Merkel mbështet reformat dhe kërkon zbatimin e 5 prioriteteve nga Shqipëria

Pas takimit me kryeministrin Rama, kancelarja gjermane uroi Shqipërinë për rekomandimin pozitiv të KE, ndërsa theksoi se është me rëndësi zbatimi i reformës në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë dhe kryeministri Rama, duke përshëndetur qytetarët para kryeministrisë. Foto: LSA

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbështeti hapat që Shqipëria ka ndërmarrë përmes reformave, ndërsa inkurajoi punën për plotësimin e pesë prioriteteve kyç të vendosura nga Komisioni Europian. Në konferencën për shtyp të mbajtur në Berlin pas takimit me kryeministrin Edi Rama, kancelarja gjermane e vuri theksin tek zbatimi i reformës kushtetuese në drejtësi.

Kancelarja Merkel shtoi se Gjermania është përpjekur vazhdimisht të ndihmojë Shqipërinë dhe për zhvillimet e fundit ka dërguar përfaqësues të saj në misionin Euralius.

«Kjo ka bërë që reforma juridike të vihet në zbatim. E rëndësishme është që kjo rrugë të vazhdojë», tha Merkel.

Ndërsa uroi kryeministrin Rama për festën e Pavarësisë dhe vlerësimin pozitiv që Shqipëria ka marrë nga Komisioni Europian, kancelarja Merkel tha se është me rëndësi zbatimi i qëndrueshëm i reformës në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe zhvillimi i mirë i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

«Besoj se janë kryer gjëra të rëndësishme. Duhet shumë forcë dhe guxim për ta ndjekur këtë rrugë. Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë», shtoi ajo.

Ndërsa falenderoi kancelaren gjermane për takimin e tij të tretë në Berlin që prej zgjedhjes si kryeministër në 2013, Rama tha se Shqipëria nuk kërkon të integrohet në Bashkimin Europian pa e merituar.

«Procesi i integrimit europian për ne duhet të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm. Ne nuk kërkojmë asgjë të pamerituar, por sepse na e kanë diktuar etërit themelues si shprehje të vullnetit të hershëm për t’u ndarë nga Lindja dhe për t’u bashkuar me Perëndimin», tha Rama.

«Ne nuk i kemi parë detyrat e vendosura nga Komisioni Europian si një barrë që na e kanë diktuar të huajt, por si një borxh që ua kemi fëmijëve tanë», shtoi ai.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tha se Shqipëria e kupton plotësisht kushtin e vendosur për hapjen e negociatave, atë të zbatimit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa shtoi se pesë prioritetet përbëjnë një udhërrëfyes për Shqipërinë deri në ditën që vendi do të anëtarësohet në Bashkimit Europian.

Megjithatë, ai i mëshoi faktit se Shqipëria pret mbështetje nga Bashkimi Europian.

«Shqipëria kërkon dhe pret të njëjtin luajalitet që i ka shprehur vazhdimit Bashkimit Europian. Dua të shpreh bindjen time se për aq sa ka nevojë Shqipëria dhe rajoni për BE, po aq nevojë ka BE për Shqipërinë dhe rajonin», tha ai.

I zhvilluar në ditën e festës kombëtare të Shqipërisë, takimi Rama-Merkel ka rritur pritshmëritë e vendit për një votë pro të Gjermanisë ndaj rekomandimit me kusht të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me BE.

Pas rekomandimit pozitiv që Shqipëria mori më 9 nëntor në Bruksel, vendimi ka kaluar në dorën e vendeve anëtare, të cilat do të diskutojnë për këtë çështje në dhjetor.

Takimit Rama-Merkel i parapriu në Tiranë një debat mbi faktin nëse Gjermania do ta miratojë apo jo avancimin e Shqipërisë drejt BE, për shkak të deklaratave të forta të kreut të komisionit parlamentar për Europën në Bundestag, Gunther Krichbaum.

Ai deklaroi në Tiranë se grupi më i madh parlamentar CDU do të votonte kundër çeljes së negociatave për shkak të bllokimit të reformës në drejtësi, korrupsionit të lartë dhe drogës.

Pas përfundimit të konferencës për shtyp me kancelaren gjermane, Rama shkroi në Facebook atë që nuk u tha me fjalë mbi takimin e Këshillit të vendeve anëtare që do të mbahet në dhjetor.

«Faleminderit Kancelares Merkel për mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe do t’i japë Shqipërisë edhe në dhjetor», shkroi ai.

(http://www.reporter.al/merkel-mbeshtet-reformat-dhe-kerkon-zbatimin-e-5-prioriteteve-nga-shqiperia/)