Merkel paralajmëron fundin e EULEX-it




Në prag të vizitës në Shqipëri, Bosnjë dhe Serbi kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit e kanë vendin në BE, por mbetet ende për të bërë shumë. Ajo ka deklaruar se misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, së shpejti do të marrë fund.

Nga Vjollca HAJDARI

Berlin

Katër ditë para se të vizitojë Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, kancelarja gjermane ka përmendur edhe njëherë rëndësinë që ka raporti i Serbisë me Kosovën, kur bëhet fjalë për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Europian. Këtë deklaratë Merkel e ka dhënë në kanalin e internetit për komunikim të kabinetit të saj me opinionin publik.

Kancelarja gjermane ka thënë se Gjermania ka bërë shumë për sigurinë në Kosovë dhe për të zbutur tensionet mes shqiptarëve dhe pakicës serbe. «Ne atje kemi edhe misionin policor të BE-së, EULEX, të cilit do t’i japim fund së shpejti», ka treguar Merkel, duke paralajmëruar në këtë mënyrë përfundimin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, i cili vepron në Kosovë që nga viti 2008 dhe ka kushtuar më shumë se një miliardë euro. Në lidhje me bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë Merkel ka nënvizuar se ato janë «shenjë pozitive», sepse në të kaluarën nuk ka qenë e mundshme që të dy palët të bisedojnë në një ambient së bashku.

Hapja e kapitujve për anëtarësim të Serbisë në BE, sipas kancelares Merkel, varet nga progresi që do shënojë Beogradi në raport me Kosovën. «Jemi duke i bashkërenditur edhe masat në raport me Kosovën, në mënyrë që të dyja palët të tregojnë vërtet përpjekje për të ecur përpara», ka deklaruar ajo. Sipas saj «ka jashtëzakonisht shumë për të bërë, por tashmë janë parë shenja të mirëpritura. Ndërsa jemi duke punuar me ngulm, që të përshpejtohet ky proces».

Me Serbinë, ka thënë më tutje Merkel, janë hapur kapitujt për hyrje në BE. «Mirëpo, procesi ndodhet akoma në fazën fillestare». Edhe në lidhje me Shqipërinë kancelarja ka thënë se ka edhe shumë punë për të bërë. Sidoqoftë, ka potencuar Angela Merkel, shteti shqiptar është kandidat për integrim në Bashkimin Evropian dhe «në përgjithësi mund të themi se kemi ecur përpara, përkundër faktit se ekzistojnë edhe shumë e shumë probleme të mëdha». Deklarata e saj vlen sidomos për Bosnjë-Hercegovinën, vend ky i cili ende as që ka bërë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo për arsye «se situata politike në vend është duke ngecur shumë».

«Dritë dhe hije» sheh shefja e qeverise gjermane në raportin shqiptaro-serb. Sidoqoftë, ka përmendur ajo, kryeministri shqiptar pas një kohe të gjatë ka vizituar për herë të parë Serbinë. Ajo vlerëson se të dy vendet janë duke punuar aktivisht për të arritur qëllimet që ishin përcaktuar në konferencën për Ballkanin Perëndimor të mbajtur vitin e kaluar në Berlin.

Sipas saj, vetëm nëpërmjet hapave praktikë, projekteve infrastrukturore, shkëmbimeve mes të rinjve dhe ndarjes së njohurive do të zbuten tensionet politike. Megjithatë ky relacion, ka thënë Merkel, «do të jetë një proces i mundimshëm dhe i gjatë, por duhet të jetë një rrugë, e cila prapëseprapë duhet kaluar».

Lidhur me çështjen se përse Serbia është klasifikuar si «vend i sigurt» përkundër faktit se në këtë shtet komuniteti rom vuan nga diskriminimi, Merkel ka përmendur tri arsye. E para: Gjermania nuk e miraton pothuajse asnjë kërkesë azili nga njerëzit e ardhur nga Serbia. Aspekti i dytë është se Britania e Madhe, Franca dhe vendet tjera europiane e kane klasifikuar Serbinë po ashtu si vend të sigurt. Dhe së treti, sipas Merkelit, Serbia ka ndërmarrë një sërë masash kundër diskriminimit të romëve, duke qenë pjesë e dekadës për përmirësimin e jetës së romëve (2005-2015).

Megjithatë, ka shprehur vërejtjen kancelarja, duhet «thënë shumë qartë se diskriminimi vazhdon edhe më tej dhe se këtë temë do ta shqyrtoj gjatë vizitës sime atje.» Merkel ka përmendur gjithashtu gjendjen e vështire të romëve edhe në vendet e tjera të rajonit. Në lidhje me këtë temë ajo kishte biseduar njashtu me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, meqë, sipas saj, ka «diskriminime të mëdha».

Pak ditë para se të takohet me krerët politikë në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, Merkel ndan shpresën për perspektiven e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian «Përkundër të gjitha vështirësive që kemi prapëseprapë është shënuar progres», ka thënë ajo. «Kroacia dhe Sllovenia tani janë anëtare të Bashkimit Europian. Ky është një drejtim mjaft i suksesshëm, andaj vetëm me anë të kësaj perspektive do të zgjidhen gjithashtu konfliktet në mes të vendeve ballkanike», deklaroi Merkel.Në prag të vizitës në Shqipëri, Bosnjë dhe Serbi kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit e kanë vendin në BE, por mbetet ende për të bërë shumë. Ajo ka deklaruar se misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, së shpejti do të marrë fund.

Nga Vjollca HAJDARI

Berlin

Katër ditë para se të vizitojë Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, kancelarja gjermane ka përmendur edhe njëherë rëndësinë që ka raporti i Serbisë me Kosovën, kur bëhet fjalë për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Europian. Këtë deklaratë Merkel e ka dhënë në kanalin e internetit për komunikim të kabinetit të saj me opinionin publik.

Kancelarja gjermane ka thënë se Gjermania ka bërë shumë për sigurinë në Kosovë dhe për të zbutur tensionet mes shqiptarëve dhe pakicës serbe. «Ne atje kemi edhe misionin policor të BE-së, EULEX, të cilit do t’i japim fund së shpejti», ka treguar Merkel, duke paralajmëruar në këtë mënyrë përfundimin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, i cili vepron në Kosovë që nga viti 2008 dhe ka kushtuar më shumë se një miliardë euro. Në lidhje me bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë Merkel ka nënvizuar se ato janë «shenjë pozitive», sepse në të kaluarën nuk ka qenë e mundshme që të dy palët të bisedojnë në një ambient së bashku.

Hapja e kapitujve për anëtarësim të Serbisë në BE, sipas kancelares Merkel, varet nga progresi që do shënojë Beogradi në raport me Kosovën. «Jemi duke i bashkërenditur edhe masat në raport me Kosovën, në mënyrë që të dyja palët të tregojnë vërtet përpjekje për të ecur përpara», ka deklaruar ajo. Sipas saj «ka jashtëzakonisht shumë për të bërë, por tashmë janë parë shenja të mirëpritura. Ndërsa jemi duke punuar me ngulm, që të përshpejtohet ky proces».

Me Serbinë, ka thënë më tutje Merkel, janë hapur kapitujt për hyrje në BE. «Mirëpo, procesi ndodhet akoma në fazën fillestare». Edhe në lidhje me Shqipërinë kancelarja ka thënë se ka edhe shumë punë për të bërë. Sidoqoftë, ka potencuar Angela Merkel, shteti shqiptar është kandidat për integrim në Bashkimin Evropian dhe «në përgjithësi mund të themi se kemi ecur përpara, përkundër faktit se ekzistojnë edhe shumë e shumë probleme të mëdha». Deklarata e saj vlen sidomos për Bosnjë-Hercegovinën, vend ky i cili ende as që ka bërë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo për arsye «se situata politike në vend është duke ngecur shumë».

«Dritë dhe hije» sheh shefja e qeverise gjermane në raportin shqiptaro-serb. Sidoqoftë, ka përmendur ajo, kryeministri shqiptar pas një kohe të gjatë ka vizituar për herë të parë Serbinë. Ajo vlerëson se të dy vendet janë duke punuar aktivisht për të arritur qëllimet që ishin përcaktuar në konferencën për Ballkanin Perëndimor të mbajtur vitin e kaluar në Berlin.

Sipas saj, vetëm nëpërmjet hapave praktikë, projekteve infrastrukturore, shkëmbimeve mes të rinjve dhe ndarjes së njohurive do të zbuten tensionet politike. Megjithatë ky relacion, ka thënë Merkel, «do të jetë një proces i mundimshëm dhe i gjatë, por duhet të jetë një rrugë, e cila prapëseprapë duhet kaluar».

Lidhur me çështjen se përse Serbia është klasifikuar si «vend i sigurt» përkundër faktit se në këtë shtet komuniteti rom vuan nga diskriminimi, Merkel ka përmendur tri arsye. E para: Gjermania nuk e miraton pothuajse asnjë kërkesë azili nga njerëzit e ardhur nga Serbia. Aspekti i dytë është se Britania e Madhe, Franca dhe vendet tjera europiane e kane klasifikuar Serbinë po ashtu si vend të sigurt. Dhe së treti, sipas Merkelit, Serbia ka ndërmarrë një sërë masash kundër diskriminimit të romëve, duke qenë pjesë e dekadës për përmirësimin e jetës së romëve (2005-2015).

Megjithatë, ka shprehur vërejtjen kancelarja, duhet «thënë shumë qartë se diskriminimi vazhdon edhe më tej dhe se këtë temë do ta shqyrtoj gjatë vizitës sime atje.» Merkel ka përmendur gjithashtu gjendjen e vështire të romëve edhe në vendet e tjera të rajonit. Në lidhje me këtë temë ajo kishte biseduar njashtu me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, meqë, sipas saj, ka «diskriminime të mëdha».

Pak ditë para se të takohet me krerët politikë në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, Merkel ndan shpresën për perspektiven e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian «Përkundër të gjitha vështirësive që kemi prapëseprapë është shënuar progres», ka thënë ajo. «Kroacia dhe Sllovenia tani janë anëtare të Bashkimit Europian. Ky është një drejtim mjaft i suksesshëm, andaj vetëm me anë të kësaj perspektive do të zgjidhen gjithashtu konfliktet në mes të vendeve ballkanike», deklaroi Merkel.