij dhe ata që dëshmojnë të vërtetën, i dënon me birucë përmes gjyqtarësh berremë; derrkucin që zhgërryej në gjithë pellgjet e veseve të Italisë, ujkun që për oborrin e tij të Baalit (një nga shtatë princat e ferrit, sipas Dhjatës së vjetër) cakton çdo vit pesë milion përmes shtresash mashtruese të landit dhe pastaj pyet: «A është caktuar ky pushtet për bekim nga Perëndia?»

Ha! Ti qenkëshe pushtet prej Zotit?
Zoti shpërndan bekime;
ti grabit, torturon, plas në qeli,
ti s’je i Zotit, tiran!

Po ju them edhe një herë: kupa e tij dhe e princave të tij është mbushur. Zoti, që e ka dërrmuar këtë Gjermani përmes këtyre princave për shkak të mëkateve të veta, ka për ta shëruar përsëri. «Ai do të shkulë kaçubet dhe gjembaçet e do t’i djegë ato në një turrë të madhe» (Jezaja 27,4).

Po aq sa mund të rritet gunga, me të cilën Zoti e ka shenjuar këtë farë mbreti Ludvig, po aq pak mund të rriten veprat e turpshme të këtyre princave. Kupa e tyre është mbushur zoti do shkallmojë kalatë e tyre, e pastaj në Gjermani do të lulëzojë përsëri jeta dhe forca, bekimi i lirisë. Princat e kanë kthyer tokën gjermane në një fushë të madhe kufomash, siç e përshkruan Ecekieli në kapitullin 37: «Zoti më pruri në një fushë të madhe që ishte e mbushur me eshtra dhe shiko, ato ishin të thara». Po si tha Perëndia kur pa këto eshtra të thara: «Unë do t’ju jap juve vena, do të rris mish përmbi ju, do t’ju vesh me lëkurë, do t’ju jap frymë që ju të vini përsëri në jetë e ta mësoni se unë jam Zotëria». Dhe fjala e Zotit do të dalë e vërtetë edhe në Gjermani! Siç thotë profeti: «Dhe ja, rreth eshtrave u ngrit një fëshfërimë e një gjallëri e ato u bashkuan sërish tok, secili ndër eshtrat e veta. – Në to u fut frymë e ato erdhën prapë në jetë dhe u ngritën mbi këmbët e tyre dhe ishin një ushtri shumë e madhe».

Kështu është edhe me Gjermaninë; eshtrat tuaja janë tharë, pasi rendi në të cilin ju jetoni është një gjakpirje. Gjashtë milion paguani ju në Dukatin e Madh për një grusht njerëzish, jeta dhe prona juaj u është lënë arbitraritetit të tyre dhe kështu ndodh edhe gjetiu në Gjermaninë e shkalafitur. Ju nuk jeni asgjë, ju nuk keni asgjë! Ju jeni pa të drejta. Ju duhet të jepni ato çka kërkojnë shtypësit tuaj të pangopur, duhet të mbani mbi kurriz ato çka ju ngarkojnë. Aq sa kap vështrimi i një tirani – dhe Gjermania ka syresh plot tridhjetë e katër – toka dhe populli thahen. Mirëpo siç shkruan profeti, kështu do të jetë së shpejti në Gjermani: dita e ringjalljes nuk do të vonojë. Mbi fushën e kufomave do të bjerë shi e do të ngrihet fëshfërima, ata të ringjallurit do të përbëjnë një ushtri të madhe. Atëherë hesiani do t’i shtrijë dorën e vëllait tyrignianit, riniani shvabit, vestfaliani saksonasit, tirolezi bavarezit. Të zgjedhur nga vullneti i lirë i qytetarëve të tyre burrat më të mirë të të gjitha fiseve të atdheut të madh gjerman do të mblidhen në zemër të Gjermanisë në një asamble të madhe perandorake popullore, për të qeverisur aty si të krishterë mbi vëllezërit e tyre, në atë parlament ku sot ndodhet kurva babilonase, që tallet me të drejtën dhe me të vërtetën përmes tridhjetë e katër idhujve të rremë. Atëherë në vend të arbitraritetit të tridhjetë e katër idhujve të rremë do të qeverisë vullneti i përgjithshëm, në vend të egoizmit të një skote që u shërbejnë idhujve do të sundojë në atdheun gjerman e mira e përgjithshme. Atëherë do të hiqet zgjedha nga qafa e qytetarëve dhe fshatarëve dhe do të ngrihet një gjyq popullor mbi hajdutët e mëdhenj që e grabitën Gjermaninë princërisht dhe mbretërisht, një gjyq si për hajdutë të vegjël që donin të pasuroheshin nga prona e vëllezërve të tyre. Atëherë të syrgjynosurit e pafajshëm do të kthehen në atdheun e tyre të lirë dhe qelitë e të burgosurve të pafajshëm do të hapen. Atëherë do të lulëzojnë arti dhe shkencat në shërbim të lirisë, atëherë do të lulëzojnë mjeshtëritë dhe bujqësia, zanatet e ndryshme nën bekimin e lirisë, atëherë do të ngrihet një ushtri e vërtetë gjermane, ku do të ngjitet nëpër shkallët e nderit trimëria dhe jo meritat e lindjes, ku do të ketë bindje ndaj lirisë dhe jo bindje të verbër e besnikëri qeni.

Çojini sytë dhe numëroni grumbullin e shtypësve tuaj, që janë të fortë vetëm nëpërmjet gjakut që ju kanë pirë juve, nëpërmjet njerëzve që ju jua keni dhënë pa dëshirë. Ata janë ndoshta në Dukatin e Madh 10’000 ndërsa ju jeni 700’000 e kështu është raporti i numrit të popullit ndaj atij të shtypësve të vet në gjithë pjesën tjetër të Gjermanisë. Ata pa dyshim ju kërcënojnë me armatimet dhe purtekat e mbretërve, por unë po ju them: kush ngre shpatën kundër popullit ai do të japë shpirt nën shpatën e popullit. Gjermania është tani një fushë kufomash, së shpejti do të jetë një parajsë. Populli gjerman është një trup, ju jeni një gjymtyrë e këtij trupi. Nuk ka rëndësi se ku do të fillojë të regëtijë kufoma në dukje. Kur Zotëria do t’ju japë një shenjë përmes burrave, të cilët i çon në shërbim të lirisë që t’u prijnë popujve, atëherë do të ngriheni në këmbë dhe gjithë trupi do të ringjallet bashkë me ju.

Keni përkulur kurrizin për shumë e shumë vite në arat me gjembaçë të skllavërisë, pas kësaj do të djersitni një verë në vreshtin e lirisë dhe do të jeni të lirë deri në gjymtyrën e njëmijtë.

Një jetë të tërë keni mihur tokën, pas kësaj do t’i gërmoni një varr tiranëve tuaj. Ju i ngritët kalatë-burgje, pas kësaj ju do t’i rrëzoni ato dhe do të ngrini një shtëpi për lirinë. Atëherë do mund t’i pagëzoni të lirë fëmijët tuaj me ujët e jetës. E derisa Perëndia t’ju thërresë me bajlozët dhe shenjat e veta, zgjohuni dhe armatosuni në shpirt, lutuni ju vetë dhe mësoni fëmijët tuaj të luten: «Zot i vërtetë, thyej skeptrin e yshtësve tanë dhe lëre të vijë te ne mbretëria jote, mbretëria e drejtësisë. Amen».

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA!