Merkel: Maqedonia e Greqia afër zgjidhjes së kontestit të emrit

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka pritur në Berlin kryeministrin maqedonas Zoran Zaev. Merkel është treguar e lumtur për përparimet në çështjen e kontestit të emrit me Greqinë. Ndërkohë drejtuesit e institucioneve maqedonase kanë nisur me zbatimin e masave për ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë me Greqinë, si pjesë e procesit për zgjidhjen e kontestit të emrit. Ndërmarrja Publike «Rrugët e Maqedonisë» ka filluar me zëvendësimin e tabelave të autostradës në drejtim të Greqisë që mbante emrin e heroit antik «Aleksandri i Madh», ndërsa së shpejti do të nisë vendosja e tabelave me emrin e ri «Miqësia».

Angela Merkel dhe Zoran Zaev në Berlin.



Berlin, Shkup, (Radio Europa e Lirë) – Maqedonia është më afër se kurrë në dhjetë vjetët e fundit të zgjidhjes së kontestit të emrit më Greqinë, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel. «Jam shumë e kënaqur dhe e lehtësuar që ka lëvizje në bisedime», tha ajo në një konferencë për media në
Berlin, së bashku me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Greqia refuzon ta njohë Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.

Dy vendet, së voni, i kanë intensifikuar përpjekjet për zgjidhjen e kontestit. «Në dhjetë vjetët e fundit, zgjidhja nuk ka qenë kaq e afërt si tani dhe do të ishte e mrekullueshme nëse vështirësitë e mbetura tejkalohen», tha Merkel. Mosmarrëveshja ka penguar përpjekjet e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Greqia është anëtare e të dyja institucioneve. Drejtuesit e institucioneve kanë nisur me zbatimin e masave për ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë me Greqinë, si pjesë e procesit për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë. Ndërmarrja Publike «Rrugët e Maqedonisë» ka filluar me zëvendësimin e tabelave të autostradës në drejtim me Greqinë që mbante emrin «Aleksandri i Madh», heroit të dy vendeve, ndërsa së shpejti do të nisë vendosja e tabelave me emrin e ri «Miqësia».

Vendimi për këtë ishte marrë gjatë takimit të dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik. Një hap i këtillë është vlerësuar pozitivisht nga Athina, duke e parë si dëshmi se Maqedonia po heq dorë, sipas tyre, nga irredentizmi. Ndryshe, që nga takimi i mbajtur në Davos muajin e kaluar dhe takime të ministrave të Punëve të Jashtme këtë muaj në Vjenë dhe Sofje, zhvillime të tjera nuk ka pasur mes drejtuesve të të dyja vendeve. Pozicionet mbeten të njëjta. Pala greke insiston në zgjidhje që njihet si «Erga Omnes», e cila nënkupton emër të ri të Maqedonisë për përdorim të përgjithshëm, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kjo do të nënkuptonte edhe ndryshimin e Kushtetutës, por edhe të identitetit, gjuhës, akronimeve dhe çështjeve të tjera që janë pjesë e preambulës dhe definimit të shtetit.

Por, pala maqedonase kërkon që përveç emrit, gjithçka tjetër të mbetet në kuadër të Kushtetutës aktuale, apo mosndryshimit të saj. Opozita nga ana tjetër mbetet në qëndrimin se zgjidhja nuk duhet të rrezikojë interesat nacionale e shtetërore, por thotë se do të jetë pjesë e procesit për të mos e akuzuar më pas si fajtore të dështimeve eventuale. «Ne nuk do të lejojmë që dështimin eventual dikush ta arsyetojë me qëndrimet tona, por nuk do të jemi edhe pjesë e zgjidhjeve që nuk do të jenë të dinjitetshme dhe që nuk do të jenë në përputhje me interesat e qytetarëve. Nga takimi i fundit që kishim me përfaqësuesit e institucioneve, nuk mund të them nëse kryeministri i përmbahet qëndrimeve të njëjta, pasi kemi një kakofoni komentesh nga zyrtarët, pra kemi qëndrime të ndryshme. Fillimisht u tha se do të ketë referendum, pastaj u tha se referendumi do të shtyhet që përsëri të kthehen në qëndrimin për mbajtjen e tij», ka deklaruar kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se do të vjen deri tek ndryshimi i Kushtetutës dhe se zvarritja apo heshtja mes palëve ka të bëjë me gjetjen e një emri të pranueshëm, pa prekur çështjet e tjera që janë pjesë e debatit. «Mendoj se negociatat që po zhvillohen për momentin për emrin janë në drejtim që ne të mos bëjmë asnjë lëshim sa i përket Kushtetutës. Mendoj se formulimi i zgjedhjes po bëhet me shumë kujdes, andaj edhe po zgjat procesi i gjetjes së zgjidhjes», thotë analisti politik, Mitko Gaxhovski.