Meny ballkanike

Eqrem Basha.



Mos e shtro sofrën e dashur
Sonte do të hamë jashtë
Do të dalim më herët
Do të kthehemi vonë
Te ne në Europë jeta ka ndryshuar
Eja me mua e dashur
Të pimë një ponç te bari Admiral
Marrim dhe një coupe royale
Te caffe Montreal
Rrugës në billardo Benny
Hedhim një karamboll pas shpine
Do të pimë një capuccino
Te caffeteria Marilyn
Në Florida club një martini me ullinj
Mos e shtro sofrën e dashur
Sonte do të hamë jashtë
Në pizzeria Miamy
Marrim pizza New Jersy
Escaloppe viennese në restaurant Roma
Vemi dhe te Parma
Për një coupe macedonienne
Që të kthehemi më në fund
Vonë në shtëpi
Të zbrazim zorrët
Në një hale Ballkani