Meri Merison

Robert Burns, poet skocez.

O Meri, eja në dritare,
është ora jonë e dëshiruar!
Ç’kushtojnë mijëra thesare
përpara syve të adhuruar!
Mundim të madh do të duroja,
si skllavi që duron i strukur,
kur zemrën tënde ta fitoja,
moj Meri Merisan e bukur!
Dje me muzikë e me vjoli,
ndër djem e vajza kërcimtare,
mendimi im më shkoi tek ti,
unë isha atje, por s’ndjeja fare:
kish fort të bukura ndër to,
kish plot me nur sa s’bëhet më,
por unë thashë: nuk ka jo
si Meri Merison, asnjë!
O Meri, do ti ta mundosh
Atë që zbret për ty në varr?
Do shpirt e zemër t’i copëtosh
Për fajin se të do me zjarr?
Në s’m’ë pranon si dashuror,
trego për mua pak mëshirë!
Ti s’mund të kesh një shpirt mizor,
moj Meri Merison e mirë…

Përktheu: Lasgush Poradeci