Mërgimtarët bëjnë me shtëpi dhjetëra familje

Një shoqatë që çdo vit thyen rekorde me ndërtimin e shtëpive për njerëzit e pastrehë në Kosovë. Me donatorë nga vendi dhe Diaspora. Zvicra prin me dhurime për ndërtimin e shtëpive njerëzve pa kulm mbi kokë.

Foto: Rexhep RIFATI



Mërgata shqiptare në botë në vazhdimësi po kontribuon në mirëqenien e popullatës në Kosovë dhe në trojet etnike. Dëshmi për këtë janë dhjetëra shtëpi të reja për skamnorët në Kosovë, shumë nga to për kategoritë e dala nga lufta.

Shoqata Humanitare «Feniks», me seli në Ferizaj, për tetë vjet ekzistence ka bërë mrekulli në ngritjen e shtëpive të tilla. Një punë e jashtëzakonshme në baza vullnetare! Për këtë «Feniksi», dy herë me radhë e ka fituar Çmimin «Fides» për filantropi: shoqata dhe kryetari, Milaim Jashari.

Për tetë vjet – 158 shtëpi të reja

Feniksi, vitin 2014 e përmbylli me 14 shtëpitë reja. Bilanci tetëvjeçar është hiç më pak se 158 shtëpi të reja anekënd Kosovës, përfshirë edhe familjen e një dëshmori nga Shqipëria, që u flijua për çlirimin e Kosovës. Vetëm nga Diaspora, në llogari të «Feniksit» për katër vjet u derdhën mbi 236’000 euro. Milaim Jashari, veteran i UÇK-së dhe veprimtar me energji të jashtëzakonshme, meritën ia dedikon bujarisë së njerëzve. Në veçanti mërgimtarëve, përfshirë edhe punëtorët në Irak e në Afganistan. E vërteta tjetër është se vetë Milaimi dhe bashkëpunëtori i tij, Sadik Sadiku, ndonëse që të dy invalidë, tërë energjinë e kanë kthyer në bamirësi të pashoqe.

Vjet vetëm nga Zvicra – katër shtëpi të reja

Milaim Jashari thotë se Zvicra prin me ndihma. Deri më tash mbi 20 shtëpi të reja janë ndërtuar falë donacioneve të mërgimtarëve nga Zvicra. Vjet nga kontributet e këtyre mërgimtarëve nëpërmjet «Feniksit» u ndërtuan edhe katër shtëpi të reja dhe një nga ata në Gjermani. Shumat e destinuara në euro për projekte humanitare nga vendet e ndryshme janë: Zvicra – 133’549, Gjermania – 36’600, Austria – 9’062, Anglia – 16’000, Afganistani – 3’862 dhe Amerika – 10’000 euro.

Edhe lista me emrat e donatorëve, që na afroi administratori i shoqatës, Agim Krosa, është mbresëlënëse. Xhavit Mustafa, një mërgimtar në Zvicër, me prejardhje nga Komogllava, deri më tani ka kontribuar me 22’000 euro. Atij i bashkëngjiten Besim Beqiraj, Fazli Salihu e Bekim Kozhani me nga 5’000 euro, për të ndërtuar disa shtëpi skamnorësh.

Nga Zvicra edhe miq zviceranë

Në këtë listë figurojnë edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë, si familja e Emin Musliut me 3’500 euro, familja e Sami Halitit me mbi 2’000 euro, Ahmet Sahit me 10’000 franga, Januz Rexhepi me 9’000 euro, Hamit Hoxha me 10’000 euro, Fehmi Lipovica me nga 8’000 euro, familja Rifati me 7’000 franga dhe të tjerë. Në kuadër të ndihmave që ka mbledhur Urim Neziraj, i cili vetë i ka dhënë 5’000 franga, ka qenë edhe familja zvicerane Himmelspach Dissenhhofen me 1’000 franga, si dhe Cornelia Reutinann me 200 franga.

Në mesin e kontribuuesve nga Zvicra ka edhe shoqata humanitare, shoqëri kulturo-artistike, por edhe shoqata shqiptaro-zvicerane. Shoqata humanitare «Nëna Terezë», me Seli në Lucern, ka derdhur dy donacione prej 11’500 frangash, Shoqata «Ardhmëria» nga Lozona – 12’755 franga, si dhe shoqëria «Dardania» e Ëinterthurit 10’000 euro. Një aksionin humanitar për ngritjen e një shtëpie për skamnorët e ka ndërmarrë edhe Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota», që do të ngrihet në pranverën e sivjetme. Lista nuk përfundon me kaq, sepse në të vetëm nga Zvicra figurojnë me dhjetëra emra. Ndërsa nga Gjermania prej shumë vitesh me kontribute të kësaj natyre prijnë vëllezërit Viçaj.

«Eli-Ab» zhvillon bamirësi në heshtje

Donatori më i madh në Ferizaj dhe përgjithësisht në Kosovë është firma tregtare «Eli-Ab», në pronësi të Basri Sopës me vëllezër. Këta humanistë deri më tash, nëpërmjet «Feniksit», i kanë ngritur hiç më pak se njëmbëdhjetë shtëpi të reja, me një shumë mjetesh prej 89’500 eurosh. Vëllezërit preferojnë të kontribuojnë në heshtje dhe pa bujë.

Në përfundim është edhe një lagje me shtatë shtëpi të reja në fshatin Bibaj, ku 20 arë tokë i ka dhuruar Imri Aliu. Lagjja me emërtimin «Feniks» duket ndër vendbanimet më të bukura në këtë anë. Të gjitha shtëpitë e kanë një standard: një dhomë dite, dy dhoma gjumi dhe një banjë.

Mbështetja te mërgimtarët

Milaim Jashari thotë se shoqata edhe sivjet, në saje të donatorëve, do të investojë në ato familje që kanë nevojë më së shumti. Ajo do të orientohet nga familjet që e sigurojnë nga të afërmit apo donatorët e mundshëm gjysmën e mjeteve që kërkohen për ngritjen e një shtëpie.

«Ne si shoqatë i falënderojmë donatorët dhe njerëzit e vullnetit të mirë për kontributin e dhënë deri më tash. Sidomos të gjithë mërgimtarët që ndajnë mjete nga puna e rëndë në kurbet», thekson Milaim Jashari. Ai shton se edhe sivjet do të vazhdohet me projekte të tjera, të mbështetura kryesisht në kontribute dhe në angazhime vullnetare. Jashari beson se edhe këtë vit do të zgjidhin më shumë raste sesa viteve të tjera. Pavarësisht nga kushtet dhe klima e rëndë në Kosovë. Këtë besim e mbështet te gatishmëria e njerëzve bamirës dhe te të afërmit e nevojtarëve dhe bashkëfshatarët e tyre. Kryetari i «Feniksit» asnjëherë nuk e humb durimin dhe vullnetin. Përherë thirret në bujarinë e njerëzve tanë në Atdhe e në mërgatë, të cilët i quan të mrekullueshëm dhe humanë. Pa dashur të përmend se ai me kryesinë e «Feniksit» prej kohësh janë në ballë të listës së bamirësve vullnetarë.