Merkel vendos: Do të kandidoj sërish për kancelare të Gjermanisë

Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005. Të dielën ajo ka marrë një vendim historik për të kandiduar për mandatin e katërt si shefe e qeverisë gjermane. Për vendet e Ballkanit kandidimi i Angela Merkel është lajm i mirë.

Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë. Foto: Shutterstock

Presioni ndaj Angela Merkel për të kandiduar edhe njëherë për kancelare të Gjermanisë ishte i madh. Gjatë vizitës në Berlin të mërkurën dhe të enjten presidenti amerikan në largim Barack Obama hapur tha se, po të jetonte në Gjermani, do të votonte për Angela Merkelin, të cilën e quajti partneren më të ngushtë gjatë presidencës së tij. Pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, gazeta amerikane «New York Times» e shpalli Merkelin si mbrojtësen e fundit të vlerave liberale perëndimore. Timothy Garton Ash, publicist i njohur britanik, shkroi së fundit në «Guardian» se pas fitores së Trumpit Merkel tani është «liderë e botës së lirë». Në mediat kryesore gjermane Merkel javëve të fundit është përgjëruar të kandidojë sërish për shefe të qeverisë gjermane.

Të dielën Merkel vendosi. Në mbledhjen e kryesisë së partisë së saj konservatore CDU ajo tha se e ka ndërmend të kandidojnë sërish për postin e kancelares dhe shefes së partisë. Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen në vjeshtë të vitit të ardhshëm. Merkel është 62-vjeçare dhe qeveris Gjermaninë që nga viti 2005. Aktualisht, sipas anketave, 55 për qind e gjermanëve dëshirojnë që ajo të mbetet kancelarë. 39 për qind janë kundër. Në mesin e përkrahësve të CDU-së përkrahja për Merkelin është e jashtëzakonshme: 92 për qind e tyre duan të ajo të vazhdojë të qeverisë Gjermaninë. Madje edhe 54 për qind e zgjedhësve të Partisë Socialdemokrate (SPD) favorizojnë Merkelin si kancelare. Merkel ka paralajmëruar një prononcim për media të dielën në orën 19:00, por nuk ka treguar për çfarë teme do të flasë. Për mediat gjermane është e qartë se ajo do të shpallë kandidaturën e saj për zgjedhjet e vitit 2017.

Nën udhëheqjen e Merkel Gjermania është bërë një shtyllë stabiliteti në Europë. Si pasojë e krizës financiare, valës së refugjatëve, problemeve me Greqinë e fundosur në kaos financiar dhe ekonomik, agresionit rus ndaj Ukrainës, Brexitit, Bashkimi Europian gjithnjë e më shumë po dobësohet. Në këtë situatë Merkel me stilin e saj të qetë dhe të vendosur të qeverisjes ka ndikuar shumë që Bashkimi Europian dhe mbarë kontinenti të ruajnë stabilitetin.

Në mesin e liderëve europianë Merkel rrezaton autoritet, sidomos në krahasim me presidentin e dobët francez François Hollande. Megjithatë, presioni ndaj Merkel është rritur muajve të fundit në Gjermani. Partia antieuropiane Alternative für Deutschland (AfD) dhe lëvizja kundër refugjatëve Pegida po arrijnë të mobilizojnë shumë qytetarë të frustruar. Nëse Merkel arrin të rizgjidhet kancelare më 2017, ajo ka shans t’ia kalojë themeluesit të CDU-së, Konrad Adenuar, dhe rekordmenit politik, Helmut Kohl. Adenauer ka qenë 14 vjet kancelar, Kohl 16 vjet.

Për vendet e Ballkanit kandidimi i Angela Merkel është lajm i mirë: nën udhëheqjen e saj Gjermania ka qenë mbështetëse e integrimeve europiane, por edhe këmbëngulëse në kërkesat për plotësimin e kushteve për integrim.