Merkel do të jetë një kancelare duke thënë lamtumirë

Angela Merkel e ka tejkaluar zenitin e pushtetit. Presioni ndaj saj është më i madh se kurrë, sepse fitorja e djeshme në zgjedhje e ka shijen e humbjes. Dhe për këtë një pjesë të përgjegjësisë e bart vetë Merkel.

Angela Merkel. Ilustrimi: Shutterstock



Fitueset e zgjedhjeve flasin ndryshe. Të hënën në mesditë kancelarja gjermane Angela Merkel doli para mediave në Berlin për të bërë një analizë të rezultatit zgjedhor. Ajo tha: «Kemi shumë kolege dhe kolegë, të cilët nuk do t’i takojnë më parlamentit. Natyrisht, kjo është e dhimbshme». Partia konservatore CDU e Merkelit, e cila në zgjedhjet federale merr pjesë me partinë simotër nga Bavaria CSU, në zgjedhjet e së dielës doli e para, por fitorja e ka shijen e humbjes. Një milion zgjedhës të CDU-së i janë bashkuar partisë radikale të djathtë «Alternative für Deutschland» (AfD), ndërsa 1,3 milionë kanë gjetur strehë politike te liberalët (FDP). Që nga viti 1949 CDU dhe CSU nuk kanë arritur rezultat më të keq se të dielën.

Një pjesë të madhe të përgjegjësisë, madje të fajit për këtë e bart Merkel personalisht. Në verën e vitit 2015 ajo mori një vendim heroik për të pranuar gati një milion refugjatë nga Siria dhe vendet e tjera të përfshira nga flakët e luftës dhe krizat politike. Mijëra gjermanë dolën nëpër stacione trenash për të pritur refugjatët, në mbarë vendin u krijua një atmosferë që përshkruhej me fjalën: «Willkommenskultur», kultura e mikpritjes. Bota (sidomos ajo perëndimore) shikoi e mahnitur një Gjermani solidare, të civilizuar, normale. Merkel e tha fjalinë e famshme: «Ne ia dalim».

Në këtë atmosferë kancelarja sikur harroi se jo të gjithë gjermanët mendonin si ajo. Jo të gjithë gjermanët ishin të gatshëm që shteti të hapë dyert ndaj refugjatëve, që njerëz të panjohur të hyjnë në vend pa pothuaj asnjë kontroll. Merkel nuk i mori seriozisht këto shqetësime. Në mediat gjermane kancelarja kritikohet me të drejtë për «aftësinë e saj të kufizuar të komunikimit». Pa marrë parasysh se e madhe mund të jetë një krizë, Merkel qëndron stoike, flet pak, me fraza teknike, ftohtë, pa asnjë emocion. Si një fizikane që punon në laborator. Dhe Merkel është fizikane.

Duke qenë e rritur në Gjermaninë Lindore Merkel ishte ose do të duhej të ishte e vetëdijshme se, përkundër faktit se gjatë qeverisjes së saj Gjermania është bërë kampione në eksport të mallrave, nga kjo mirëqenie nuk kanë përfituar të gjithë, sidomos në Gjermaninë Lindore. Atje ka qytete që kanë mbetur pa mjekë e farmacistë dhe po të mos ishin mjekët nga Rumania dhe nga Kosova, për shembull, gjendja do të ishte dramatike.

Zgjedhjet e së dielës kanë treguar sërish se në ish-Gjermaninë Lindore shumë njerëz nuk ngurrojnë të përkrahin ekstremet politike – me vite të tëra atje ka marrë vota të konsiderueshme partia «Die Linke», pasardhëse e partisë komuniste (SED), ndërsa tani atje korri sukses të madh partia radikale e djathtë «Alternative für Deutschland» (AfD). Në landin e Sachsenit AfD tani është forca më e madhe politike. Suksesi i kësaj partie, gjithsesi, nuk mund të injorohet as në pjesën perëndimore të Gjermanisë, e cila gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë nën kujdesin permanent të fuqive të mëdha perëndimore.

Ndërsa pas vitit 1945 në Gjermaninë perëndimore u zhvillua një debat i ashpër mbi të kaluarën dhe më 1968 gjenerata e studentëve u rebelua kundër baballarëve të tyre, të cilët i akuzonte se kanë mbajtur fshehur rolin e tyre gjatë sundimit nazist, në Gjermaninë Lindore komunistët ia mbushën mendjen popullit se nazistë mund të kenë qenë vetëm ata të anës perëndimore të Gjermanisë, ndërsa në Gjermaninë Lindore kishte vetëm luftëtarë trima kundër regjimit të Adolf Hitlerit. Natyrisht që kjo ishte një gënjeshtër, por pushtetit komunist i shërbente për të mobilizuar masat. Për shumë gjermanë të pjesës lindore ishte shumë e këndshme të rreshtoheshin si kundërshtarë të nazizmit, edhe pse nuk kishin qenë të tillë mes viteve 1933-45.

Përtej dallimeve mes pjesës perëndimore dhe lindore në mbarë Gjermaninë mbretëron një atmosferë e frikës apo shqetësimit. Është një ndjenjë e paqartë e trazimit që ka kapluar njerëzit. Është frika nga humbja e mirëqenies, e vendit të punës, e sigurisë, është frikë nga rreziku i terrorizmit dhe nga globalizimi, nga digjitalizimi i ekonomisë, një proces i pandalshëm që po de-industrializon pjesë të mëdha të Gjermanisë. Merkel nuk i ka kushtuar sa duhet rëndësi këtyre temave. Këtë e pranoi edhe vetë pas zgjedhjeve, por në mënyrën e saj: me pak fjalë.

Kur të gjitha këto shqetësime përzihen me deklarata raciste dhe thirrje për rikthimin e krenarisë gjermane – dhe pikërisht këtë e ka bërë AfD -, atëherë segmenti i së djathtës radikale rritet. Tani AfD do të jetë forca e tretë politike në Bundestag. Për herë të parë pas Luftës së Dytë në parlamentin gjerman hyn një parti që mund të quhet pjesërisht neonaziste. Hyrja e AfD-së në Bundestag ka diçka pozitive: aty zhurmaxhinjtë e rrugës duhet të dëshmohen me politikat e tyre, me propozime konkrete, duhet të ballafaqohen me kritika, të cilat nuk mund t’i pengojnë me fishkëllima.

Në zgjedhjet e së dielës gjermanët kanë ndëshkuar koalicionin e deritanishëm mes konservatorëve (CDU) dhe socialdemokratëve (SPD). Që nga viti 2005 dy partitë më të mëdha të Gjermanisë kanë qeverisur së bashku 8 vjet, pra në dy legjislatura. Qeveria nuk kishte opozitë të fuqishme. Parlamenti shpesh i ngjante një salle të gjumit, larg lavdisë së dikurshme, kur në Bundestag përleshja retorike mes të «zinjve» (CDU) dhe «të kuqëve» (SPD) e mbante gojëhapur publikun. Koalicioni i madh ishte një zonë konfortable. Me kalimin e viteve Merkel e shndërroi CDU-në në parti konservatore-socialdemokrate-ekologjike. Kështu të tjerët u bënë të parëndësishëm – ose më pak të rëndësishëm. Andaj, vendimi i socialdemokratëve për të kaluar në opozitë është hap i duhur. Nëse do të vazhdonin të qeverisnin me kancelaren Merkel, atëherë partia më e fuqishme opozitare në Bundestag do të ishte AfD. Në opozitë soclaidemokratët e kanë shansin të marrin veten, të reformohen dhe të rinohen me personel politik.

Merkel do të jetë një kancelare duke thënë lamtumirë. Ajo së pari duhet të krijojë një koalicion gati të pamundshëm: duhet t’i bind të Gjelbërit, të cilët kanë kërkesa të qarta sidomos sa i përket mbrojtjes së ambientit, pastaj duhet të merret vesh me liberalët (FDP), të cilët besojnë në formulën ultra-neoliberale se «tregu i rregullon të gjitha», përfshirë bankat dhe krimet e tyre financiare, klimën, euro-zonën etj., dhe në fund apo në fillim Merkel duhet të merret vesh edhe me partinë simotër CSU, e cila propagandon një politikë më të djathtë me qëllim që t’i merren votues AfD-së.

Mbetet të shihet nëse Merkel do t’ia dalë të krijojë një qeveri me kaq shumë partnerë dhe me kërkesa shpesh diametralisht të kundërta. Nëse jo, atëherë Merkel do të përpiqet t’i bind socialdemokratët, por gjasat se do të arrijë këtë duken të vogla. Nga perspektiva e sotme duket e pamundshme që Merkel të qeverisë deri në vitin 2021. Ka analistë që supozojnë se ajo do të tërhiqet gjatë legjislaturës, duke ia lënë postin e kancelares ndonjërit prej drejtuesve të partisë.

Demokracinë gjermane e presin kohëra të stuhishme, por përkundër lajmit dramatik për hyrjen e disa provokatorëve e racistëve në parlament, duhet thënë se 87 për qind e elektoratit gjerman ka votuar për parti që nuk urrejnë refugjatët, nuk duan largimin e Gjermanisë nga BE dhe angazhohen për një politikë të solidaritetit dhe mirëkuptimit në skenën ndërkombëtare. Demokracia gjermane është mjaft e konsoliduar dhe robuste për të kapërcyer edhe këtë sfidë.