Mes tigrave, komandantëve, librave, luftërave dhe krerëve të fiseve

Me rastin e vdekjes së gazetarit persian Ahmad Taheri, i cili me dekada shkroi për mediat gjermane e zvicerane. Dhe nganjëherë habitej me librat që botoheshin në Kosovë.

Ahmad Taheri.



Ahmad Taheri ishte gazetar, siç thuhet, i shkollës së vjetër. Ai i niste rrëfimet si fabul, por duke i ndërtuar me të gjitha të vërtetat e ndërlikuara të Iranit, Afganistanit dhe Pakistanit. I lindur në vitin 1933 në Mash-had të Iranit, ai erdhi në vitet ’60 përmes Vjenës në Frankfurt për të studiuar sociologji dhe në vitet ’80 filloi të punojë për media të ndryshme. Shkroi veçanërisht për gazetat «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Tages Anzeiger» të Zürichut.

E njoha si gazetar i ri i «Tages Anzeiger» para gati dy dekadave. Dhe isha i fascinuar me rrëfimet e tij nga bota persiane, nga Afganistani e Pakistani. Ahmad Taheri i fliste të gjitha gjuhët e dialektet e atij rajoni. Më 16 shtator 2001 telefonoi – më duket – nga Frankfurti, ku jetonte kur nuk ishte në udhëtime, për të ofruar një tekst të rëndësishëm: «Ka vdekur Ahmed Shah Masudi», tha ai.

Sot, kur lexova se në moshën 85-vjeçare ka vdekur Ahmad Taheri, ky burrë elegant e zotëri, ky gazetar i shkëlqyer e njeri i mirë, i cili gjermanishten e kishte mësuar duke lexuar klasikët gjermanë dhe Biblën e Lutherit, m’u kujtua shkrimi i tij për Ahmed Shah Masudin, «Luanin e Panxhirit», i cili ishte prijës i luftës kundër talibanëve në Afganistan, kundërshtar i Bashkimit Sovjetik që kishte pushtuar Afganistanin, kundërshtar i islamit vahabist dhe kundërshtar i Arabisë Saudite. Jo rastësisht këtë inxhinier e quanin luan.

Shkrimi i Ahmad Taherit mbi varrimin e Ahmed Shah Masudit fillon me këto fjalë: «‘Dy Ahmet Shahë janë krenaria e atdheut tim, ai nga Kandahari dhe ai nga Panxhiri’, kështu tingëllon një varg i poetit të njohur afgan Khalil Khalili, i cili në fund të viteve ’80 vdiq në ekzilin pakistanez i lodhur nga mosha. Ai nga Kandahari ishte Ahmed Shah Dorrani, themeluesi i shtetit kombëtar afgan në shekullin e ’18. Ai nga Panxhiri ishte Ahmed Shah Masudi, simboli i rezistencës kundër pushtimit sovjetik. Për Khalilin Massudi ishte e ardhmja e një Afganistani të lirë e krenar». Një ndër shkrimet më prekëse të Ahmad Taherit, ndërkaq, është një reportazh nga Kopshti Zoologjik i Kabulit pas rrëzimit të talibanëve.

Kur vinte në Zürich për të marrë pjesë në takimet vjetore të korrespondentëve, Ahmad Taheri ngarkohej mirë me pako të cigareve «Camel». Me zërin e tij mrekullisht të ngjirur ai tregonte për shtegtimet e tij në zonat e konflikteve, raportonte mbi takimet me atë apo këtë komandant, politikan apo lider fisi. Me qejf Ahmad Taheri fliste për të kaluarën e tij. I pëlqente të jetonte në Gjermani, por nganjëherë nevrikosej me rregullat e burokracisë gjermane. Në vitin 1969 kishte harruar të regjistrohej në semestrin e ardhshëm për studime dhe zyrtarët gjermanë ia anuluan lejen e qëndrimit, madje dhanë urdhër për ta kthyer në Iran, ku sundonte Shah Rezah Pahlavi. Kur Taheri u soll në Aeroportin e Frankfurtit, demonstruesit zaptuan pistën. Taheri preu një damar të pulsit dhe piloti refuzoi ta nisë avionin me një student që humbte gjak. Ahmad Taheri u bë hero i majtistëve gjermanë. Por, ai nuk ishte majtist i verbër. As nuk ishte naiv që të besonte se në Iran e Afganistan do të lulëzojë demokracia e tipit perëndimor, ndonëse e dëshironte një gjë të tillë.

Njëherë e pyeta: cili autor tjetër iranian duhet të lexohet përveç Sadek Hedajtetit? I habitur pyeti: «Është i njohur Sadek Hedajeti në Kosovë?» Është. Ose: ishte. Në vitet ’70, kur këtë shkrimtar iranian e kishin zbuluar shumë autorë kosovarë, mes tyre Musa Ramadani e Beqir Musliu. Romani «Bufi i verbër», i përkthyer nga Musa Ramadani, konsiderohet kryevepra e Sadek Hedajetit. Është botuar në vitin 1977 nga «Rilindja» në Prishtinë. Ahmad Taheri tha: «Krahas Hedajetit duhet të lexohet vëllimi me tregime ‘Burri me kravatën e kuqe’ të Hushang Golshirit».

Ahmad Taheri kishte humor. Pasi nxirrte shtëllungat e tymit nga hunda, shikonte me melankoli gotën e verës dhe thoshte: «A nuk janë të padrejtë këta mullahët e Teheranit? Ne persianët e kemi zbuluar verën, e këta na e kanë ndaluar. Gëzuar!» Pastaj nata mund të bëhej mëngjes me biseda për Omer Kajamin (dhe përkthyesin e tij në shqip, Fan Nolin) si dhe për Naim Frashërin, i cili, mes tjerash, ka shkruar edhe një gramatikë të gjuhës perse.