Mes kanibalëve

Dikur edhe vetë diktatori Jean-Bédel Bokassa ishte mirëpritur në Bashkimin Sovjetik. Tash flamujt e kuq valëviten për Vladimir Putinin.

Jean-Bédel Bokassa, i vetëquajturi perandor i Afrikës Qendrore, i dënuar për kanibalizëm.



Këto ditë në Moskë janë mbledhur me tambur studentë e pensionistë në demonstrata përkrahëse për Vladimir Putinin, prej tyre pritet të sillen sikur po e përkrahin vrullshëm kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale. Po shpërndahen flamuj të vegjël prej letre, studentët po i valëvitin, por pa entuziazëm. Ata e dinë se kjo masë është formalitet, kandidatit Putin as që i intereson se si i valëvitin ata flamujt. Kandidati Putin e di se ata e dinë se atij kjo nuk i intereson fare. Por edhe kjo aq i bën atij.

Në kohërat e shkuara, kur Bashkimi Sovjetik kërkonte miq të rinj në botën e largët, studentët dhe pensionistët valëvitnin flamujt e njëjtë, kur një mik i ri vizitonte vendin. Atëbotë shumë vende aziatike, latinoamerikane, afrikane bënin sikur po ia kthenin shpinën imperializmit amerikan dhe po vendosnin të ktheheshin në rrugën e zhvillimit socialist. Për këtë ata në Moskë shpërbleheshin me armë dhe para dhe me mikpritje sovjetike.

Tipa të çuditshëm vinin atëherë për vizitë, një përshtypje të paharrueshme la Jean-Bédel Bokassa, i vetëquajturi perandor i Afrikës Qendrore, një njeri të cilit i kishte dalë zëri i kanibalit, i cili thuhet se i kishte gllabëruar kundërshtarët e tij politikë dhe i cili pastaj në vendin e tij u dënua për shkak të kanibalizmit. Ky sundimtar shumë i veçantë u prit tri herë në Bashkimin Sovjetik, sekretari i përgjithshëm i partisë e puthi në gojë dhe solemnisht u përshëndet nga pionierët. Rreth qafës ia lidhën një shami të kuqe si foshnjave kur i ushqejnë dhe ai dha betimin e pionierit, Bokassa u betua se forcën dhe energjinë e tij do t’ia kushtojë çështjes së çlirimit të klasës punëtore (çlirimit dhe fërgimit, kështu me gjasë ka menduar perandori, i cili hyri në histori si pionieri i parë kanibalist).

Kur këta miq të rinj vinin në Moskë, ata shëtisnin ngadalë me limuzinë nëpër qytetin e mbuluar me borë. Në rrugë qëndronin studentë dhe pensionistë, ata mbanin transparentë «Mirë se vini në familjen e popujve vëllezër socialistë» dhe valëvitnin flamujt e kuq, atëbotë madje me pak më shumë entuziazëm se sot për Putinin. Studentëve nuk u interesonin këta mysafirë të huaj dhe udhëheqjes së vendit po ashtu nuk i interesonte se çka mendonin studentët dhe çfarë dëshironin ata për aq kohë sa qëndronin këtu devotshëm me flamujt e tyre. Në fund të fundit socializmi dështoi për shkak të kësaj indiference të përgjithshme.

I vetmi njeri, i cili nuk ishte indiferent ndaj çdo gjëje dhe i cili vërtet i donte studentët tanë, mund të ketë qenë pionieri ynë i ri plak, perandori Bokassa. Me sy që i shkëlqenin, ai nga limuzina e tij shikonte njerëzit faqekuq. Para se ta përzinin francezët me grusht shteti, ai ia doli ta martojë një stjuardesë ruse. Dasma e tyre u transmetua në televizion. Pastaj stjuardesën nuk e ka askush. Athua ajo vërtet e donte kanibalin apo s’kishte zgjidhje tjetër? A ka shpresuar ajo se disi gjithçka do të përfundojë mirë?

E vërteta nuk është mësuar kurrë. Më 18 mars rusët nuk kanë zgjidhje, ata duhet të zgjedhin Putinin për herë të katërt edhe për gjashtë vjet. Në të vërtetë është hera e pestë, sepse njëherë ai i është shfaqur popullit me pamjen e kryeministrit Medvedjev. Bashkëkombësit e mi janë fatalistë, ata mendojnë se kjo disi do të funksionojë, nëse jo, atëherë s’patëm fat.

Vladimir Kaminer, 50-vjeçar, është shkrimtar dhe jeton në Berlin. Ai rrjedh nga ish-Bashkimi Sovjetik.