Merkel paralajmëron largimin nga politika: «Unë përherë kam dashur që postin ta ushtroj me dinjitet dhe ta braktis po ashtu me dinjitet»

Me dinjitet, emocion dhe qëndrim: detaje nga konferenca për shtyp e kancelares gjermane Angela Merkel. Dhe një parashikim: kush mund të jetë pasardhës i saj në postin e shefit të CDU-së dhe në atë të kancelares? Të Gjelbrit gjerman që tani i kanë shprehur respekt kancelares Merkel, e cila drejtoi CDU-në konservatore - këtë «dyqan nganjëherë tepër të dominuar nga burrat».

Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë. Foto: Shutterstock



Pas rezultatit të dobët të partisë së saj CDU në zgjedhjet parlamentare në landin e Hessenit, kancelarja gjermane Angela Merkel të hënën doli para mediave në Berlin dhe njoftoi se ka marrë tri vendime. Një: ajo nuk do të kandidojë më për postin e kryetares së partisë së saj CDU. Dy: ajo nuk do të kandidojë më për postin e kancelares dhe mandatin synon ta përfundojë në vitin 2021. Tre: ajo tha se nuk do të kandidojë për deputete të parlamentit gjerman dhe nuk do të synojë ndonjë post tjetër politik. Me këtë qëndrim ajo iu dha fund spekulimeve se pas largimit nga posti i kancelares mund të marrë ndonjë detyrë me rëndësi në Bruksel.

«Një nder i përditshëm»

Paraqitja e Merkelit para mediave ishte me dinjitet, emocion dhe qëndrim. Duke arsyetuar vendimet e saj, ajo deklaroi: «Unë përherë kam dashur që postin ta ushtroj me dinjitet dhe ta braktis po ashtu me dinjitet». Merkel tha se të jesh kancelare e Gjermanisë është një detyrë «që të përmbushë» dhe një nder i përditshëm, por njëkohësisht nënvizoi se ajo bart përgjegjësinë si për të arriturat ashtu edhe për dështimet.

Kancelarja nënvizoi se duke pasur parasysh rënien e mbështetjes për partinë e saj, ajo ka vendosur të heq dorë nga posti i shefes së CDU-së, ndonëse ka qenë e bindur se si kancelare duhet të jetë edhe drejtuese e partisë. Ndarja e këtyre dy posteve, sipas saj, është «sprovë». Merkel i dërgoi një sinjal të qartë partisë: ajo deklaroi se është e gatshme të shërbejë si kancelare deri në vitin 2021, por vetëm nëse edhe partia e dëshiron këtë. «Unë nuk jam lindur si kancelare», shtoi ajo. Në pyetjen e një gazetari se çfarë do të bëjë pas vitit 2021, kur do të largohet tërësisht nga politika, Merkel u përgjigj: «Për këtë mund të flasim në një moment të përshtatshëm. Por, gjithsesi diçka do të më bie ndërmend për të bërë».

«Një mrekulli e efikasitetit politik».

Merkel tha se imazhi i qeverisë së saj është i papranueshëm. Kjo, sipas saj, ka shkaqe më të thella se komunikative. Ajo u ankua për kulturën e keqe të punës të koalicionit të madh në Berlin. Muajve të fundit Merkel ka qenë e goditur pandërprerë nga ministri i Brendshëm Horst Seehofer, i cili është shef i partisë simotër CSU nga Bavaria. Seehofer është përpjekur të kundërshtojë politikën tolerante të Merkel ndaj refugjatëve, duke e akuzuar atë se me pranimin e rreth 1 milion refugjatëve në vitin 2015 ka lejuar që situata t’i dalë nga kontrolli. Krimet e shpeshta të refugjatëve, përdhunimet dhe rastet e tjera të rënda kanë ndikuar në ashpërsimin e klimës politike në Gjermani. Jo vetëm e djathta ekstreme që përfaqësohet nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ka bërë përgjegjës kancelaren Merkel për këto deformime. Megjithatë, kritika kundër Merkelit shpeshherë ka qenë e padrejtë dhe tendencioze – dhe kryesisht kritikë ndaj saj kanë qenë burrat e frustruar të politikës gjermane, të cilët vazhdimisht kanë dështuar në sfidimin e kancelares. Siç ka shkruar komentatori i njohur Bernd Ulrich: «Politika zakonisht asociohet me mendjemadhësinë dhe etjen brutale për pushtet, me dëshirën për të mposhtur tjetrin. Nga Merkel mund të mësoje: (politika) është e mundshme pa (gati) të gjitha këto. Çfarë mbetet është – politika e pastër. Merkel gjatë një çerekshekulli ka qenë një mrekulli e efikasitetit politik».

Princesha e Merkelit quhet shkurt AKK

Politikanët udhëheqës të CDU-së i kanë shprehur respekt Angela Merkelit për punën e saj dhe për paralajmërimin e largimit nga posti i shefes së partisë. Kanë filluar menjëherë edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i saj si kryetar apo kryetare e CDU-së. Merkel nuk pranoi të përmend ndonjë favorit, duke thënë se historikisht përherë ka dështuar përpjekja për të imponuar pasardhësin. Megjithatë, Merkel muajve të fundit ka bërë mjaft që brenda partisë ta pozicionojë mirë Annegret Kramp-Karrenbauer ose AKK, siç e quajnë mediat këtë politikane nga Saarlandi. Në shkurt të këtij viti Kramp-Karrenbauer me propozim të Merkelit u zgjodh sekretare e përgjithshme e CDU-së. Kur ishte bërë ministre e punës, çështjeve sociale, familjes, preventivës dhe sportit në Saarland, krahinën më të vogël gjermane në kufi me Francën, ajo tha se kurrë nuk e kishte menduar se titulli i ministrisë që do të drejtonte do të ishte «më i gjatë se emri im». Më 2011 AKK u zgjodh kryeministre e Saarlandit; nga ky post u tërhoq pasi u zgjodh sekretare e përgjithshme e CDU-së.

Annegret Kramp-Karrenbauer u lind më 9 gusht 1962 në Saarland. Pas anëtarësimit në CDU si 18-vjeçare AKK studioi shkencat politike dhe drejtësinë. Kur karriera e saj në politikë filloi të përparonte burri i saj, një inxhinier minierash, u kujdes për tre djemtë e përbashkët. Në portretet e botuara në gazetat gjermane AKK dhe Merkel përshkruhen si të ngjashme dhe prapëseprapë të ndryshme. Merkel është rritur në diktaturën e Gjermanisë Lindore, AKK në Gjermaninë perëndimore. Megjithatë, që të dyja i bashkon qasja e qetë ndaj problemeve. Merkel e njoftoi Annegret Kramp-Karrenbauer gjatë negociatave për koalicion me socialdemokratët në vitin 2013. Që nga ajo kohë kancelarja ka respekt për mënyrën e politikëbërëjes nga ana e AKK-së. Ajo ka 17 vjet përvojë punë në poste qeveritare, por në provincë, ndërsa me pranimin e funksionit të sekretares së përgjithshme të CDU-së, ajo luan rol në skenën nacionale të politikës. Annegret Kramp-Karrenbauer ka paralajmëruar të hënën se do të kandidojë për postin e kryetares së partisë. Dhe ka marrë përkrahjen e unionit të grave të CDU-së.

Spahn, Merz apo Laschet?

Po ashtu kandidaturën e tij e ka shpallur edhe Jens Spahn, aktualisht ministër i Shëndetësisë dhe njëri prej kritikëve më të ashpër të Merkelit gjatë viteve të fundit. Në korrik 2017 Spahn i tha gazetës «Die Welt» se kush vjen nga bota arabe në Gjermani në të shumtën e rasteve është i karakterizuar nga «morali i ngathët seksual, nga pabarazia e grave, refuzimi i hebrenjve dhe homoseksualëve». Spahn është homoseksual dhe i martuar me një gazetar gjerman. Mediat gjermane kanë regjistruar me tone kritike afërsinë e tij me ambasadorin e ri amerikan në Berlin, një përkrahës militant i Donald Trumpit. Gjasat që Spahn të bëhet shef i CDU-së nuk janë shumë të mëdha, ndërsa për Annegret Kramp-Karrenbauer mund të jetë hendikep afërsia e saj me Angela Merkelin. Në këtë betejë kandidat serioz është edhe Friedrich Merz, i cili ka qenë shef i grupit parlamentar të CDU-së, por është larguar para shumë vitesh për shkak të mospajtimeve me Merkelin. Komentatorë konservatorë janë skeptikë nëse Merz do të fitojë në garën për shef të CDU-së. Ata thonë se Merz është tepër gjatë jashtë politikës.

Një kandidat tjetër që përmendet është Armin Laschet, kryeministër i landit Nordrhein-Westfalen, ku jeton çdo i katërti gjerman nga 80 milionë banorë sa ka Gjermania. Laschet është anëtar i CDU-së që nga viti 1979 – që nga atëherë ai ka qenë politikan lokal, deputet në parlamentin e Gjermanisë, europarlamentar në Bruksel dhe Strassburg, ministër në landin Nordrhein-Westfalen. Si Annegret Kramp-Karrenbauer edhe Laschet ka një hendikep: afërsinë e tij me kancelaren Merkel.

Të Gjelbrit, të cilët në Gjermani po korrin suksese të mëdha duke fituar mbi 20 për qind të votave, i shprehën respekt kancelares Merkel për punën e saj. Merkel, sipas të Gjelbrve, ka qenë gruaja e parë që mori udhëheqjen e partisë në «këtë dyqan nganjëherë tepër të dominuar nga burrat». Ajo ndikoi që CDU të hapet ndaj formave moderne të shoqërisë, «për këtë i shprehim respektin tonë», tha shefja e të Gjelbrve, Annalena Baerbock.