Merkel: Vizat hiqen kur të luftohet krimi i organizuar




Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk i ka dhënë asnjë shpresë kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa se mund të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës. Ajo ka përmendur obligimin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale dhe ka thënë se nga rezultatet e dialogut me Serbinë varet integrimi i mëtutjeshëm në BE i të dyja vendeve. Merkel deklaroi se Gjermania dëshiron të ndihmojë në prodhimin e energjisë dhe në krijimin e vendeve të punës për të rinjtë, sepse papunësia në Kosovë është shumë e madhe dhe sidomos për të rinjtë duhet të krijohet një perspektivë.

Nga Vjollca HAJDARI

Berlin

Pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se që nga njohja e pavarësisë së Kosovës Gjermania është përpjekur që proceset politike me Serbinë të normalizohen në atë mënyrë që të konstatohet se zhvillimet po ecin në drejtim të duhur. Fazën e tanishme të negociatave me Serbinë Merkel e ka quajtur të rëndësishme për shkak se po bisedohet për çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Beogradin.

Kryeministri Mustafa erdhi në Berlin nga Brukseli, ku zhvilloi negociata me delegacionin serb të prirë nga kryeministri Aleksandar Vuçiq. Ndonëse nga të dy palët është njoftuar se ka përparim në bisedime, ende nuk është arritur një rezultat final që do të çonte në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re mes Serbisë dhe Kosovës, kësaj radhe për asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe kodin telefonik të Kosovës. Mediumet e Beogradit kanë shkruar se Telekomi serb edhe në të ardhmen do të ketë status të privilegjuar në Kosovë, do të ruajë pronat dhe thirrjet telefonike nga Kosova në Serbi edhe në të ardhmen do të jenë thirrje lokale me tarifa përkatëse.

Kancelarja Merkel deklaroi se negociatat në Bruksel duhet të zhvillohen me ngulm, sepse rrjedha e negociatave ka një rëndësi të madhe si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën sa i përket afrimit me Bashkimin Europian. Nga rezultati pozitiv i bisedimeve në Bruksel varet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociim dhe Stabilizim me Kosovën. Serbia, ndërkaq, si shtet kandidat për anëtarësim në BE pret që Brukseli të fillojë me hapjen e kapitujve për anëtarësim. Merkel tha se pas pak ditësh do të vizitojë Serbinë dhe ky do të jetë një rast që edhe me përgjegjësit e atjeshëm të bisedohet për këto tema.

Në fokus të bisedimeve mes kryeministrit Mustafa dhe kancelares Merkel ishte situata ekonomike në Kosovë. Merkel tha se Gjermania dëshiron të ndihmojë në prodhimin e energjisë dhe në këtë kontekst përmendi ofertën e firmës gjermane Bilfinger për ndërtimin e termocentralit të ri në Obiliq dhe sanimin e një termocentrali ekzistues me qëllim të stablizimit të furnizimit me energji elektrike të Kosovës. Merkel propozoi edhe një takim mes ministrave të Bujqësisë të Gjermanisë dhe Kosovës, ku do të shqyrtoheshin mundësitë e bashkëpunimit. «Të gjithë e dimë: Papunësia në Kosovë është shumë e madhe dhe sidomos për të rinjtë duhet të krijohet një perspektivë. Këtu mund të angazhohen disa lande gjermane, sidomos në arsimin profesional në Kosovë», tha Merkel.

Ajo u përqëndrua në këtë temë edhe duke pasur parasysh numrin e madh të refugjatëve nga Kosova. Kancelarja tha se nuk ka shans për qytetarët e Kosovës që të fitojnë azil në Gjermani.

Në takim është biseduar edhe për situatën në rajon si bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë dhe shtete të tjera të Ballkanit. Ngjashëm si para një viti në Berlin sivjet do të mbahet në Vjenë një konferencë për Ballkanin perëndimor. Merkel tha se BE ka përgatitur disa projekte të infrastrukturës për të krijuar lidhje më të mira mes vendeve të Ballkanit dhe njoftoi se ka përparim edhe në programet e bashkëpunimit mes të rinjëve.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se kishte folur me kancelaren Merkel për shumë probleme që kanë të bëjnë me Kosovën, por edhe për ambicien e Kosovës për të qenë pjesë e familjes europiane dhe pjesë e Bashkimit Europian. Për të arritur këtë «ne do t’i plotësojmë të gjitha kriteret e domosdoshme», premtoi Mustafa në Berlin. Shefi i qeverisë kosovare tha se Kosova ka probleme të mëdha me papunësinë, me nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik, me varfërinë. Ai përmendi bilancin e keq tregtar të Kosovës dhe shprehu interesimin e Kosovës për të bashkëpunuar me ekonominë gjermane. «Kemi shumë njerëz që prej kohësh punojnë në Gjermani dhe kanë përkrahur zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kemi marrë shumë përkrahje, por mbështetja nga Gjermania ka qenë veçanërisht e madhe – qoftë përmes investimeve të drejtpërdrejta apo përkrahjes së projekteve të infrastrukturës, të cilat janë shumë të rëndësihme për zhvillimin tonë», tha Mustafa.

Në lidhje me dialogun me Serbinë ai tha se ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme: «Natyrisht dialogu nuk është i lehtë. Jemi në një moment kur duhet të bëjmë kompromise për të gjetur zgjidhje. Ky dialog ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare si dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre».

Mustafa përmendi si prioritet edhe liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë. Ai konfirmoi se me kancelaren gjermane ka folur për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si njërin prej kritereve në procesin e integrimeve europiane dhe të liberalizimit të vizave. «Kancelarja na ka dhënë mbështetjen e plotë që të vazhdojë dialogu me Serbinë, por edhe sa i përket obligimeve tona në kuadër të themelimit të Gjykatës Speciale», deklaroi Mustafa.

Merkel e la të hapur mundësinë që Kosova të shpallet vend i sigurt, në mënyrë që pastaj të mos shqyrtohen fare kërkesat për azil të kosovarëve. Kryeministri Mustafa nënvizoi se «nuk ka arsye që njerëzit tanë të kërkojnë azil në Gjermani». Ai tha se me palën gjermane është pajtuar që të krijohen kushtet që ata që kanë ikur nga Kosova të kthehen. «Kosova është e sigurt për të gjithë. Ne kemi marrë përgjegjësinë për t’i krijuar kushtet për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale. Për këtë duam mbështetjen e shteteve të BE-së dhe para së gjithash të Gjermanisë për të gjetur së bashku zgjidhje sa i përket punësimit. Por punësimi duhet të jetë legal dhe jo ilegal».

Sa i përket dialogut me Serbinë Merkel tha se «kompromise nuk duhet të bëjë vetëm njëra palë, jo vetëm Kosova, por natyrisht edhe Serbia. Ne po flasim me të dy palët dhe po i inkurajojmë të dyja palët. Kjo domethënë: vetëm nëse ka përparim në këtë çështje do të ketë përparim edhe në rrugën e afrimit me BE-në. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë». Merkel nuk i dha shpresa kryeminsitrit të Kosovës se mund të hiqen vizat për vendet e Schengenit: «Në këtë proces është konstatuar se duhet kryer ende punë. Kjo ka të bëjë edhe me luftimin e krimit të organizuar. Por ne jemi të hapur dhe do ta mbështesim Kosovën dhe kur të plotësohen kushtet objektive mund të liberalizohen edhe vizat».Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk i ka dhënë asnjë shpresë kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa se mund të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës. Ajo ka përmendur obligimin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale dhe ka thënë se nga rezultatet e dialogut me Serbinë varet integrimi i mëtutjeshëm në BE i të dyja vendeve. Merkel deklaroi se Gjermania dëshiron të ndihmojë në prodhimin e energjisë dhe në krijimin e vendeve të punës për të rinjtë, sepse papunësia në Kosovë është shumë e madhe dhe sidomos për të rinjtë duhet të krijohet një perspektivë.

Nga Vjollca HAJDARI

Berlin

Pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se që nga njohja e pavarësisë së Kosovës Gjermania është përpjekur që proceset politike me Serbinë të normalizohen në atë mënyrë që të konstatohet se zhvillimet po ecin në drejtim të duhur. Fazën e tanishme të negociatave me Serbinë Merkel e ka quajtur të rëndësishme për shkak se po bisedohet për çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Beogradin.

Kryeministri Mustafa erdhi në Berlin nga Brukseli, ku zhvilloi negociata me delegacionin serb të prirë nga kryeministri Aleksandar Vuçiq. Ndonëse nga të dy palët është njoftuar se ka përparim në bisedime, ende nuk është arritur një rezultat final që do të çonte në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re mes Serbisë dhe Kosovës, kësaj radhe për asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe kodin telefonik të Kosovës. Mediumet e Beogradit kanë shkruar se Telekomi serb edhe në të ardhmen do të ketë status të privilegjuar në Kosovë, do të ruajë pronat dhe thirrjet telefonike nga Kosova në Serbi edhe në të ardhmen do të jenë thirrje lokale me tarifa përkatëse.

Kancelarja Merkel deklaroi se negociatat në Bruksel duhet të zhvillohen me ngulm, sepse rrjedha e negociatave ka një rëndësi të madhe si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën sa i përket afrimit me Bashkimin Europian. Nga rezultati pozitiv i bisedimeve në Bruksel varet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociim dhe Stabilizim me Kosovën. Serbia, ndërkaq, si shtet kandidat për anëtarësim në BE pret që Brukseli të fillojë me hapjen e kapitujve për anëtarësim. Merkel tha se pas pak ditësh do të vizitojë Serbinë dhe ky do të jetë një rast që edhe me përgjegjësit e atjeshëm të bisedohet për këto tema.

Në fokus të bisedimeve mes kryeministrit Mustafa dhe kancelares Merkel ishte situata ekonomike në Kosovë. Merkel tha se Gjermania dëshiron të ndihmojë në prodhimin e energjisë dhe në këtë kontekst përmendi ofertën e firmës gjermane Bilfinger për ndërtimin e termocentralit të ri në Obiliq dhe sanimin e një termocentrali ekzistues me qëllim të stablizimit të furnizimit me energji elektrike të Kosovës. Merkel propozoi edhe një takim mes ministrave të Bujqësisë të Gjermanisë dhe Kosovës, ku do të shqyrtoheshin mundësitë e bashkëpunimit. «Të gjithë e dimë: Papunësia në Kosovë është shumë e madhe dhe sidomos për të rinjtë duhet të krijohet një perspektivë. Këtu mund të angazhohen disa lande gjermane, sidomos në arsimin profesional në Kosovë», tha Merkel.

Ajo u përqëndrua në këtë temë edhe duke pasur parasysh numrin e madh të refugjatëve nga Kosova. Kancelarja tha se nuk ka shans për qytetarët e Kosovës që të fitojnë azil në Gjermani.

Në takim është biseduar edhe për situatën në rajon si bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë dhe shtete të tjera të Ballkanit. Ngjashëm si para një viti në Berlin sivjet do të mbahet në Vjenë një konferencë për Ballkanin perëndimor. Merkel tha se BE ka përgatitur disa projekte të infrastrukturës për të krijuar lidhje më të mira mes vendeve të Ballkanit dhe njoftoi se ka përparim edhe në programet e bashkëpunimit mes të rinjëve.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se kishte folur me kancelaren Merkel për shumë probleme që kanë të bëjnë me Kosovën, por edhe për ambicien e Kosovës për të qenë pjesë e familjes europiane dhe pjesë e Bashkimit Europian. Për të arritur këtë «ne do t’i plotësojmë të gjitha kriteret e domosdoshme», premtoi Mustafa në Berlin. Shefi i qeverisë kosovare tha se Kosova ka probleme të mëdha me papunësinë, me nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik, me varfërinë. Ai përmendi bilancin e keq tregtar të Kosovës dhe shprehu interesimin e Kosovës për të bashkëpunuar me ekonominë gjermane. «Kemi shumë njerëz që prej kohësh punojnë në Gjermani dhe kanë përkrahur zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kemi marrë shumë përkrahje, por mbështetja nga Gjermania ka qenë veçanërisht e madhe – qoftë përmes investimeve të drejtpërdrejta apo përkrahjes së projekteve të infrastrukturës, të cilat janë shumë të rëndësihme për zhvillimin tonë», tha Mustafa.

Në lidhje me dialogun me Serbinë ai tha se ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme: «Natyrisht dialogu nuk është i lehtë. Jemi në një moment kur duhet të bëjmë kompromise për të gjetur zgjidhje. Ky dialog ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare si dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre».

Mustafa përmendi si prioritet edhe liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë. Ai konfirmoi se me kancelaren gjermane ka folur për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si njërin prej kritereve në procesin e integrimeve europiane dhe të liberalizimit të vizave. «Kancelarja na ka dhënë mbështetjen e plotë që të vazhdojë dialogu me Serbinë, por edhe sa i përket obligimeve tona në kuadër të themelimit të Gjykatës Speciale», deklaroi Mustafa.

Merkel e la të hapur mundësinë që Kosova të shpallet vend i sigurt, në mënyrë që pastaj të mos shqyrtohen fare kërkesat për azil të kosovarëve. Kryeministri Mustafa nënvizoi se «nuk ka arsye që njerëzit tanë të kërkojnë azil në Gjermani». Ai tha se me palën gjermane është pajtuar që të krijohen kushtet që ata që kanë ikur nga Kosova të kthehen. «Kosova është e sigurt për të gjithë. Ne kemi marrë përgjegjësinë për t’i krijuar kushtet për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale. Për këtë duam mbështetjen e shteteve të BE-së dhe para së gjithash të Gjermanisë për të gjetur së bashku zgjidhje sa i përket punësimit. Por punësimi duhet të jetë legal dhe jo ilegal».

Sa i përket dialogut me Serbinë Merkel tha se «kompromise nuk duhet të bëjë vetëm njëra palë, jo vetëm Kosova, por natyrisht edhe Serbia. Ne po flasim me të dy palët dhe po i inkurajojmë të dyja palët. Kjo domethënë: vetëm nëse ka përparim në këtë çështje do të ketë përparim edhe në rrugën e afrimit me BE-në. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë». Merkel nuk i dha shpresa kryeminsitrit të Kosovës se mund të hiqen vizat për vendet e Schengenit: «Në këtë proces është konstatuar se duhet kryer ende punë. Kjo ka të bëjë edhe me luftimin e krimit të organizuar. Por ne jemi të hapur dhe do ta mbështesim Kosovën dhe kur të plotësohen kushtet objektive mund të liberalizohen edhe vizat».