Mënyra «hallall» për gjetjen e fatit të jetës në Malajzi

E veshur me shami dhe rroba që mbulojnë tërë trupin, 24 vjeçja Nurnadille Edlena mban shënime me qëllim derisa një mashkull para saj prezantohet.




Dyshja janë në «Halal Speed Dating», një ngjarje e re kjo për takime mes çifteve në Kuala Lumpur që po i ndihmon myslimanët e Malajzisë që të gjejnë partnerë në një shoqëri kryesisht konservatore ku lidhjet mes të rinjve janë shumë të rralla dhe martesat shpesh janë të aranzhuara.

Shërbimi i takimeve është hallall, që do të thotë se është i lejuar me ligjin islamik, pasi që praktikohet me një gërshetim islamik: femrat që marrin pjesë në këtë ngjarje duhet të jenë nën përcjellje të një ‘wali’, apo një kujdestari derisa ajo të martohet.

«Solla prindërit e mi pasi që janë njerëzit më të mirë që mund të më udhëzojnë për të gjetur dikë», ka thënë Nurnadille, raporton Reuters.

«Jam e përqendruar në gjetjen e një djali që do të më pranojë për atë që jam».

Malajzia është vend kryesisht i moderuar mysliman, ku feja islame është besimi zyrtar dhe myslimanët malajzias përbëjnë dy të tretat e popullsisë prej 30 milionë banorëve.

Shumë të rinj malajzias takohen me miq siç bëjnë të rinjtë e vendeve tjera, përfshi edhe përmes aplikacioneve të famshme Tinder dhe Facebook, por takimet e dashurisë komplikohen për të rinjtë myslimanë në Malajzi, ku shfaqja e tërheqjeve publike dhe intimiteti para se të martohen është i ndaluar rreptësisht, transmeton Koha.net reportazhin e Reutersit.

Themeluesit e «Halal Speed Dating» thonë se shumica e klientëve të tyre shpresojnë të gjejnë një bashkëshort. Klienti mund të përzgjedh deri në tre partnerë potencialë por negociatat për martesë mund t’i zhvillojë vetëm me një prej tyre në të njëjtën kohë, në pajtim me rregullat e Islamit.

«’Halal Speed Dating’ është e kundërta e Tinder», thonë bashkëthemeluesit Zuhri Yuhyi, 34 vjeç dhe Norhayati Ismail, 41-vjeç, duke iu referuar kështu aplikacionit me bazë në SHBA për takime dashuria që ka fituar reputacion si mënyrë pa pagesë dhe e lehtë për të gjetur dashurinë.

Ata thonë se sistemi i tyre mund të parandalojë atë që e shohin si sëmundje shoqërore e seksit paramartesor dhe të hershëm, të cilat besojnë se promovohen në aplikacione siç është Tinder.

Themeluesit kanë organizuar dy herë këtë ngjashme në Kuala Lumpur. Hera e parë ka ndodhur në maj të këtij viti ku u bashkuan rreth 80 persona, ndërsa herën e dytë (javën e kaluar) janë paraqitur 60 individë me shpresën e gjetjes së fatit të jetës.