Mërgata shqiptare e Maqedonisë – votues «rezervë»

Mërgimtarët shqiptarë do të hiqen nga lista qëndrore e votuesve në Maqedoni dhe do të barten në listën plotësuese. Ata do të mund të zgjedhin vetë nëse do të votojnë në njësinë e diasporës ku zgjidhen tre deputetë, apo në njësitë vendore brenda Maqedonisë. KSHZ do të verifikojë edhe 43 mijë votues të tjerë të dyshimtë që kanë dokumente personale, por nuk kanë adresë banimi në Maqedoni.

Pamje nga protestat në Maqedoni. Foto: Giovanni Vale / Shutterstock.com

Shkup, 23 qershor 2016

Mërgimarët shqiptarë nga Maqedonia nuk do të fshihen nga lista e votuesve, siç kërkonin dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, gjatë bisedimeve në Përzhino të Shkupit, por megjithatë ata do të zvhendosen nga lista qëndrore e votuesve. Rreth 170’000 votues, të cilët kanë qenë më shumë se tre muaj jashtë vendit, do të trajtohen si votues «rezervë». Këta votues, shumica e të cilëve janë mërgimtarë shqiptarë, do të jenë në listën plotësuese të votuesve dhe mërgimtarët do të duhet që vetë të paraqiten nëse ditën e zgjedhjeve kthehen në vendlindje për të votuar.

Ky duket se është kompromisi më i mirë mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase. Anëtari shqiptar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor i deleguar nga BDI, Subhi Jakupi, konfirmoi kalimin e mërgimtarëve në listën plotësuese, por garantoi se asnjërit prej tyre nuk do t’i merret e drejta e votës. «Ne do të mundohemi që të bëjmë verifikimin e saktë dhe asnjë qytetar të mos fshihet nga lista pa bazë ligjore dhe njëkohësisht asnjë qytetar të mos evidentohet nëse nuk i plotëson kushtet për të qenë në listë», deklaroi Jakupi.

Përfundimisht edhe nga LSDM, parti për të cilën u tha se në bisedime ka kërkuar fshirjen e diasporës, tani zbuti tonet dhe pas takimit të sotëm me përfaqësues të KSHZ-së pranoi listën plotësuese si zgjidhje për votuesit nga diaspora. «Në takimin e sotëm të grupit punues u dakorduan që KSHZ të gjejë forcën të respektojë ligjin, dhe të vërtetohen deri në fund të gjithë ata njerëz që përmes ligjit nuk do të duhet të jenë në listën votuese dhe vetëm përmes ligjit të jenë në listën e veçantë të votuesve», tha Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE dhe PDSH nuk dhanë hollësi për mediat pas përfundimit të takimit, i cili rikthen në tavolinë listën e votuesve disa javë pas mbylljes së këtij procesi dhe konstatimit të shumicës në KSHZ se lista ishte pastruar përfundimisht. Sot anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, përfaqësues të partive, të shoqërisë civile, në prani edhe të organizatave ndërkombëtare, vendosën që të rikontrollojnë 170’000 mijë votues nga diaspora dhe 42’000 mijë votues të dyshimtë.  Në këtë grup besohet se bëjnë pjesë edhe votuesit nga Pusteci dhe goranët nga Kosova, për të cilët në zgjdhjet e kaluara opozita akuzonte se janë pajisur me pasaporta nga pushteti aktual që të mbështesin VMRO-DPMNE-në.

Kryetari i grupit për pastrimin e listës së votuesve, Atanas Urumov, u shpreh optimist se kësaj radhe Maqedonia do të fitojë një listë të pastër të votuesve. «Çdo vërejtje për listën e votuesve do të shqyrtohet seriozisht, do të shihet saktë se për cilët persona ka dilema, në përputhje me raportin tonë që është përpiluar mbi bazën e metodologjisë së definuar paraprakisht», tha Urumov, njëherësh anëtar i pavarur i KSHZ-së.

Me vlerësime negative nga takimi doli Xhabir Derralla nga organizata «Civil», e cila monitoron zgjedhjet në vend, duke thënë se anëtarët e KSHZ-së kanë pasur qëndrime diametralisht të kundërta, ndërsa u ankua se OJQ-ve nuk u është dhënë fjala në takim. «Vlerësoj se tani duhet të lutemi deri në takimin e fundit. Kjo ishte një mbledhje shumë e çuditshme. Ne nuk patëm asnjë hapësirë për t’u shprehur, u përmendëm vetëm në ftesë, ndërsa këtu patëm vetëm një ulëse në një skaj të kësaj hapësire dhe asgjë më shumë», deklaroi Derralla.

Përndryshe, në takimet e fundit të përfaqësuesve të katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos lista e votuesve ishte temë qëndrore. PDSH akuzoi se partitë maqedonase ishin dakorduar për fshirjen e mërgatës shqiptare nga lista e votuesve. Metodologjinë e propozuar, e cila çonte drejt fshierjes së mërgatës, e kishte kundërshtuar më pas edhe BDI, e cila tha se nuk do të lejojë fshierjen e mërgimtarëve shqiptarë dhe se ata do të kenë të drejtë vote si të gjithë qytetarët e tjerë.